Nesër dëshmitari i parë në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Çfarë duhet të dini? - NACIONALE

Nesër dëshmitari i parë në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së: Çfarë duhet të dini?

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Pas fjalëve hyrëse, që nga nesër do të fillojë dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Në Gjykatën Speciale tashmë priten pothuajse çdo ditë seanca, dhe procesi është intensifikuar dukshëm.

Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar listën me 12 dëshmitarët e parë të cilët do të japin dëshmi. Kjo në mënyrë që edhe mbrojtja të përgatitet për pyetjet e saj.

Edhe pse emrat e dëshmitarëve të parë nuk janë bërë publik, Nacionale ka mësuar nga burime të ndryshme jozyrtare se në mesin e tyre do të ketë ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata do të dëshmojnë për strukturën dhe organizimin e UÇK-së, lidhjen e zonave me shtabin e përgjithshëm, dhe temat e tjera që ndërlidhen me veprat penale për të cilat akuzohen Thaçi dhe të tjerët.

Në total, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë rreth 300 dëshmitarë. Megjithatë, ky numër mund të ulet nëse ka ndonjë vendim nga trupi gjykues i cili vazhdimisht ka kërkuar që të shkurtohet koha e kërkuar nga Prokuroria.

Numri i madh i dëshmitarëve ka bërë që tash e tutje pothuajse çdo ditë do të ketë seanca në këtë rast. Edhe ato ditë që s’ka seanca, kjo është për shkak të rastit tjetër që po gjykohet në Speciale, ai ndaj Pjetër Shalës.

600 orë kohë ka kërkuar Prokuroria për ta paraqitur rastin e saj. Kjo kohë që është më e gjatë se që ka kërkuar për shembull prokuroria në Tribunalin e Hagës në rastin ndaj Sllobodan Millosheviqit.

Për disa ditë, Prokuroria e mbrojtja kanë paraqitur fjalët e tyre hyrëse, dhe kanë prezantuar një pjesë të dëshmive.

Çfarë tha Prokuroria?

Pas një pritje për më shumë se 2 vjet e gjysmë, ka nisur edhe zyrtarisht gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Alex Whiting, ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar, qysh në nisje të fjalimit të tij bëri të ditur akuzat kryesore ndaj krerëve të UÇK-së. Ai përmendi qindra arrestimet të personave që etiketoheshin si tradhtarë dhe vrasjen e rreth 100 personave. Whiting tha se ka pasur një plan e strategji për t’u marrë me këta persona.

“Ushtarët e UÇK-së mbanin emra të koduar, mbanin maskë. Pas lufte disa dëshmitarë dhe persona të dyshuar kanë pasur interes për të fshehur strukturën dhe rolin që ekzistonin gjatë luftës. Edhe pse kjo çështje gjyqësore do të vërtetojë me shumë copëza mozaiku, sjellje kriminale është mjaft e thjeshtë. Do ta dëgjoni gjatë deklaratës hyrëse se shtabi i përgjithshëm i UCK-së ku 4 të akuzuarit ishin më të rëndësishëm, përqafoi një politikë të shprehur shumë qartë: të shënjestrimit të kolaboracionistëve dhe kundërshtarëve. Katër të akuzuarit u përfshin direkt në zbatimin e kësaj politike, përfshirë këtu duke caktuar mbikëqyrjen e komandandatëve që e vunë këtë në jetë. Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu vërtetë në jetë”, tha prokurori i specializuar, raporton Nacionale.

Njëri nga prokurorët që mori fjalën në seancë ishte Matt Hawling. Ai bëri një deklarim që u kritikua mjaft shumë në rrjete sociale. Tha se UÇK-ja i kishte sulmuar me granata 12 stacione të Policisë. E sipas tij, kjo bëri që Serbia ta kryejë masakrën në Likoshan e Qirez.

“Në vitin 1997 UÇK-ja arriti në një pikë ku mund të kryente sulme të orkestruara ndaj Ushtrisë serbe në të njëjtën kohë. Provat treguan se në 1997. Në vitin 1997 UÇK sulmoi 12 stacione të policisë me granatahedhës. Provat tregojnë se sulmi u organizua nga Rexhep Selimi teksa u ndihmuan nga Thaçi dhe Veseli për të siguruar armët”, deklaroi ky prokuror.

“Pas sulmeve të UÇK-së, forcat serbe nisën një aksion në Likoshan e Qirez që çuan në humbje të jetës së civilëve. Forcat serbe në 1998 sulmuan Adem Jasharin duke e vrarë atë dhe gjithë familjen. Kjo ngjarje kishte efekt nxitës në Kosovë, me shumë vullnetarë. Luftimet u përshkallëzuan në mars 1998. Zhvillimet e marsit 1998 i kërkuan stafit të përgjithshëm të ndante përgjegjësi e të konsolidonte radhët e veta. Fatmir Limaj shkoi në Kleçkë, Shukri Buja që u udhëzua nga Thaçi të shkojë në Lipjan”, theksoi më tutje prokurori Hawling.

Një tjetër prokuror në Hagë mori fjalën. Ai foli në detaje për shumicën e komunikatave të lëshuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e këto i përdori si prova. Megjithatë, në një nga komunikatat, UÇK-ja akuzohet se ka sulmuar rektorin serb, Radivoje Papoviq.

“Ai nuk ishte objektiv legjitim ushtarak. Ishte civil dhe u vu në shënjestër për veprimtaritë e tij në sistemin arsimor”, deklaroi Prokuroria.

Çfarë deklaroi mbrojtja?

Kur Hashim Thaçi kishte shkuar në Rambuje, ishte në mes dy dilemash: për ta nënshkruar ose jo marrëveshjen e Rambujesë. Avokati i Thaçit ka prezantuar disa video-inçizime, deklarata nëpër libra e dokumente, që tregojnë sipas tij, se ish-presidenti i Kosovës frikësohej ta nënshkruante marrëveshjen.

Kjo për shkak se nuk kishte fuqi aq të madhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosoës që një vendim të tillë të merrte pa u konsultuar me komandantët e zonave. Me këtë, mbrojtja tentoi të prezantojë para trupit gjykues faktin se fuqia e Thaçit nuk ishte aq e madhe në Shtabin e Përgjithshëm sa pretendon Prokuroria.

Për këtë qëllim, avokati i Thaçit publikoi një intervistë të padëgjuar të komandantit të zonës së Llapit, Rrustem Mustafa. “Më kujtohet që i kemi kërcënuar nëse i nënshkruani. U kemi thënë se kemi raketahedhës dhe në momentin e parë do ta rrëzojmë aeroplanin tuaj”, dëgjohet teksa thotë Mustafa.

Për këtë qëllim është paraqitur edhe një fragment i librit të ambasadorit Christopher Hill. Pasi ky i fundit e kishte pyetur pse nuk e kishte nënshkruar marrëveshjen ai kishte thënë: “Ka gjasë që më vrasin kur të kthehem”, raporton Nacionale.

Avokati i Thaçit paraqiti edhe një deklaratë të presidentit amerikan, Joe Biden, kur ishte senator. “Unë e di që ti nuk ke aq fuqi në UÇK”, i kishte thënë Biden Thaçit.

“Z.Thaçi ishte përzgjedhur udhëheqës i delegacionit të Kosovës në Rambuje. Nuk kishte kontroll atëherë mbi UÇK-në. Hashim Thaçi nuk mund ta nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë pa pëlqimin e komandantëve të zonave. Ata kishin aq pushtet sa shkarkuan komandantin Azem Syla, edhe Azem Syla ndodhej në Rambuje. Pa i marrë mendim Thaçit apo Azem Sylës, apo askujt tjetër, Azem Syla u shkarkua si komandant dhe u zëvendësua nga Sylejman Selimi. Kjo na çon kah struktura komanduese që paska pushtet efektiv, komandues dhe kontrollues në të gjitha qendrat e ndalimit që përshkroi ZPS-ja dje”, tha avokati Keohe.

Avokati tjetër i Thaçit, Luka Misetiq, ka folur lidhur me disa pretendime të Prokurorisë. Misetiq ka prezantuar fakte lidhur me pretendimin se Thaçi e të tjerët kanë ndaluar dy gazetarë serbë. Ai ka thënë se të njëjtit, janë të dyshuar për krime lufte në Kroaci. Sipas tij, kjo dëshmon që Prokuroria nuk i ka verifikuar informacionet e veta.

Misetiq ka folur edhe për rastin kur Gjergj Dedaj dhe disa deputetë të tjerë të delegacionit të LDK-së kishin shkuar në Qirez. Atje ku Thaçi e të tjerët akuzohen se i kanë ndaluar e i kanë rrahuar. Si kundër-dëshmi, avokati i Thaçit ka publikuar videon e një konference ku Dedaj fliste pas lirimit.

“Nuk kemi pasur kërcënim”, thoshte Dedaj në këtë deklaratë.

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshmi që e përfshin ish-kryetarin e Kuvendit në veprime për krime lufte.

“Sapo z.Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova për të kryer rolin e tij si shef zbulimi dhe u vendos jashtë vendit duke mbajtur lidhje me organizatat ndërkombëtare derisa thuajse pak përpara momentit kur NATO mori vendimin për të nisur bombardimet. Funksioni i tij është i dukshëm si në periudhën kohore ashtu edhe nga lëvizjet. Funksioni i tij nuk kishte të bënte me gjetjen e kolaborcionistëve, por me mbajtjen e lidhjeve me organizatat ndërkombëtare”, deklaroi avokati Emmerson.

Avokati i Veselit ka thënë se ka pasur një dëshmitar të Prokurorisë që ka qenë në listë deri javën e kaluar, e që e identifikonte gabimisht Veselin si i përfshirë në një krim lufte

Lajme të ngjashme