Përmenden politika e diplomacia: Detaje nga konkursi për kryeprokurorin e ri të Gjykatës Speciale
23 janari është afati i fundit që shtetet e Bashkimit Evropian, ose shtetet e treta, të japin propozimet e tyre për Kryeprokurorin e ri të Gjykatës Speciale me seli në Hagë. E cilido shtet që synon të udhëheqë me këtë institucion të rëndësishëm, duhet të kujdeset që emri i propozuar të jetë adekuat. Por cilat janë kushtet e detyrat që duhet t’i plotësojë Kryeprokurori i ri? Nacionale sjell detaje.
Kandidatët që duan të bëhen udhëheqës të Prokurorisë së Specializuar në Hagë, e të hetojnë ish-krerët e UÇK-së, duhet të kenë nënshtetësi nga vendet e BE-së ose shtetet kontribuuese në Gjykatën Speciale.
Ky është një nga kushtet kryesore që është në konkursin e shpallur në lidhje me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale. Nacionale ka parë detajet e konkursit, ku përcaktohen detyrat, kriteret dhe përgjegjësitë që duhet të përmbushë kushdo që do të jetë pasues i Jack Smith.
Raportet me nivelin politik e diplomatik!
Në mesin e detyrave e përgjegjësive që kërkohen në këtë konkurs, përmendet edhe ruajtja e komunikimit me nivelin e lartë politik e diplomatik. Një gjë e tillë ishte kritikuar vazhdimisht nga shoqëria civile, pasi drejtësia funksionon si e pavarur nga pjesa politike.
“Të mbikëqyrë, mbajë dhe menaxhojë të gjitha marrëdhëniet e nivelit të lartë me palët e jashtme, të kryejë angazhimet dhe korrespondencat e nivelit të lartë politik dhe diplomatik, mbikëqyr të gjitha format e komunikimit, informimin publik/shtypi dhe trajtimi dhe shtrirja e mediave”, thuhet në një pikë të konkursit, raporton Nacionale.
Në mesin e detyrave të tjera, është edhe mbikëqyrja e plotë e të gjitha detajeve që dalin nga puna e Prokurorisë së Specializuar, lidhur me hetimet për krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Të jetë përgjegjës për të gjitha aspektet e punës së Prokurorisë së Specializuar (PSP), për mbështetjen e tij, dhe për përmbushjen e të gjitha detyrimeve ligjore dhe të tjera, duke përfshirë të drejtat e njeriut de detyrimet që vlejnë për punën e ZPS-së; Të ofrojë mbikëqyrje dhe drejtim strategjik për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve nën mandatin e Prokurorisë. Të mbikëqyrë dhe të sigurojë drejtimin dhe menaxhimin e përgjithshëm strategjik të të gjitha aktiviteteve të Prokurorisë, duke përfshirë pajtueshmërinë me ligjet në fuqi që rregullojnë detyrat e ZPS-së, BE rregulloret financiare, administrative dhe të sigurisë dhe masat disiplinore ndaj stafit të PSP-së”, thuhet më tutje.
Në mesin e pikave të rëndësishme që përmenden në këtë konkurs, është edhe integriteti. Sipas kërkesës, kandidatët duhet të jenë me vlera të larta, paanshmëri e disiplinë. Përmendet edhe ruajtja e konfidencialitetit.
“Integriteti – Kandidatët duhet të ruajnë standardet më të larta të integritetit personal, paanshmërisë dhe vetëdisiplinë. Kandidati i përzgjedhur nuk lejohet të japë apo diskutojë ndonjë informacion ose dokument si rezultat i qasjes në informacione të klasifikuara dhe/ose të ndjeshme në lidhje me Kosovë, Dhomat e Specializuara ose Prokuroria e Specializuar ose detyrat dhe veprimtaritë përkatëse”, thuhet më tutje.
Të gjithë ata që synojnë këtë pozitë të rëndësishme duhet të bëhen gati! Orari i punës mund të jetë i paparashikueshëm, dhe me ngarkesë. Këtu përmenden edhe detajet si shëndeti fizik e mendor dhe detaje të tjera.
“Shëndeti fizik dhe mendor – Kandidatët duhet të jenë fizikisht të aftë dhe me shëndet të mirë pa asnjë probleme fizike ose mendore ose varësia nga substanca të cilat mund të dëmtojnë performancën operacionale”, thuhet në konkurs.
Procesi i përzgjedhjes
Detyrën për ta emëruar Kryeprokurorin e ri të Speciales e ka shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars Gunnar Ëigermark. Megjithatë, deri atëherë, janë edhe disa procedura.
Në detajet e konkursit që e ka parë gazeta Nacionale thuhet se krijohet një komision, i cili e realizon intervistimin e kandidatëve.
“Procesi i përzgjedhjes – Një panel i pavarur përzgjedhës do të vlerësojë kandidatët kundrejt kualifikimeve të punës dhe përvojës. Kandidatët që konsiderohen si më të përshtatshëm do të përfshihen në listën e ngushtë dhe do të intervistohen në Bruksel ose në objektin e Prokurorisë së Specializuar të Kosovës me vendndodhje në Hagë, ose me video-konferencë, përpara se të bëhet përzgjedhja përfundimtare. Nëse kërkohen kandidat për të udhëtuar në Bruksel ose në ambientet e Prokurorisë së Specializuar të Kosovës për intervista, Shteti përkatës Anëtar i BE-së/Shteti i Tretë Kontribues do të përballojë kostot përkatëse”, thuhet në një pjesë të konkursit.
Detaje të tjera lidhur me proesin e rekrutimit janë edhe arsimimi, përvoja e punës, certifikatat e ndryshme mjekësore dhe detaje të ngjashme. Madje, deri te posedimi i patent shoferit.
Lidhur me përvojën e punës dhe diplomat universitare, janë disa kritere strikte.
“Çdo kandidat i kualifikuar duhet të ketë karakter të lartë moral dhe duhet të ketë nivelin më të lartë të kompetencës dhe përvojës në kryerjen e hetimeve dhe ndjekjeve të rasteve penale. Një minimum prej pesëmbëdhjetë (15) vitesh përvojë profesionale relevante dhe të dëshmuar me kohë të plotë, pasi të ketë plotësuar kërkesat e arsimit”, thuhet aty.
“Së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet përvojë si prokuror, gjyqtar, avokat mbrojtës ose funksione të tjera të ngjashme në procedurë penale; Përvojë të konsiderueshme në kryerjen e hetimeve komplekse me karakter transnacional lidhur me krimet e luftës, krimin e organizuar ose trafikimin e qenieve njerëzore; Njohuri shumë të mira dhe/ose përvojë në të drejtën ndërkombëtare humanitare ose ndërkombëtare e drejta penale;”, bëhet e ditur më tutje.
Në mesin e kritereve, vlerësohet si avantazh njohja e kontekstit politik në Ballkan dhe sidomos në Kosovë.
Deri te konkursi për Kryeprokurorin e ri të Gjykatës Speciale, ka ardhur pas dorëheqjes së prokurorit Jack Smith. Ky i fundit e la Prokurorinë e Specializuar, për t’u marrë me hetimin e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Aktualisht ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar është Alex Whiting.