Kushtet e rënda të punës: Si ishte dënuar Instituti i Mjekësisë Ligjore me 3 mijë euro gjobë nga Inspektorati
Kushtet dhe gjendja në Institutin e Mjekësisë Ligjore janë kthyer në temë kryesore kohëve të fundit. Kjo sidomos pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit nga Laboratori i Toksikologjisë. Megjithatë, kushtet e punës në IML kanë qenë subjekt shqetësimi për punëtorët edhe herave të tjera.
Madje, gazeta Nacionale ka siguruar një vendim të dhjetorit 2022, ku Inspektorati e kishte dënuar IML-në me 3 mijë euro për shkak të cenimit të Ligjit për Sigurinë në Punë. Ky inspektim ishte kryer pas kërkesës së Sindikatës së Punëtorëve, lidhur me vërejtjet për kushtet e punës.
Në vendimin që e ka siguruar Nacionale nga sinjalizuesit brenda institucioneve, shihet se Instituti i Mjekësisë Ligjore është dënuar për shkak të cenimit të Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.
“Me rastin e inspektimit në Institutit të Mjekësisë Ligjore te Subjekti juridik, me adrese: kamousi Universitar i Mjekësisë. Për cënimin e dispozitës së nenit nenit 16 paragrafi 1. të Ligjit Nr. 04/L161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, e sanksionuar me dispozitën e nenit 25 të Ligjit Nr. 04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, i shqiptohet gjoba në lartësi prej tremijë euro (3,000.00) €. Bazuar në pikën 1, dhe 2, të këtij vendimi gjithsej shqiptohet gjoba në lartësi prej tremijë euro (3,000.00 €) e cila duhet të paguhet në afat prej tetë (8) ditëve, nga, nga dita e pranimit të këtij Vendimi”, thuhet në vendimin që ka datën 23 dhjetor 2022. Pra, disa vendimi ka ardhur disa ditë pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
Ankesën për kushtet e punës e kishte bërë Sindikata e Punëtorëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Ankesa ishte bërë më 25.08.2021. Edhe inspektimi ishte kryer në vitin 2021, e vendimi erdhi në 2022.
“Me theks të veqant Hapsirat për egzaminime Mjeko-Ligjore (sallat e Autopsisë, Salla e Antropologjisë, Salla e Egzaminimit Klinik, Laburatori I Toksikologjisë, Laboratori Histopatologjisë, Hapsira për Radiologji), të konstatohet niveli i Kontaminimit Biologjik, Kimik dhe Radiologjik të hapsirave ku punohe gjat procesit të kryerjeve të egzaminimeve. Të konstatohet kontaminimi për paisjet transportuese (veturat për bartjen e kufomave) nga vendi i ngjarjes posaqerisht të trupave të vdekurdhe të dekompozuar etj. Bazuar në punen me stress dhe ngarkesa psikologjike me rastet e rastet e ndjeshme që ballafaqohemi vazhdimisht. Po ashtu kërkojmë që të vlersohen kushtet të tjera në IML-se, a janë konform ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë”, thuhej në kërkesën e Sindikatës për inspektim.
Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe drejtoresha Flutura Goga, kishin dorëzuar në Inspektoratin e Punës përgjigjet e tyre lidhur me këtë ankesë. Kishin treguar për investimet që janë bërë në përmirësimin e kushteve të punës. E në njërën nga pikat, e kishin kritikuar edhe Sindikatën si palë ankuese.
“Ajo që fatkeqësisht lë për të dëshiruar është përkushtimi i stafit për të zbatuar procedurat e brendshme të sigurisë dhe për të avansuar mënyrën e punës. Kurse sa i përket sindikatës së punëtorëve, ata e kanë tërësisht të paqartë funksionin që e kanë. Pikërisht Kryesuesi i Sindikatës është i dënuar nga Komisioni Disiplinor për shkak se nuk i kryen detyrat e tij në vendin e tij të punës për më shumë se dy vite (fare nuk hyn në laborator për të punuar analiza)”, thuhej në përgjigjen e IML-në në këtë ankesë.
Megjithatë, përgjigjet e tyre nuk u morën parasysh, pasi Inspektorati vendosi ta shqiptojë gjobën prej 3 mijë eurosh.
Drejtoresha pa licencë
Gazeta Nacionale kishte raportuar ditë më parë se Flutura Goga, drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë nga ku janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit, kishte punuar pa licencë.
Për gati 15 vjet, Flutura Goga-Bajrami është në krye të laboratorit të Toksikologjisë në kuadër të Institutit të Mjekësië Ligjore. Goga-Bajrami që ishte një nga të suspenduarat lidhur me zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, gjatë gjithë kësaj kohe po del se ka kryer punë të cilat nuk i janë lejuar sipas Ligjit për Shëndetësi.
Kjo është gjetur nga një raport të cilin e ka bërë Inspektorati Shëndetësor që funksionon në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë. Raporti që mban datën e 13 janarit 2023, ka gjetur se Flutura Goga-Bajrami përgjatë kohës që ka punuar në këtë laborator, ka përpunuar gjak e urinës të personave të gjallë.
Inspektorati Shëndetësor ka gjetur se përpunimi i gjakut dhe urinës konsiderohet shërbim shëndetësor, e që sipas Ligjit për Shëndetësi kërkohet licencë. Në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar ekskluzivisht gazeta Nacionale, thuhet se Goga-Bajrami nuk ka poseduar licencë për kryerjen e këtyre punëve.
“Është konstatuar se Znj Flutra Goga -Bajrami ishte e punësuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore gjegjësisht në Labaratorin e Toksikologjisë si udhëheqëse ku edhe përpunonte analizat toksikologjike për kufoma, por në raste të veçanta edhe persona të gjallë (viktimat të dhunës fizike dhe seksuale) përpunonte gjak dhe urine”, thuhet në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor.
“Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licensës’”, thuhet më tutje në këtë raport të Inspektoratit Shëndetësor të cilin e ka siguruar Nacionale.
Të suspenduarit për zhdukjen e mostrave të Deharit, ishin kthyer në punë nga Komisioni i Ankesave.

