Nëse shpallet fajtor, a mund të dënohet Salih Mustafa më shumë se 20 vjet nga Gjykata Speciale? - NACIONALE

Nëse shpallet fajtor, a mund të dënohet Salih Mustafa më shumë se 20 vjet nga Gjykata Speciale?

1 vit më parë

nga Besian Beha

35 vjet burg kërkoi Prokuroria e Gjykatës Speciale për ish-pjesëtarin e UÇK-së, Salih Mustafa. Megjithatë, kjo kërkesë ngriti një tjetër dilemë në opinionin e Kosovës: A mund të dënohet Salih Mustafa më shumë se 20 vjet burg nga Gjykata Speciale.

Kjo pasi deri më tash, në gjykatat e Kosovës dënimet për krime lufte nuk kanë shkuar më shumë se 20 vjet. Arsye për këtë ka qenë parimi në drejtësi se për të akuzuarit, merret parasysh ligji më i favorshëm. Për rastet e krimeve të luftës, ligji më i favorshëm ëshët Kodi Penal i Ish-Jugosllavisë, ku dënimi maksimal është 20 vjet burg.

Megjithatë, në rastin e Gjykatës Speciale po del se situata qëndron më ndryshe. Kjo pasi akzuat janë edhe për krime kundër njerëzimit, që automatikisht e çojnë mundësinë e dënimit deri në 40 vjet burg.

Medina Kadriu, hulumtuese në Institutin e Kosovës për Drejtësi ka thënë se Mustafa për veprat e krimeve të luftës mund të dënohet maksimalisht 20 vjet, kurse për krime kundër njerëzimit deri në 40.

“Pavarësisht si përcaktohen dënimet me anë të Ligjit për DhSK-në, duke marrë parasysh parimin bazë në drejtësi, ligji më i favorshëm duhet të aplikohet ndaj një të akuzuari dhe nëse potencialisht zoti Mustafa do të dënohet për vepra penale që konsiderohen si krime lufte atëherë dënimi maksimal është prej 20 vitesh burgim, ndërkaq për vepra penale që konsiderohen si krime kundër njerëzimit është prej 40 vitesh burgim”, ka thënë Kadriu për gazetën Nacionale.

Ajo ka sqaruar se si erdhi deri te ndryshimi i këtij Kodi nga misioni i UNMIK-ut.

“Përderisa veprat penale për çka akuzohen të pandehurit janë rregulluar atë kohë nga ligji i Ish-Jugosllavisë, si dënim maksimal ka qenë i përcaktuar burgimi i përjetshëm. Mirëpo, misioni i UNMIK-ut ka shfuqizuar si dënim maksimal burgimin e përjetshëm dhe tanimë në fuqi ka mbetur në bazë të ligjit të Ish-Jugosllavisë si dënim maksimal për vepra penale që konsiderohen si krime lufte dënimi prej 20 vitesh burgim, ndërkaq për veprat penale kundër njerëzimit është i përcaktuar dënimi maksimal me burgim prej 40 vitesh”, theksoi më tutje Kadriu.

Në anën tjetër, ndryshe shprehen në Organizatën e Veteranëve të Luftës. U.D kryetari i kësaj organizate, i ka quajtur prokurorët mafiozë. Sipas tij, në Gjykatën Speciale po shkelen ligjet.

“Ju e patë edhe dje që Prokuroria e asaj gjykate, siç e kam thënë edhe mbramë në facebook po paraqiten si mafiozë, veprojnë kundërligjshëm sepse me çdo kod penal qoftë të ish-jugosllavisë apo Kodi i Kosovës, veprat për krime lufte maksimumin e dënimit e kanë pasur, ose kërkesën e kanë pasur 20 vjet. Ndërsa prokurorët skandalozë të asaj zyrë, kërkojnë nga Salih Mustafës 35 vite denim. Kjo është e kundërligjshme, ata nuk respektojnë as ligj e kushtetutë të shtetit që e ka krijuar këtë gjykatë”, ka thënë Klinaku për gazetën Nacionale.

Dhjetëra persona të dyshuar për krime lufte në Kosovë ndër vite, nuk janë dënuar me më shumë se 20 vjet. Kjo pasi ata janë gjykuar me ligjin më të favorshëm që ka qenë në fuqi, e ai ishte Kodi Penal i Ish-Jugosllavisë.

Çfarë thanë Prokuroria dhe avokati?

Gjykimi i dytë në Dhomat e Specializuara ka prekur fundin. Ish-pjesëtari i UÇK-së, Salih Mustafa, tash është në pritje të vendimit nga trupi gjykues në lidhje me akuzat ndaj tij për vrasje, torturë, ndalim arbitrar e trajtim mizor. Për të gjitha këto pretendime Prokuroria kërkoi 35 vjet burg, kurse avokati i ‘Calit’ tha se nuk ka prova. Vendimi tash i takon trupit gjykues, që duhet të shpallë aktgjykimin brenda 90 ditësh.

Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone për dy ditë të tëra, tentoi ta bindë trupin gjykues në Dhomat e Specializuara të Hagës, se klienti i tij është i pafajshëm. Në fjalët e fundit të thëna në trupin gjykues, Von Bone foli fillimisht për luftën në Kosovë.

Julius Von Bone u ndalua më shumë tek kompleksi në Zllash, ku Mustafa u akuzua se ka keqtrajtuar civilë shqiptarë.

“Mund të themi se edhe ndërkohë që personat ishin vullnetarë, ajo strukturë dukej si një organizatë ushtarake. Është keqkuptim i plotë që BIA operonte në Zllash. Njerëz nga BIA mund të kenë qenë atje, por ata asnjë lloj mënyrë nuk kishin kontroll në Zllash. Ata nuk kanë funksionuar në asnjë zonë të veçantë të Zllashit. Nuk kishte asgjë që kërkonte nevojën e tyre. Nuk kishte asnjë lloj operacioni të kryer në Zllash. Shtëpitë në Zllash, Mustafa i vlerësoi si vend i duhur për relaks pas operacioneve që kishin. Njerëzit e BIA-s nuk kishin asnjë pushtet atje”, tha avokati i Mustafës.

“Nuk ka pasur asgjë të tillë si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, ku Salih Mustafa ka luajtur ndonjë rol për kryerjen e krimeve të pretenduara. Mustafa nuk ka marrë pjesë në asnjë Ndërmarrje të tillë. Z.Mustafa nuk kishte asnjë njohuri për krimet e aktakuzës. Nga data 1 deri më 19 prill ndoshta mund të ketë qenë pak herë në Zllash, ai nuk ka ndaluar e as torturuar askënd, asnjëherë në atë vend. Ai nuk ka urdhëruar askënd tjetër për ta bërë një gjë të tillë. Nuk ka asnjë provë që ai ka pasur dijeni se gjëra të tilla kanë ndodhur”, theksoi avokati holandez.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim maksimal për Salih Mustafën. Prokuroria ka kërkuar dënim prej 35 vitesh burgim për Calin, në lidhje me akuzat për ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor dhe vrasje. Këtë e ka bërë të ditur sot, në seancën ku u dha fjala përfundimtare.

Salih Mustafa dyshohet se këto vepra penale për të cilat akuzohet nga Prokuroria i ka kryer në Qendrën e Ndalimit në fshatin Zllash.

“Gjatësia e masës së dënimit duhet të jetë në përputhje me krimet e bëra nga i akuzuari, pasojat e rënda mbi viktimat, faktorëve fajësues dhe mungesën e faktorëve shfajësuese. Ju keni patur disa pyetje lidhur me cështjen në dosje. Nuk kemi mbuluar këto çështje në masë mëtejshme me përjashtim të pyetjeve tuaja. Pjesa e gjashtë e dosjes përfundimtare diskuton masën e dënimit i cili arrin në maksimum e dënimit me burgim të përjetshëm. Dhe për këtë duhet të marrim parasysh krimet e rënda, rolin e të akuzuarit, praninë e tij në to, praninë e faktorëve rëndues. Krimet janë tejet brutale”, tha prokurori Mihailczuk në seancë.

Aktgjyimi pritet brenda 90 ditësh.

Lajme të ngjashme