Miftaraj: Grupi i Banjskës u financua indirekt nga qeveritë e Serbisë dhe të Kosovës përmes tenderëve
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka lavdëruar punën e Prokurorisë Speciale me ngritjen e aktakuzës për sulmin në Banjskë, duke thënë se është një ndër aktakuzat më të mira viteve të fundit.
Ai ka thënë se grupi i Banjskës u financua indirekt nga Qeveria e Serbisë, por disa shuma të vogla janë dhënë edhe nga Kosova përmes tenderëv që fitonte kompania e Millan Radoiçiqit.
“Nëse e lexojmë aktakuzën si tërësi, e shohim se veprimet që janë ndërmarrë në veri, e shohim se të gjitha këto veprime që janë marrë nga Radoiçiqi dhe 44 e tjerët të akuzuar, i kanë bërë kryesisht me mbështetje dhe financim indirekt nga ana e Qeverisë së Serbisë por edhe nga një shumë më e vogël që janë dhënë edhe nga institucionet e Kosovës”.
“Nëse e shohim aktakuzën, kanë qenë dy burime të financimit. Burimi i financimit të mjeteve nga buxheti i Serbisë, kryesisht që janë dhënë për tenderë për ta rregulluar infrastrukturën në pjesën veriore, që shkon me dhjetëra-miliona euro, por edhe tenderë që janë dhënë nga Qeveria e Kosovës apo komunat në veri që janë në një vlerë shumë, shumë më të vogël.” – ka thënë ai në Klan Kosova.