Nga raportet me shtabin e përgjithshëm, deri te emrat e përveçëm: Çfarë tha Remi në ditën e parë të dëshmisë?
Ish-komandanti i UÇK-së për zonën e Llapit, Rrustem Mustafa i njohur si Remi, ka nisur dëshminë e tij para Gjykatës Speciale në Hagë në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai fillimisht ka sqaruar ditët e para kur ishte bërë pjesë e UÇK-së, pozitën e tij, komunikimin me shtabin e përgjithshëm, e dha detaje për emra të përveçëm lidhur me funksionet e tyre.
Komandant Remi u përballë me disa dokumente, në njërin prej të cilëve shihej firma e Jakup Krasniqit. Ky dokument ndërlidhej me mënyrën se si duhet të veprojnë ushtarët me gazetarët e vëzhguesit e OSBE-së, raporton Nacionale.
“Shihet qartë se është i zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare, Jakup Krasniqi. Po e shoh tani si dokument, por nuk më kujtohet. Unë e di që është diskutuar brenda radhëve të UÇK-së mirësjellja me vëzhgues e gazetarë por edhe me gjithçka që komunikonte me luftën tonë, por dokumenti nuk po më kujtohet. As sot nuk e di kush ka qenë (për vëzhgim). Për zonën e Llapit e kam caktuar unë, jo shtabi i përgjithshëm”, ka deklaruar Rrustem Mustafa.
Por, cilët zyrtarë i kishte caktuar për komunikim komandanti i zonës së Llapit? Ai ka bërë të ditur se ata kanë qenë Ismet Cakiqi, Lirak Qelaj, Hysen Fazliu, zv/komandanti dhe komandantët e brigadave.
Remi është pyetur për emërimin e Kadri Kastratit në rolin e zv/komandantit. Pyetjet e prokurores ishin nëse shtabi i përgjithshëm ka vendosur për këtë emërim apo jo. Krejt kjo, për të marrë përgjigje nëse komandantët e zonave i bindeshin shtabit të përgjithshëm apo jo.
“Unë kam caktuar, por Shtabi i Përgjithshëm e ka miratuar pozicionin tim të z.Kastrati dhe shumë pjesëtarëve të tjerë të komandës time, janë miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm. Kadri Kastrati iu bashkua UÇk-së në Llap në qershor 1998”, deklaroi Remi.
Remi është pyetur për Nuredin Ibishin, Fatmir Humollin, Latif Gashin dhe eprorë të tjerë të zonës së Llapit. Për të gjithë, ai është pyetur se kujt i kanë raportuar.
“Mua si komandant i zonës së Llapit”, deklaroi Remi.
“Emërimet ka mujt me i bo Shtabi, por vendimin përfundimtar e kam marrë unë kush ka mujt me qenë shef. Për hir të bashkëpunimit me shtabin e përgjithshëm ka mujt me ardhë miratimi edhe nga ata”, deklaroi Remi.
Prokuroria pretendoi se ka gjetur një deklaratë të Remit që nuk përputhet me atë që ai e tha sot. Megjithatë, Mustafa këtë e mohoi. Kjo ndërlidhej me disa rregulla të cilat kishin ardhur nga shtabi i përgjithshëm në qendër.
“Ka mundur dikush të ketë në mendje dokumente të shtabit të përgjithshëm të kohës. Për mua po më flet si dokument unik që e kanë ndërtuar eprorët e mi. Eprorët e stafit tim. Të njëjtat gjëra po i them edhe tani. Kanë mundur nga të gjitha burimet me u marrë këto rregulla. Ky dokument si burim ka mujt me u shfrytëzu nga dijet e shtabit të përgjithshëm, nga literatura e ushtrisë shqiptare dhe e jugosllavisë. Këtë e kam nësnhkruar për t’iu drejtuar sektorëve të mia në zonën e Llapit”, deklaroi më tutje Remi, raporton Nacionale.
Remi tha se në disa raste dokumentet e tilla kanë shërbyer për propagandë, me qëllim që populli të bindet se UÇK-ja ka organizim konkret.
Ai u pyet edhe për krijimin e Policisë ushtarake, megjithatë tha se në zonën e Llapit kjo polici ishte krijuar para se të vinte si kërkesë nga shtabi i përgjithshëm.
“Po, por më vonë. Pasi që është vendosur shefi i shtabit. Kur ka fillu të organizohet UCK-ja më mirë, ne kemi filluar më vonë njësitet e policisë ushtarake”, tha Remi.
Ai deklaroi se komandantët e brigadave i emëronte vetë, dhe që shtabi i përgjithshëm nuk kishte qasje në këto tema. Remi u pyet edhe për Njësitin BIA që drejtohej nga Salih Mustafa.
Remi do të vazhdojë dëshminë e tij edhe nesër, dhe në total pritet të merret në pyetje rreth 35 orë.

