Pas raportimit të Nacionales, Avokati i Popullit nis hetimet ndaj ATK-së
Vendimi që e mori Administrata Tatimore e Kosovës për të mos lejuar ankesat që shqiptohen nga ky institucion ndaj bizneseve, pritet t’i kushtojë. Kjo pasi Zyra e Avokatit të Popullit ka nisur hetime pas raportimit të gazetës Nacionale.
Nacionale kishte raportuar javën e kaluar se ATK-ja po ua mundëson bizneseve që dënohen, pagesën e gjobës për 50% më lirë, por duke ua marrë të drejtën e ankesës.
E pas raportimit, Gazeta Nacionale ka mësuar se Avokati i Popullit ka nisur hetime ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.
“Avokati i Popullit në bazë të nenit 16.4 të Ligji për Avokatin e Popullit, ka vendosur të hapë hetime ex officio ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në bazë të artikullit në gazetën Nacionale. ATK-ja pa asnjë bazë ligjore është duke i hedhur poshtë të gjitha ankesat ndaj gjobave të cilat tatimpaguesi i paguan me 50% të shumës me arsyetimin se në rastet e tilla nuk është e lejuar ankesa", thuhet në vendimin për nisjen e hetimeve që e ka siguruar Nacionale.
Gazeta Nacionale në bashkëpunim me avokatin Florin Lata e “denoncuan” këtë çështje, duke raportuar detajisht në lidhje me rregulloren e ATK-së.
ATK ndalon të drejtën e ankesës vetëm me rregullore
ATK në një njoftim publik me titull “Gjobat mund të paguhën vetëm 50% nëse paguen brenda 15 ditëve”, që mban datën 27 janar të vitit 2022 në rreshtat e parë të tij përmbanë informacione mbi lehtësimin e pagesës së gjobave.
“Bazuar në këtë Rregullore, tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba fikse për shkelje të legjislacioit tatimor, kanë mundësinë që të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës” thuhet aty.
Rreshtat problematik e të cilët pritet të jenë pjesë e hetimevetë Zyrës së Avokatit të Popullit, vijnë menjëherë pas këtij lajmi të mirë.
“Në rast se tatim paguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit nga ZgjoNA, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur”

Pra, Administrata Tatimore e Kosovës e suprimon të drejtën e ankesës, me një rregullore të brendshme.
Rregullore e cila hyri në fuqi, nga data 1 shkurt e vitit 2022.
Avokati Florin Lata në një prononcim për gazetën Nacionale, e quante shkelje ligjore e kushtetuese rregulloren e ATK-së
“ATK përmes një njoftimi publik të datës 27.01.2022 me titull “Njoftim për tatimpagues – Gjobat mund të paguhen vetëm 50%, nëse paguhen brenda 15 ditëve” kishte vendosur që pas 5 vitesh të fillonte me zbatimin e nenit 30 par. 3 të Ligjit për Kundërvajtje edhe pse këtë ligj nuk e citon fare në njoftimin publik dhe e ka pasur obligim zbatimin e tij nga data 01.01.2017. Si duket, ATK ka nxjerr edhe një rregullore për Gjoba të cilën nuk e ka publikuar ende”, kishte shkruar ai.
“ATK pa asnjë bazë ligjore është duke i hedhur poshtë të gjitha ankesat ndaj gjobave të cilat tatimpaguesi i paguan me 50 % të shumës me arsyetimin se në rastet e tilla nuk është e lejuar ankesa. Pra, sipas ATK nëse tatimpaguesi e paguan gjobën me 50 % i humbet e drejta e ankesës me arsyetimin se kështu është përcaktuar me njoftimin publik dhe me rregulloren e brendshme të pa publikuar”, ka thënë më tutje ai.

Çka thotë Kushtetuta e ligji?
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, si akti më i lartë juridik i vendit, në nenin 32 të saj e rregullon çështjen për përdorimin e mjeteve juridike.
Në kapitullin “E drejta për Mjete Juridike” thuhet kështu: “Secili person ka të drejtë të përdorë mjete juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrë të përcaktuar me ligj”
Pra, kushtetuta për përdorimin e mjeteve juridike na dërgon te ligji dhe jo tek udhëzimet e brendshme administrative.
Ligji mbi Proceurën e Përgjithshme Administrative i cili u aktivizua në rastin e qytetarit të gjobitur, flet për kushtet e pranueshmërisë së ankesës, dhe në asnjërën prej pikave nuk, thuhet se ankesa nuk pranohet në rast se e paguan 50% më lirë.

Ligji për kundërvajtje gjithashtu në nenin 54 të tij e përcakton dyshkallshësinë e procedurës kundërvajtëse.
Në nenin e quajtur “Dyshkallësia e procedurës së kundërvajtjes” thuhet: “Kundër vendimit të nxjerrë në shkallën e parë mund të paraqitet ankesa, nëse me këtë ligj nuk është casktuar ndryshe.”

Pra edhe në ligj specifikohet se dyshkallësia në procedurë për kundërvajtje, e në këtë rast e drejta e ankesës, mund të përcaktohet ndryshe, vetëm me këtë ligj dhe jo me rregullore të brendshme.
Gazeta Nacionale do ta përcjellë më vëmendje të gjith rrjedhen e këtij rasti, përçka edhe do të raportoj.


