Më në fund: Më 16 dhjetor nis rigjykimi në rastin “Veteranët” - NACIONALE

Më në fund: Më 16 dhjetor nis rigjykimi në rastin “Veteranët”

1 vit më parë

nga Besian Beha

12 të akuzuarit si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Veteranëve, do të dalin sërish para drejtësisë. Disa muaj pas kthimit të rastit në rigjykim, seanca e parë do të mbahet me datën 16 dhjetor. Kjo në rastin tejët e famshëm në Kosovë, që njihet si “Veteranët”

Lajmin e ka konfirmuar për gazetën Nacionale, zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me rastin e të akuzuartit A.Ç etj, gjyqtari i çështjes seancën e shqyrtimit gjyqësor e ka caktuar me datë 16 dhjetor 2022 në ora 10.00”, thuhet në përgjigjen e Gashit për Nacionalen.

Në këtë rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Ata ishin shpallur të pafajshëm në fillimin e muajit janar të vitit 2022, kurse në muajin prill rasti ishte kthyer në rigjykim.

Sadik Halitjaha, njëri nga të akuzuarit në këtë rast, ka vlerësuar se prapa këtij procesi ka edhe tendenca politike Ai ka thënë për Nacionalen se ftesën e Gjykatës për të, e kishin marrë disa komshinj të tij, që sipas Halitjahës tregon seriozitetin e institucioneve.

“Prap është kthyer kjo një rigjykim, ka qenë serb në krye të panelit e ka rikthyer lëndën. Më ka ardhur ftesa para dy dite e kishin marrë ftesën e kojshive. Më datë 16 dhjetor seanca e parë”, ka thënë Halitjaha në një intervistë për gazetën Nacionale.

Sipas tij, Prokuroria e as Gjykata, nuk kanë arritur ta gjejnë asnjë provë që i fajëson ish-udhëheqësit e Komisionit Qeveritar.

“Të gjeturat kanë qenë 0, a shumë interesant që 19 mijë e 500 i kanë ndarë si joveteranë. E në atë pjesën ka pasur komandant kompanie, të plagosur pa këmbë, dëshmorë. Interesant ka qenë ajo pa kurrfarë verifikimi. Edhe tash kthimi për të dytën herë, po i kushton edhe shtetit, e ka qëllimin politik prapa, që derisa janë ata në Hagë, e këtu nuk merren vesh për veriun e marëveshjen me Serbinë, neve me na mbajt lidhur, të mshelur luanjtë, liria e leprave”, ka deklaruar Halitjaha për Nacionalen.

Sipas Sadik Halitjahës, ka ende persona që kanë mbetur pa u bërë veteranë. Ai deklaron se në luftë kanë qenë rreth 37 mijë veteran.

“Ndërhyrjet janë politike, pasi Komisioni kemi qenë nën udhëheqjen e kryeministrit. Kanë ardhur kanë mbajtur mbledhje me neve bashkë. Nashta dikujt i ka shkuar në favor për vota, por as se kam llogaritur atë punë. Akoma edhe 170-180 njerëz kanë dashur të bëhen veteranë. Vec kur është filluar me gjykata për krime të rënda, edhe aty na mbajtën 3 vjet deri në 4 me seanca. Akuza ka qenë për tejkalim detyre, dhe dyshime për numrin e veteranëve. Janë hulumtuar veteranët, kanë lyp me gjet veteran të rrejshëm që është shumë poshtërsi, asnjë nuk është gjetur përveç një që e ka bërë kopje dokumentin”, ka deklaruar Sadik Halitjaha për gazetën Nacionale.

Gjyqtar i këtij rasti është caktuar Gazmend Bahtiri.

Saga gjyqësore për veteranët

Me datë 19 janar të vitit 2021, 12 të akuzuarit në rastin “Veteranët” të akuzuar për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” u shpallën të pafajshëm.

12 të akuzuarit u patën liruar nga akuza pasi që Gjykata nuk pati gjetur prova se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Pas më shumë se një viti shqyrtim nga shkalla e dytë, kjo e fundit me datë 28 prill 2022, kishte vendosur ta rikthejë rastin në rikgjykim. E gjitha kjo sipas apelit, sepse në Themelore, pati shkelje procedurale dhe shtrembërim të gjendjes faktike në terrën.

Gjykata e Apelit në vendimin e saj ka vlerësuar këto dy shkelje.

Shkelja kryesore në vendimin e Apelit, kishte të bënte me faktin se gjykata në shkallën e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktet thelbësore, që kanë të bëjnë me miratimin e listave.

“Komisioni ka miratuar listat përfundimtare me datë, 17.05.2016 sipas raportit nr. 1737 ku edhe i ka rekomanduar ato lista në Qeveri, rrjedhë se miratimi i listave ndërlidhet me ligjin e veçantë nr.261, në këtë kuptim Gjykata e Apelit ka gjetur se shkalla e parë ka vërtetuar në mënyrë të gabuar faktin më thelbësor që ka të bëjë me miratimin e listave nga komisioni, në këtë çështje penale kur mbështetet në normat ligjore sipas së cilave të akuzuarit në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë vepruar dhe se kanë qenë dy ligje në fuqi kur kanë vepruar”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit tutje thekson se duke vërejtur se si fakt vendimtar në aktgjykim është pretenduar nga prokuroria se bëhet fjalë për 19 mijë e 500 aplikacione të cilat ndërlidhen me kategorizimin e këtyre aplikuesve, nga shkresat e lëndës rrjedhë se këto aplikacione nuk janë administruar si provë, por janë administruar listat si tërësi në numër prej 19 mijë e 500.

Kujtojmë se rasti “Veteranët” është një ndër rastet më sfiduese për drejtësinë në Kosovë.

Kjo edhe për shkak të ndjeshmërisë së temës por edhe historikut të saj, me prokurorin Elez Blakaj, përplasjen e tij me ish-kryeministrin Haradinaj e pastaj përfshirja edhe e vet Kurtit në këtë çështje.

Lajme të ngjashme