Ndodh edhe kjo: Ministrja Haxhiu nxjerr vendim pa arsyetim, habiten juristët
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dje ka bërë një veprim të rrallë, më të cilin ka treguar mungesë të madhe të njohurive në fushën e drejtësisë. Ajo ka nënshkruar një vendim për të shfuqizuar një vendim të mëhershëm.
Vendimi për shfuqizimin e vendimit, me të cilin kishte emëruar Komisionin për procedurën disiplinore për përmbarues privat, nuk e përmban asnjë rresht arsyetim.
Një veprim i tillë nga juristët po konsiderohet si skandaloz.
E para që ka reaguar ndaj një vendimi të tillë ka qenë deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
Ajo ka thënë se është obligative që çdo akti administrativ të përmbaj arsyetim.
Sipas saj, kjo hyn në ato që i referohemi si “ABC-ja e vitit të parë në fakultet juridik”.
“Veç shikojeni këtë dokument. Asnjë shkronjë arsyetim. Kush? Ministrja e Drejtësisë. Personi që flet për ligjshmëri e sundim të ligjit me tone patronizuese thuajse e ka zbuluar zbatimin e ligjit. Obligimi i një akti administrativ që të përmbaj arsyetim hyn në ato që i referohemi si “ABC-ja e vitit të parë në fakultet juridik” - e mos të flas që është obligim ligjor”, ka shkruar deputetja e LDK-së.
Ajo ka vlerësuar se Qeveria Kurti nuk ka më kredibilitet ta drejtojë vendin.
“Kjo qeveri e ka humbur PLOTËSISHT kredibilitetin të flas për sundim të ligjit. PLOTËSISHT”, ka shkruar ajo.
Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe avokati Ylli Zeka.
Sipas tij, vendimet e tilla duhet të përmabjnë arsyetim.
“Ministrja e Drejtësisë, ka shfuqizuar vendimin me të cilin kishte emëruar Komisionin për procedurën disiplinore për përmbarues privat, pa asnjë rresht arsyetim!”, ka shkruar Zeka.
Kërkohet reagimi i Këshillit Gjyqësor
Avokati Ylli Zeka ka kritikuar edhe në përmbajtje vendimin e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ai ka kërkuar nga këshilli Gjyqësor i Kosovës që të reagojë për këtë rast.
Sipas tij, në këtë rast duhet të mbrohet integriteti i gjyqtarëve që kanë qenë pjesë e këtij komisioni.
“Sipas Ligjit, Komisioni për procedurën disiplinore për Përmbarues Privat emërohet nga Ministri i Drejtësisë dhe përbëhet nga 3 anëtar: 2 anëtarë nga radhët e gjyqtarëve, të cilët i propozon Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe 1 anëtar nga radhët e përmbaruesve privat të cilin e propozon Oda. Në situatën e një mendësie politike, kur Ministrja shkarkon Komisionin për shkak të mosbindjes politike në vendimmarrje e tyre, atëherë KGJK duhet të reagoj në mbrojtjen e integritetit të gjyqtarëve, duke mos propozuar gjyqtarë në këto komisione, derisa ekziston një mendësi e tillë”, ka shkruar ai.
Avokati ka vlerësuar se veprimi i ministres tregon për inatet që ajo me ka gjyqtarët.
“Reflekto Ministre, mos e ceno integritetin e gjyqtarëve! Nuk ka faj Komisioni disiplinor, qe procedurat dhe vendimet skandaloze disiplinore, të cilat i publikoni me krenari në rrjetet sociale pa marrë formën e prerë, të dështojnë në Komisione disiplinore dhe në Gjykatë! Nuk udhëhiqet shteti me inate!”, ka shkruar Zekaj.
Vendimi i Ministrisë së Drejtësisë ka të bëj me Komisionin Disiplinor ndaj Përmbaruesve Privat.
“1. Shfuqizohet vendimi nr.56\2022 i datës 26.04. 2022 për emërimin e Komisionit Displinor ndaj Përmbaruesve Privat. 2. Ky vendin hyn në fuqi ditën e nënshkrimit”, thuhen në vendimin, i cili ka nxitur reagime të shumta.
