Kush është amerikanja Kimberly West, që u zgjodh Kryeprokurore e Gjykatës Speciale
Gjykata Speciale tashmë e ka Kryeprokuroren e re. Ajo që do ta zëvendësoi të famshmin Jack Smith, është Kimberly Ëest, e cila dikur ishte prokurore federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Siç ka njoftuar Gjykata Speciale, Ëest është përzgjedhur prokurore në Prokurorinë e Specializuar, pas largimit të amerikanit tjetër, Jack Smith, që drejtoi për disa vite këtë institucion.
“Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues.” – citohet të ketë thënë ajo pas përzgjedhjes.
“Pres me kënaqësi të marr detyrën në ZPS dhe ta çoj përpara punën e saj.” – vazhdon citimi në ZPS.
Kështu West bëhet Kryeprokurorja e tretë e Speciales, e cila do të jetë në krye të organit të akuzës, për ish liderët e UÇK-së.
Kush është Prokurorja West?
Kimbërli Uest (Kimberly Ëest), e cila ka qenë më parë prokurore federale e SHBA-së me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar, është përzgjedhur Prokurore e Specializuar pas një procedure të organizuar nga Bashkimi Evropian.
Znj. Uest vjen në ZPS nga Firma Ligjore Eshkroft (Ashcroft Laë Firm) në Boston, Masaçusets (Massachusetts), ku është partnere që nga viti 2019 dhe është përqendruar kryesisht në mbrojtje të çështjeve penale të lidhura me krimin ekonomik.
Para se të merrte detyrën në këtë firmë, znj. Uest punoi si prokurore për më shumë se dy dekada në role në nivel vendor, federal dhe ndërkombëtar.
Znj. Uest ishte gjithashtu Shefe e Byrosë së Krimeve në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusetsit në periudhën nga viti 2015 deri në 2019. Në këtë rol, ajo mbikëqyrte një ekip prej 120 profesionistësh të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të një game të gjerë veprash penale në fushën e mashtrimeve financiare, korrupsionit publik, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe trafikimit të qenieve njerëzore; në mbrojtjen e të dënuarve në fazën e apelit; dhe në ndihmën për viktimat dhe dëshmitarët.
Znj. Uest mori detyrën në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pasi erdhi nga Zyra e Prokurorit Federal të SHBA-së, Distrikti i Masaçusetsit, ku ajo shërbeu si Ndihmës-prokurore Federale e SHBA-së në Njësinë për Mashtrimet në Kujdesin Shëndetësor për dy vjet dhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare për gjashtë vjet. Znj. Uest mori detyrën në Njësinë e Sigurisë Kombëtare pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit.
Për pesë vjet, në periudhën nga viti 2008 deri në 2013, znj. Uest shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ajo ishte pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiqin për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në çështjen gjyqësore Përliq et al që u përqendrua në krimet e kryera në Mostar dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër.
Znj. Uest ka gradën Juris Doctor (Doktor në Drejtësi) nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Safolkut, Masaçusets, dhe u bë anëtare e Dhomës së Avokatëve në Masaçusets. Ajo ka gjithashtu gradë universitare bachelor nga Kolegji i Bostonit, Masaçusets.
Znj. Uest bëhet Prokurorja e Specializuar e tretë, pas Xhek Smithit, i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar në periudhën nga viti 2018 deri në 2022, dhe Dejvid Shvendimanit (David Schëendiman), i cili shërbeu nga viti 2016 deri në 2018. Aleks Uajting (Alex Ëhiting) i cili ka shërbyer si Ushtrues i Detyrës së Prokurorit të Specializuar që nga nëntori 2022, do të vazhdojë në këtë rol deri sa znj. Uest të marrë detyrën e saj.
Si dha dorëheqje Jack Smith?
Më 18 nëntor të vitit 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit lëshoi një komunikatë për media. Aty kishin përcaktuar emrin e personit që do ta mbikëqyrte hetimin lidhur me mbajtjen e dokumenteve të kalsifikuara nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.
E emri që do ta hetonte Trumpi, ishte personi që në atë kohë po hetonte udhëheqësit e luftës në Kosovë. Jack Smith, Kryeprokuror i Gjykatës Speciale me seli në Hagë.
Ai e la pozitën e Kryeprokurorit pak kohë para se të fillojë gjykimi të cilin Smith e cilësonte si rastin më të rëndësishëm. Ai i Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
“Prokurori i posaçëm, Smith ka dhënë dorëheqjen si kryeprokuror i gjykatës speciale në Hagë, i ngarkuar me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë” – thuhej në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Tashmë Jack Smith, ka nisur edhe zyrtarisht punën e tij për të mbikëqyrur hetimet në rastin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Jack Smithit i ishte vazhduar mandati në maj të këtij viti, duke u bërë Kryeprokurori i parë që e merrte mandatin e dytë. Por që edhe ky, nuk arriti ta dërgojë deri në fund këtë mandat.
Pak ditë pas largimit të Smith nga pozita e Kryeprokurorit, në vendin e tij u emërua si ushtrues detyres Alex Ëhiting. Ky i fundit nuk dihet se deri kur do ta mbajë këtë pozitë, megjithatë ajo që dihet është se barrën kryesore të hetimeve do ta ketë pikërisht Ëhiting që deri më tash ishte shef i hetimeve.