Pa asnjë shpjegim e paralajmërim: Specialja nuk tregon pse u ndaluan telefonatat e vizitat në Hagë
Gjykata Speciale e Hagës, më saktësisht Qendra e Paraburgimit, i ka ndaluar të gjitha telefonatat dhe vizitat për ish-krerët e UÇK-së.
Nacionale ditëve të fundit ka pranuar informacione nga familjarë e miq të cilët kishin pasur vizita të planifikuara në Qendrën e Paraburgimit.
Burimet kanë theksuar se atyre vetëm u është thënë se “me keqardhje i njoftojnë që vizitat janë anuluar”. As familjarët e as miqtë nuk kishin pranuar asnjë sqarim tjetër.
Ata që kishin vizita të aranzhuara kishin paguar biletat e hotelet, dhe kishin kryer fluturimet. Por në fund, vizita nuk u bë.
Arsyet pse ka ndodhur një situatë e tillë ende nuk dihen. Megjithatë, kjo vjen disa ditë pasi Prokuroria e Hagës pati disa aksione, arrestime e bastisje, me arsyetimin e “pengimit të drejtësisë”. Por, nuk dihet nëse ndalesa e vizitave e telefonatave ndërlidhet diçka me këtë qëllim.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në një përgjigje për Nacionalen, nuk kanë dhënë asnjë detaj për këtë fakt.
“Të gjitha dosjet publike publikohen në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Aktualisht nuk ka asnjë dosje në faqen e internetit lidhur me pyetjet tuaja”, thuhet në përgjigje.
Vizitat e telefonatat janë të rregulluar edhe me Udhëzuesin e Dhomave të Specializuara në Hagë, dhe vlerësohen si një nga të drejtat më thelbësore për të akuzuarit që gjenden në paraburgim.
Një reagim lidhur me anulimin e vizitës e ka bërë vëllai i presidentit Thaçi, Blerimi.
“Sot, deri sa ishim nisur për të shkuar në Hagë dhe i kishim bërë të gjitha rezervimet e nevojshme atje, pasi që nesër kishim vizitë të konfirmuar te vëllai ynë, na ka ardhur një njoftim që na është anuluar vizita, pa na e dhënë asnjë arsye, asnjë sqarim. I njëjti njoftim u kishte shkuar edhe vizitorëve të tjerë. Për ne si familje, kjo sjellje është vërtet e papranueshme. Jo vetëm që po i mbajnë të paraburgosur jashtë çdo praktike juridike, duke ua shkelur edhe të drejtat njerëzore, por tash po na penalizojnë edhe neve, familjarëve të tyre, duke mos na lejuar as që t’i vizitojmë e takojmë familjarët tonë. Përpos që po i mbajnë padrejtësisht në burg që tri vjet, tash po mundohen t’i izolojnë edhe më shumë, duke mos iu lejuar as vizitorë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi.” - ka thënë vëllai i ish-presidentit Thaçi, Blerim Thaçi.
Një reagim e ka pasur edhe ish-këshilltari i Thaçit, Adil Behramaj.
“Pra, më nuk po tregohen armiqësorë vetëm ndaj atyre që po i mbajnë në paraburgim që tri vite dhe po ua zvarrisin gjykimin sa më shumë që munden, por kanë filluar t’i përndjekin edhe bashkëpunëtorët e tyre, miqtë e tyre dhe t’ua ndalojnë vizitat edhe familjarëve të tyre, që t’i izolojnë dhe demoralizojnë ata brenda. Sepse, emrat e tyre, historia e tyre dhe e vërteta që përfaqësojnë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi është shumë më e madhe sesa kjo gjykatë”, ka shkruar ai.
Reagim të ashpër ka pasur edhe ish/zvministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, sipas të cilit kjo është një tjetër shkelje e të drejtave të njeriut.
Vizitat që nga arrestimi i ish-krerëve të UÇK-së kishin qenë të ndaluara në fillim, e kjo për shkak të pandemisë Covid-19.
Për probleme me vizita është raportuar edhe në të kaluarën. Që nga problemet në pajisjen me viza nëpër ambasada, e deri te afatet e vizitave dhe procedurat e ngarkuara për familjarët dhe miqtë e ish-krerëve të UÇK-së.
