“Nuk ka nevojë me qenë as gjyqtar e prokuror” – Kurti e Haxhiu vazhdojnë “betejën” me Blerim Isufajn
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti në lidhje me çështjen e ngritjes së aktakuzave, duke thënë se nuk është çështje e Kurtit, por e sistemit të drejtësisë.
“Nuk është çështje e tij ngritja e aktakuzave. Është çështje e sistemit të drejtësisë. Ne aktakuzat i ngrisim kur i kryejmë hetimet, kur kemi prova. Nuk mund të na tregojë kurrkush kur duhet të ngrisim aktakuzë e kur duhet të pushojmë hetimet.” – ka theksuar Isufaj.
Isufaj ndër të tjera ka pranuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, por ka thënë se s’mund t’i bëjë publike arsyet, për shkak të hetimeve. Ai ka thënë se urdhërarresti pastaj është rikthyer dhe po vazhdojnë hetimet.
“Pa miratimin tim nuk do kishte mundur të ndodhte, unë e kam dhënë pëlqimin, por arsyet pse e kam dhënë s’mund t’i bëj publike. Këto janë çështje të ndjeshme, çështje të hetimit. Nuk mundet me ditë opinioni secilën situatë, çfarë ne bëjmë.” – ka thënë Isufaj.
Deklarimet e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale në konferencën për fundvit, pasuan më shumë reagime nga ana e qeveritarëve.
I pari Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti i reagoi Blerim Isufajt, i cili tha se është për t’u habitur fakti se edhe pse Radojçiq e ka pranuar pjesëmarrjen në sulm, ende nuk ka aktakuze.
Madje, ai tha se nuk ka nevojë të kryhet Fakulteti Juridik për të bërë një gjë të tillë, pasi sipas Kurtit, mjafton arsyeja e shëndoshë për ta parë një absurditet të tillë.
“Nuk e di a e ndani edhe ju me mua habinë se si është e mundur që Milan Radojiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuzë. Unë besoj se as nuk ka nevojë të kryhet fakulteti juridik e as nuk ka nevojë me bë Bachelor, Master apo PhD dhe as nuk ka nevojë me qenë as gjyqtar e prokuror por vetëm arsyeja e shëndoshë normale e qytetarit të Kosovës e identifikon një absurditet të tillë. Informacionin që e ka sjellë AKI, Policia e Kosovës dhe ju si gazetarë në Banjskë është enorm. Ndërkaq shumica e qytetarëve të Kosovës nuk ja dinë emrin prokurorit që merret me rastin e Banjskës në Zveçan.” – ka thënë Kurti.
Ndaj deklaratës së kryeprokurorit Isufaj ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka a kritikuar duke thënë se drejtësia do të duhej të ishte e pavarur dhe se është e paarsyeshme shprehja se nuk mund t’i bëjë publike arsyet.
“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?” – ka shkruar Haxhiu.
“Vullneti i popullit është i qartë: ai do drejtësi dhe shtrirje të rendit e ligjit, pa dallim. Për këtë vullnet breza e breza të tërë janë angazhuar dhe sakrifikuar, mijëra të tjerë kanë dhënë dhe jetën dhe nuk ka njeri në botë kushdo qoftë ai që del dhe na thotë unë ja hoqa fletarrestin Radojçiqit dhe pikë. Kjo nuk kalon!” – ka përfunduar ajo.