Kush është dhe për çka akuzohej Zlatan Arsiq, serbi që u lirua nga akuzat për krime lufte në Kosovë? - NACIONALE

Kush është dhe për çka akuzohej Zlatan Arsiq, serbi që u lirua nga akuzat për krime lufte në Kosovë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zlatan Arsiq është liruar nga akuzat për krime lufte në Kosovë.

Vendimi është shpallur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selmanaj.

“Gjykata pas përfundimit të këtij shqyrtimi gjyqësor dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitareve, prokuroria përsëri s’ka arritur ta argumentoi faktin se i akuzuari Arsiq ishte pjesëtar i policisë serbe, nuk ka arritur ta provoj se ishte ai që ka maltretuar B.M apo se i njëjti ishte personi që ia ka djegur shtëpinë”, ka thënë gjykatësja Musliu Selmanaj.

Aktakuza kundër tij është ngritur në korrik të vitit 2023.

Ai po akuzohet për krime lufte në zonën e Kamenicës.

Ai është pjesë e Departamentit Kufitar të Policisë së Kosovës, aktualisht në suspendim me pagesë.Para se të arrestohej për krime lufte në mars të vitit 2023, ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga hetuesit e Inspektoratit Policor nën dyshimet për lejim të kontrabandës në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës.

Që nga ajo kohë Arsiq është i suspenduar nga detyra e tij.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës e ngritur më 28 korrik 2023, ngarkon Zlatan Arsiqin se në mars të 1999-ës para bombardimeve të NATO-s, në Stacionin Policor në Kamenicë, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë serbe, me uniformë të asaj policie e i armatosur, e kishte ndaluar në Kamenicë të dëmtuarin B.M, me veturë të policies, duke iu drejtuar me fjalët “Gde si UÇK’, “Ku po i dërgon këto cigare”, “UÇK-së po ja dërgon”, “tash të tregoj se për kënd i ke blerë cigaret”.

Më pas, thuhet se të dëmtuarin e kanë rrahur me shufër gome, shkelma dhe grushte, duke e torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar dhe shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe duke e kanosur seriozisht për jetë. E kur i dëmtuari disa ditë pas maltretimit ishte kthyer në shtëpinë nga ku ishte dëbuar dhe e cila i ishte djegur, në oborr i akuzuari e kishte goditur me shuplakë dhe ia kishte vendosur tytën e automatikut në fyt, duke e kërcënuar me vrasje, e më pas policia serbe e kishte liruar atë dhe familjen e tij.

Arsiq akuzohet se gjatë luftës në Kosovë, bashkë me pjesëtarë (tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare), ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës me rrethinë, pastaj kanë plaçkur shtëpië dhe me qëllim të dëmtimit të pronës së shqiptarëve ua kanë vënë zjarrin, po morën pjesë në keqtrajtimin e civilëve shqiptarë.

Palët mund të ankohen ndaj këtij vendimi, dhe i akuzuari tash është i lirë.

Lajme të ngjashme