Kush është Halim Berisha, ish-ushtari i UÇK-së në Llap që dëshmoi kundër Calit dhe ndaj krerëve të UÇK-së?
Halim Berisha, ish-pjesëtar i UÇK-së në zonën e Llapit, është dëshmitari i 87-të në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Berisha në fillim ishte intervistuar si i dyshuar nga Prokuroria e Specializuar në Hagë, e më pas në cilësinë e dëshmitarit.
Halim Berisha kishte dëshmuar edhe në procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës. I njëjti pretendon se një viktimë e dorëzoi në Zllash te Mustafa, dhe i njëjti person më pas u gjet i vrarë.
“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 86-të të Prokurorisë W01129, sot nisi dëshmia e dëshmitarit të ri të ZPS-së, Halim Berisha. Sipas Prokurorisë, në prill të vitit 1999, Berisha kishte shoqëruar një person në kompleksin Zllash në Kosovë dhe më vonë kishte mësuar për vdekjen e këtij personi. Kjo dëshmi po bëhet përmes videolidhjes ndërsa dëshmitari ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar”, thuhet në njoftimin e ZPS-së.
Berisha ishte përmendur nga Dritan Goxhaj në një letër të gjatë, ku drejtonte akuza për dëshmitarët në rastin e Calit.