Numra të krimit: 1 mijë e 992 të mitur të dyshuar nga policia në vitin 2023; 193 për mbajtje të armëve
Vrasja e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu nga dy të dyshuar të mitur ka ri-ngritur (por tash shumë më seriozisht) pikpyetjen, se si po edukohen, shkollohen e në çfarë ambienti po rriten fëmijët.
Shifrat e kriminalitetit te të miturit në Kosovë, janë absolutisht shqetësuese. Përveç rasteve të njohura për publikun, ekzistojnë numra, e që s’janë veç numra por fëmijë përkatësisht të mitur kosovar që janë përfshirë në krim, gjatë vitit 2023.
Gazeta Nacionale ka pyetur Policinë e Kosovës për shifra të sakta, se sa të mitur janë raportuar në polici.
Gjendja është kjo; “Gjatë vitit 2023 nga të gjitha rastet e evidentuara në Policinë e Kosovës, 1992 raste janë me të dyshuar të mitur në moshën e përgjegjësisë penale 14-18 vjeç.” – thuhet në përgjigjen e Policisë.
Nga numri i përgjithshëm dominojnë rastet si : “Lëndim i lehtë trupor gjithsej 438 raste, Aksidente në komunikacion 303 raste dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve 193 raste.”
Pra, 193 të dyshuar për mbajtje ose kontroll të armëve.
Nacionale ka dërguar pyetje edhe për Shërbimin Korrektues të Kosovës, sidomos për të mësuar trendin e të miturve ndër vite që trajtohen aty, por që nuk kemi marë përgjigje.
Kush ishte Lulzimi, jetimi 18-vjeçar të cilit i morën jetën në Llap?
Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin pasi një i ri humbi jetën pas një sulmi brutal nga dy të mitur. Lulzim Fejzullahu, 18 vjeçar, po trajtohej në njësinë e mjekimit intensiv në QKUK pas sulmit brutal. Ai ndërroi jetë gjatë ditës së ndjeshme për shkak të lëndimeve të rënda të shkaktuara nga goditjet e forta në kokë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Lulzimi ishte goditur me veturë dhe më pas është goditur me shkopinj bejsbolli, duke e lënë pa ndjenja.
Lulzimi po trajtohej në njësinë e mjekimit intensiv në QKUK, pasi ishte goditur me një veturë dhe më pas sulmuar me shkopinj bejsbolli në një përleshje fizike me disa të mitur. Përpjekjet e mjekëve t'i shpëtuar jetën e tij nuk patën sukses - ai ndërroi jetë gjatë ditës së ndjeshme.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik lidhur me rastin e dt. 15 janar 2024, në Podujevë, ku pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Gazetarja Besarta Hoti ka zbuluar detaje për personalitetin e Lulzimit, ku familjarë dhe të afërm kanë treguar se si Lulzimi ka qenë një person i qetë dhe aspak problematik.
Ai ishte detyruar të ndërpresë studimet për shkak të kushteve të rënda financiare. Punonte në një biznes gastronomie me një rrogë të vogël.
Pronari i lokalit ku ai kishte punuar e përshkroi Lulzimin si një punëtor të përkushtuar në vendin e punës.
“Ka qenë shembullor, shumë i urtë, asnjë vërejtje asnjëherë. Ka punu që një vjet e gjysmë. Asnjë vërejtje s’e kemi pas”, tha ndër të tjera pronari i lokalit në të cilin punoi Lulzimi.
“Djali ka qenë pa dy prindër, ka qenë punëtor, rasti ka qenë një ditë përpara të shtunën, më 13 është hi qeta me i hjekë flokët, qëtu është një berber ku qethen e rruhen. Edhe janë rrokë për vend, jo ulësh ti para meje jo unë para teje, djali është nis me ardh prej shpie mos me u qeth hiç, edhe janë rrokë me krah në derë kah të dalin, si shqiptarët që e kanë traditë pse po më rrok me krahë, kush je ti çka je ti”, ka thënë Fejzullahu për Nacionalen.
Pas këtij konflikti të çastit, dy personat e tjerë të mitur që u arrestuan për ngjarjen, kanë marrë mjete të forta. Fillimisht e kanë goditur me veturë, e më pas e kanë goditur brutalisht në kokë.
“Djali është nis me ardh prej shtëpie, ata e kanë përcjellë me kerr. Së pari janë shku kanë marrë stupca të bejsbollit, tani e kanë përcjellë qëtu, e kanë zënë te shtëpia aty, e kanë shkelë me kerr. E kur e kanë rrëzu djalin i kanë hi me shipka e qato të bejsbollit në krye, kështu që djali dje në ora 15:20 ka ndërruar jetë. Asnjë shenjë trupit se ka, veç në krye. Kjo është vrasje dy here, një here me kerr tani me stupc. As hak as hile s’iu kam pas, zoti hajr e baftë na ka ndodh, na ka zanë”, ka thënë më tutje xhaxhai i të ndjerit.