“Nuk po ndihem mirë”, “Duhet me u konsultu me avokatin” – Dëshmitari 29 kërkon ndërprerjen e seancës në Hagë
Dëshmitari numër 29 në rastin e krerëve të UÇK-së ka kërkuar ndërprerjen e seancës.
Fillimisht ai ka thënë se nuk po ndihet mirë me shëndetin. E më pas ka kërkuar të konsultohet me avokatin e tij, raporton Nacionale.
“Më duhet pak pushim se nuk po ndihem mirë me shëndetin. Nuk mund të vazhdoj. Më duhet me u konslultu me një avokat rreth procesit, nuk po i kuptoj do sene bash mirë”, tha ai.
Për këtë dëshmitar, ditën e djeshme avokati Ben Emmerson ka thënë se ka kërkuar pako përfitimi në këmbim të dëshmisë.
Kur Emmerson po fliste sot për këtë dëshmitar, Prokuroria kërkoi që të shkohet në seancë private. Dëshmitari për të cilin foli Emmerson është i 29-ti me radhë. Ai do të dëshmojë që nga sot, dhe do të ketë masa mbrojtëse.
“Që në fillim dua të bëj të qartë nuk është e nevojshme që të përshpejtojmë situatën me të cilën përballet trupi gjykues. Ka disa karakteristika konkrete me këtë dëshmitarë. Shqetësimi ynë ka të bëjë me mënyrën e ofrimit të dëshmive dhe mënyrën se si duhet të nxirret dëshmia prej dëshmitarit. Nga dokumentet që na janë nxjerrë e dimë që synimi i dëshmitarit është ...”, tha Emmerson, dhe seanca u mbyll për publikun.