Konkursi i dyshimtë: Këshilli Prokurorial i emëron nëpër komisione zyrtarët e dyshuar për dallavere - NACIONALE

Konkursi i dyshimtë: Këshilli Prokurorial i emëron nëpër komisione zyrtarët e dyshuar për dallavere

5 muaj më parë

nga Besian Beha

Një konkurs i Këshillit Prokurorial të Kosovës për zyrtar ligjor nëpër disa prokurori të Kosovës, ka nxitur shumë dyshime. Kjo pasi në Komisionet që janë krijuar nga Sekretariati i KPK-së për të vlerësuar kandidatët, janë emëruar zyrtarë të lartë që janë dyshuar për dallavere nëpër disa konkurse të kaluara. Nacionale sjell detaje.

Pesë zyrtarë ligjorë ë Prokurorinë Themelore të Gjakovës, dy në Prizren dhe një në Prokurorinë e Pejës, pra në total 8 pozita. Ky është konkursi që është shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, rezultatet e testit me shkrim të së cilit tashmë janë bërë publike.

Megjithatë, ata që kanë bërë vlerësimin me shkrim e që pritet ta bëjnë edhe vlerësimin e intervistave me gojë, po del se në të kaluarën kanë qenë të dyshuar për dallavere të mundshme me konkurse.

Gazeta Nacionale ka mësuar se Elida Tabaku është caktuar si kryesuese e Komisionit për zyrtarët ligjorë në Prokurorinë e Gjakovës. Tabaku në prillin e vitit 2022 ishte suspenduar përkohësisht nga pozita e administratores, pasi dyshohej se kishte bërë dallavere me një konkurs për arkivist në Prokurorinë e Gjakovës.

“Po, është suspenduar, duke u pezulluar nga ushtrimi i detyrave të punës dhe ndalim 1/3, të pages për 1 muaj. Bëhet fjalë për konkursin për Arkivist në Prokurorinë Themelore në Gjakovë”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë aso kohe dhënë për Sinjalin.

Megjithatë, kjo nuk është e tëra. A iu kujtohet skandali kur Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, duke tentuar t’i shpërndajë pyetjet e testit, ia kishte përcjellur gazetares së Kallxo.com? Dy nga anëtarët e atij komisioni kishin qenë Xhemajl Qelaj dhe Arben Ademaj.

Edhe këta dy kishin qenë nën hetime nga Këshilli Prokurorial i Kosovës lidhur me faktin se si kishin rrjedhur pyetjet, megjithatë ndaj tyre nuk ishte shqiptuar asnjë masë. Përballjen e tyre me Komisionin Disiplinor e kishte konfirmuar kohë më parë edhe vetë Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Xhemajl Qelaj dhe Arben Ademaj tash janë emëruar kryesues të Komisioneve për zyrtarë ligjorë në Prokuroritë e Pejës e Prizrenit. Këta do të jenë tash në krye të komisionit që do të vlerësojë aplikacionet e kandidatëve për tri pozita të zyrtarëve ligjorë.

Megjithatë, fakti që nëpër komisione janë emëruar zyrtarë të dyshuar për dallavere në të kaluarën, nuk e ka shqetësuar Këshillin Prokurorial të Kosovës. Lidhur me emërimin e Elida Tabakut si kryesuese e komisionit në Gjakovë, KPK-ja ka thënë për Nacionalen se ajo e ka përfunduar masën e dhënë.

Zyrtarja e caktuar kryesuese e komisionit ka nivel drejtues dhe është përgjegjës për stafin administrativ në Prokurorinë Themelore në Gjakovë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, anëtarët duhet të kenë pozita më të larta sesa pozita që rekrutohet. E njëjta ka përfunduar masën e dhënë nga Komisioni Disiplinor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe është caktuar në detyrën përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial për gazetën Nacionale.

Këshilli Prokurorial ka konfirmuar se ndaj dy zyrtarëve të tjerë Xhemajl Qelaj e Arben Ademaj, nuk kanë pasur masa disiplinore lidhur me rastin e Ramiz Buzhalës.

Ndaj zyrtarëve tjerë nuk ka masë disiplinore të shqiptuar. Të njëjtit kanë nivel drejtues dhe janë përgjegjës për stafin e njësive përkatëse dhe në përputhje me legjislacionit në fuqi dhe, siç u tha më lart, anëtarët duhet të kenë pozita më të larta sesa pozita që rekrutohet”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial.

Skandali i Ramiz Buzhalës

Kryeprokurori i Gjakovës, Ramiz Buzhala, ishte degraduar në pozitë pasi ai duke tentuar t’ia dërgojë dikujt pyetjet e testit me shkrim në një konkurs, ia kishte përcjellur gazetares së Kallxo.com

“Ese aktakuza, Prokurori i Shtetit, Gjykata Kushtetuese”, kështu fillonte mesazhi i ish-kryeprokurorit Buzhala.

“Pyetje: vazhdimi i paraburgimit për të mitur, kush e zgjedh drejtorin e njësitit të performancës, dënimet plotësuese, procedurat alternative, dallimi lirim me kusht dhe dënimi me kusht, dallimi në mes të parashkrimit të ndjekjes dhe ekzekutimit të dënimit, qëllimi i masave të diversitetit, dorëzania”, ishte vazhdimi i mesazhit.

Pyetjet ndërlidheshin me konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë, dhe testi mbahej po atë ditë që Buzhala e kishte bërë synim t’ia dërgonte dikujt pyetjet.

Pas publikimit të hulumtimit, Këshilli Prokurorial i Kosovës po atë ditë kishte anuluar konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë.Një ditë më vonë, më saktësisht më 14 korrik, Buzhala ishte suspenduar nga detyra e Kryeprokurorit të Gjakovës.

Në krye të komisionit që do të merrej me vlerësimin e aplikacioneve ishin pikërisht edhe dy zyrtarë që sërish janë emëruar kryesues të komisioneve për zyrtarë ligjorë.

Lajme të ngjashme