Milan milioneri: Kush ia dha me dhjetëra tenderë firmave të Radoiçiqit nga Serbia e Kosova?
Milionat që i kishte bërë viteve të fundit, nuk ishin të rastësishme. Figura e kryekriminelit Milan Radoiçiq, nisi të fuqizohej në skenën publike në Kosovë e Serbi që nga viti 2017. Që nga atëherë, firmat e Radoiçiqit, dhe personave të afërt me të, fitonin miliona euro tenderë. Shumica prej tyre nga Beogradi zyrtar, e disa edhe nga qeveritë e Kosovës.
Kështu thuhet të paktën në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me sulmin në Banjskë. Në aktakuzën të siguruar nga Nacioale, Radoiçiq, del se krejt pasurinë e kishte krijuar nëpërmjet shpërlarjes së parave. Merrte tenderë nga Serbia, merrte tenderë në Kosovë, punët nuk kryheshin kurrë, dhe paratë i mbetnin në ‘xhep’.
Të njëjtat para të mbledhura për vite të tëra, Prokuroria Speciale ka evidentuar se ishin përdorur më pas për të blerë armatim e për t’i paguar anëtarët e grupit terrorist që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit. Madje, sipas aktakuzës, secili fond i dërguar nga Kosova për serbët në veri, përfundonte në duart e Radoiçiqit.
Dorën kryesore në këto përfitime, e kishte personi i afërt me të, Rade Steviq, i cili me tri firmat e tij, i fitonte të gjithë tenderët.
“Ngjashëm, e njëjta skemë ishte zhvilluar në Serbi por me vetëdije dhe me qëllim të luftës kundër rendit juridik kushtetues të Republikës së Kosovës. Për të ngjallur frikën dhe krijuar varësinë e popullatës civile serbe në veriun e Kosovës, Milan Radoićić i duhej edhe përkrahje tjetër ekonomike dhe politike nga zyrtarët serb me qëllim të krjimit të varësisë së qytetarëve të nacionalitetit serb dhe menaxhimit të tyre duke përdorur paratë si mjet kushtëzimi, në raste kur paratë nuk kryenin punë atëherë bënin vendosjen e eksplozivëve, përdorimin e dhunës dhe çdo formë tjetër të detyrimit. Kjo formë e financimit bëhej në mënyrë indirekte duke hapur biznese në emër të pandehurit Radule Steviç, kurse pronar faktik I cili vendoste lidhur me afarizmin e biznesit ishte kreu i grupit terrorist Milan Radoićić, ku në fund fare paratë përfundonin tek i pandehuri Milan. Bizneset të cilat ishin hapur në emër të pandehurit Radule Steviçit janë “RAD 028”, “RAD DOO” dhe “RADULE STEVIC B.I””, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.
Në aktakuzë, evidentohet edhe bashkëpunimi i Radoiçiqit me Zvonko Veselinoviq, një tjetër figurë e botës së krimit në pjesën veriore të Kosovës.
“Forma e parë e financimit duke i keqpërdor tenderët e Kosovës që ishin në vlera më të ulëta, ka ndodhur duke marrë kontrata që në aspektin procedural ishin të ligjshme, mirëpo pas marrjes së kontratës, projekti nuk zbatohej apo nuk implementohej fare. Kurse forma e dytë apo më kryesore për nga sasia në vlera marramendëse të parave ishte përmes financimit nga Serbia, ku kjo formë funksiononte në emër të ashtuquajturës "Zyra për Kosovë dhe Metohi””, thuhet më tutje, raporton Nacionale.
Vetëm përgjatë viteve të fundit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ofruar dëshmi se kompanitë e lidhura me Radoiçiqin, kishin përfituar mbi 50 milionë euro nga sistemi paralele serb.
“Gjatë analizimit dhe krahasimit të secilës prej këtyre kontratave, kjo prokurori ka arritur në përfundim se "D.O.O.RAD 028 Zveçan" e regjistruar në sistemin paralel në Serbi, ka të përfituar 192 kontrata (te dy grupet e kontratave) për periudhën kohore 2020 deri me 31.07.2024, ku totali i këtyre kontratave arrin vlerën e rreth 67.5 milion euro apo në dinar serb 7,939,807,482.60. Nga të gjitha kontratat e dhëna, vërtetohet se nuk ka pasur gjasa që të nënshkruhet asnjë kontratë pa qenë të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë të pandehurit Milan Radoićić dhe Radule Steviq. Në grupin e dytë të kontratave, janë dhënë kontrata në emër të financimit të projekteve të ndryshme, sikurse për fidane, pajisje për blegtori dhe bujqësi, ndërtim të shtëpive, etj., që edhe te këto kontrata i kishte marrë “D.O.O. RAD Zveçan 028”, ndërsa vlera e këtyre kontratave është 1,961,601,232.04 apo të konvertuara në euro janë 16,733,754.00 euro”, thuhet në aktakuzë.
Këto para, Radoiçiqi i përdorte për të ngritur barrikada e për të kryer krime të tjera në veri.
“Nga kjo skemë shihet se i pandehuri Milan Radoićić përmes të pandehurit Radule Steviq financohej në forma të ndryshme, duke përfituar paratë kinse në emër të përkrahjes së qytetarëve serb nga Serbia, nga tenderët e financuar nga Kosova për krijimin e kushteve më të mira për qytetarët serb, dhe pastaj gjithë këtë fuqi ekonomike e përdorte I pandehuri Milan Radoićić ndaj qytetarëve të pjesës së veriut të Kosovës, duke vendosur në çdo çështje, duke i detyruar që të kryejnë kontabandim me mallra, të bllokojnë rrugët, të rebelohen, ngrenë barrikada, dhe në kundërvlerë financoheshin për nevojat elementare apo për mbijetesë”, thuhet në aktakuzë.
Vetëm nga viti 2017 deri më 2023, kjo kompani ka pasur qarkullim mbi 23 milionë euro, duke përfituar tenderë të ndryshëm. Madje, në shumë raste duke bërë dallavere edhe me fondet e BE-së.
“Përveç kësaj, prokuroria ka gjetur se tenderët e fituar përmes thesarit të Republikës së Kosovës, atë të Bashkimit Evropian, si dhe nga Thesari i Shteti Serb, shihet në mënyrë të qartë se kjo kompani nuk ka kapacitet as me fuqi punëtore dhe as me makineritë e nevojshme që ti realizoj projektet apo kontratat e fituara sepse struktura e kompanive të regjistruara në emër të pandehurit Radule Steviq ishte aq e vogël sa që ishte e pamundur të kryente projektet të cilat i fitonte përmes tenderëve të kurdisur. Sa i përket structures së bizneseve, rezulton se kompanitë e Steviq kishin të punësuar mesatarisht 9-10 punëtorë në kompaninë Rad D.O.O. dhe mesatarisht 10-13 punëtor në kompaninë “Radule Stevic B.I.”, kurse të njëjtit punëtor janë të deklaruar në dy bizneset, konkretisht për disa muaj janë të deklaruar në njërën kompani, kurse në muajt tjerë vijues janë deklaruar në kompaninë tjetër dhe anasjelltas”, thuhet në aktakuzë.
Dallaveri më i madh ishte se në shumicën e tenderëve që i paguanin qeveritë e Kosovës, punët nuk kryheshin kurrë. E për të njëjtat obligime, qeveria e Serbisë jepte fonde të tjera. Pra, paguante për tenderët e njëjtë.
“Përveç disa prej tenderëve të paraqitur më lartë, i pandehuri Radule Steviq kishte përfituar tender nga sistemi paralel serb për projektet të cilat ishin paguar nga buxheti I Republikës së Kosovës. Operatori ekonomik “P.P. S - MONT " dhe “P.P. EU RR GRADNJA'' kishin përfituar tenderë nga Republika e Kosovës, kurse me përshkrim kishte marrë kontratat i pandehuri Radule Steviq, ku janë gjetur edhe 5 kontrata që janë te dyfishta, të cilat në Komunën e Zubin Putokut janë përfituar 4 kontrata dhe 1 në Komunën e Zveçanit, vlera e tyre në sistemin parallel serb është rreth 953,958.39€ apo në dinar serb 112,230,398.970, ndërsa vlera e kontratave të cilat ishin përfunduar më herët është nga buxheti i Republikës së Kosovës është 1,705,461.78€”, thuhet në aktakuzë.
TË GJITHA DETAJET E AKTAKUZËS MUND T’I LEXONI KËTU