Pas raportimit të Nacionales, gjyqtarja e Speciales e heq ‘llajkun’ nga postimi për raportet e mira të Serbisë me Francën
Gjyqtarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Mazhori Masëlo, pak muaj më parë, ishte përfshirë virtualisht në diskutimet politike.
Ajo pëlqente një postim ku vlerësoheshin raportet e mira që ka Franca me Serbinë.
Nacionale raportoi pak ditë më parë për një status në LinkedIn që e kishte bërë emisari i Francës për Ballkanin, Rene Trocaz.
Aty ai njoftonte për një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe vlerësonte lartë raportet e Francës me Beogradin.
Këtë postim, e kishte pëlqyer edhe gjyqtarja Masëlo, që tash është gjyqtare në rastin e Thaçit dhe të tjerëve për pengim të drejtësisë.
Mirëpo, duket se raportimi i Nacionales ka qenë ‘alarm’ për gjyqtaren franceze.
Foto: Postimi pa pëlqimin e gjyqtares
Në postimin e njëjtë në LinkedIn, më nuk figuron pëlqimi i gjyqtares nga Franca.
Ajo e ka larguar pëlqimin dhe kjo konfirmohet me një verifikim të thjeshtë.
“I nderuar që u prita në Beograd nga Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, pak ditë pas vizitës së tij të suksesshme në Francë. Franca qëndron përkrah Serbisë në rrugën drejt Evropës”, ishte postimi që gjyqtarja e kishte pëlqyer.
Foto: Postimi me pëlqimin e gjyqtares
Edhe në Kosovë, edhe në vendet e tjera, është e ndaluar që gjyqtarët të përfshihen në forma të ndryshme, në diskutimet politike.
Gjyqtarët e prokurorët në LinkedIn
Portali Demorkacia pak ditë më parë raportoi për afërsinë mes gjyqtarëve e prokurorëve të Speciales, nëpër rrjete sociale.
Zëvendësprokurori i Specializuar, Ward Ferdinandusse, përpos me rastin e krerëve të UÇK-së, po merret edhe me çështje të tjera.
Ai në një shkrim autorial ka treguar se përse ICC duhet të respektojë imunitetin e krerëve të shteteve të treta.
Shkrimin e tij, ai e ka publikuar në llogarinë e tij në LinkedIn. Madje, ai e ka etiketuar edhe gjyqtarin Guenael Mettraux, që është gjyqtar në rastin ndaj krerëve të UÇK-së dhe i cili është kritikuar më së shumti për pyetje orientuese për llogari të Prokurorisë.
Sipas zëvendësprokurorit Ward Ferdinandusse, këtë shkrim ai e ka diskutuar me gjyqtarin Guenael Mettraux, gjë që tregon afërsinë personale mes tyre.
Aktiviteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve në llogarinë LinkedIn është i madh.
Gjyqtarit zviceran, Guenael Mettraux, nuk i ka pëlqyer fakti se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka ikur vuajtjes së dënimit në çështjen Stormy Daniels.
Ai ka pëlqyer një shkrim ku kritikohet Qeveria amerikane.
“Donald Trump, i përjashtuar nga dënimi i tij pas dënimit në çështjen Stormy Daniels. Djali i Joe Biden falet nga babai i tij. A ka qeveria amerikane ende mësime për t’i mësuar dikujt?”, thuhet në shkrimin e Romaine Jean, të cilin e ka pëlqyer publikisht gjyqtari Guenael Mettraux.