Kuvendi e miratoi në lexim të parë - Çka është ligji të cilin do ta ketë veç Kosova në rajon?
Kuvendi miratoi Projektligjin për Sanksionet e Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut.
Pas paraqitjes së ekspozesë nga ministrja Haxhiu, për Projektligjin për Sanksionet e Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut, Kuvendi e miratoi në lexim të parë këtë Projektligj.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu tha se, përmes këtij Projektligji, Republika jonë rreshtohet krahas vendeve të tjera demokratike që tashmë kanë përqafuar parimet ‘Magnitsky’.
“Projektligji ka gjithsej 25 nene të ndara në 9 kapituj” ka thënë Haxhiu para deputetëve.
E që Kosova do të jetë vendi i vetëm në rajon, e ndër të rrallët në botë, e pati thënë kohë më parë edhe kryeministri Kurti: “Kosova do të jetë i vetmi vend në rajon që do ta ketë këtë ligj” deklaronte Kurti, në mbledhjen e Qeverisë, kur u propozua ky projektligj, në korrik të këtij viti.
Gazeta Nacionale pati publikuar më 23 korrik, 2022, një artikull me detaje të përmbajtjes dhe historikut të këtij Projektligji, të cilin po e rikthejmë, meqë u miratua në Kuvend.
Çfarë parasheh ky ligj kaq i rëndësishëm?
Projektligji për Sanksionet e Shenjëstruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut, përcakton kriteret dhe procedurën për vendosjen dhe heqjen e sanksioneve të shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, kryesve të huaj të veprave të rënda të korrupsionitdhe ka për qëllim mbështetjen e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Kjo pasi një ligj të tillë e kanë miratuar vetëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Autralia, Kanada, Bashkimi Europian, Estonia, Britania e Madhe, Lituania, Latvia, Gjibraltari dhe tash mbase do ta ketë edhe Kosova.

Cili është qëllimi?
Ky ligj përcakton kriteret dhe procedurën për vendosjen dhe heqjen e sanksioneve tё shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave tё njeriut, përfshirë veprave të rënda të korrupsionit me qëllim të mbështetjes së demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.
Ky ligj zbatohet ndaj të huajve të cilët janë përgjegjës ose ndihmojnë në kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut përfshirë veprave të rënda të korrupsionit, i njëjti zbatohet edhe ndaj anëtarëve të familjes dhe personave që asocohen me personat që konsiderohen shkelës.
Ministria përkatëse e punëve të jashtme identifikon personat “shkelës të të drejtave të njeriut” dhe i propozon Qeverisë vendosjen e sanksioneve të shënjestruara ndaj tyre.
Pra, nëse miratohet një ligj i tillë, Qeveria e Kosovës i ka në duar disa sanksione të cilat mund t’i vendosë për personat e huaj, që nuk kanë shtetësi të Republikës së Kosovës, e të cilët evidentohen nga Ministria e Punëve të Jashtme, si shkelës të të drejtave të njeriut.
Jeton Hasani, hulumtues i lartë në IKD, ka thënë për Nacionalen se me miratimin e këtij ligji, Kosova rreshtohet krah Amerikës.
“Me këtë Projektligj Kosova i bashkohet vendeve në rritje e sipër të botës perëndimore të për të miratuar legjislacion të tillë i cili mundëson shqiptimin e sanksioneve të caktuara ndaj personave të huaj të cilët shkelin të drejtat e njeriut apo përfshihen në korrupsion, por që nuk ndëshkohen në shtetin prej nga janë.
Një nismë e tillë është pozitive duke qenë se shprehë gatishmërinë e Kosovës që tani edhe me ligj adekuat të rreshtohet krahas partnerëve si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian”, ka thënë Hasani.
Hasani shprehet optimist edhe sa i përket zbatueshmërisë së këtij ligji, por që efektet sipas tij në Kosovë janë të limituara.
“Por se cilat do të jenë efektet praktike të këtij Ligji është e vështirë të thuhet. Kjo për faktin që e gjitha do të varet nga ajo se sa ata persona të shënjestruar janë të interesuar të hyjnë në Kosovë dhe a kanë pasuri në vendin tonë”, shtoi Hasani.
“Përderisa legjislacioni i tillë në shtete të fuqishme mund të ketë ndikim të madh, në vendet e vogla si Kosova efektet e tij janë më të limituara. Në anën tjetër, vlerësojmë që Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të zbatojë ligjin e tillë, pasi edhe sanksionet që mund të shqiptohen nuk janë të shumta në numër dhe as aq komplekse”
“Por, siç u tha, efektet praktike të Ligjit do të varen nga fakti i lidhshmërisë së personave të sanksionuar me vendin tonë. Projektligji arsyeshëm respekton standardet ndërkombëtare dhe Kushtetutën e vendit, ndërkaq konsultimet publike nga ana e Ministrisë së Drejtësisë kanë qenë adekuate”, përfundoi Jeton Hasani nga IKD.
ShBA ishte e para e cila e miratoi këtë ligj
Akti Magnitsky, i njohur zyrtarisht si Akti i Përgjegjshmërisë për Shfuqizimin e Rusisë dhe Moldavisë Jackson-Vanik dhe Sergei Magnitsky për Sundimin e Ligjit, i vitit 2012, është një projekt-ligj dypartiak i cili gjeti mbështetjen edhe të Demokratëve edhe Republikanëve, i miratuar nga Kongresi i ShBA-së dhe i nënshkruar në ligj nga Presidenti Barack Obama në dhjetor 2012. Ky ligj synon të ndëshkojë zyrtarët rusë përgjegjës për vdekjen e avokatit rus të taksave Sergei Magnitsky në një burg në Moskë në vitin 2009. Ky ligj, u zgjërua në vitin 2016 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë emrin Akti Global Magnitsky .
Ligji autorizon qeverinë amerikane të sanksionojë zyrtarët qeveritarë të huaj në mbarë botën që konsiderohen si shkelës të të drejtave të njeriut, të ngrijë asetet e tyre dhe t'i ndalojë ata të hyjnë në ShBA.
Edhe Bashkimi Evropian në vitin 2020 miratoi në Parlament ligjin për ndalesa udhëtimi, ngrirjen e fondeve e sanksione të tjera për ata që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, pra i njohur si “Akti Magnitski”.
Historiku i këtij ligji
Në vitin 2009, avokati rus i taksave Sergei Magnitsky vdiq në një burg në Moskë pasi hetoi një mashtrim prej 230 milionë dollarësh që përfshinte zyrtarët rusë të taksave. Magnitsky u akuzua për kryerjen e mashtrimit nga zyrtarët rusë dhe u arrestua. Ndërsa ishte në burg, Magnitsky u sëmurë keq, dhe nuk iu dha trajtim mjekësor për muaj të tërë.
Pas gati një viti prapa grilave, ai u rrah për vdekje ndërsa ishte në paraburgim.
“Faji” i Magnitsky-t pra ishte se alarmoi autoritetet ruse se një grup i organizuar kriminal, në të cilin kishte të përfshirë zyrtarë të lartë rusë, kishin përvetësuar rreth 200 milionë euro.
Miku i Magnitskit, Bill Broëder, një biznesmen i njohur me origjinë amerikane që punonte në Rusi, e publikoi rastin dhe loboi te zyrtarët amerikanë që të miratonin legjislacionin që sanksiononte individët rusë të përfshirë në korrupsion.
Broëder ia çoi çështjen senatorëve Benjamin Cardin dhe John McCain, të cilët vazhduan të propozonin legjislacionin.
Në qershor 2012, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për Punët e Jashtme i raportoi Dhomës një projekt-ligj të quajtur Akti i Përgjegjshmërisë për Sundimin e Ligjit Sergei Magnitsky i 2012.
Qëllimi kryesor i ligjit ishte ndëshkimi i zyrtarëve rusë, të cilët mendohej se ishin përgjegjës për vdekjen e Sergei Magnitsky, duke ndaluar hyrjen e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimin e sistemit të saj bankar.
Administrata e Obamës e luftoi projektligjin derisa Kongresi sinjalizoi se nuk do të shfuqizonin një ligj tjetër që ishte me rëndësi për administratën Obama, nëe nuk do të kalonte Akti Magnitsky.

Në nëntor 2012, dispozitat e projekt-ligjit Magnitsky iu bashkëngjitën një projektligji të Dhomës që normalizonte tregtinë me Rusinë dhe Moldavinë.
Më 6 dhjetor 2012, Senati i SHBA miratoi versionin e Dhomës së Përfaqësuesve të ligjit. Ligji u nënshkrua nga Presidenti Barack Obama më 14 dhjetor 2012.


