Komunikata 59, rasti i Sandokanit e akuza të rënda: Çfarë tha në Hagë vëllai i Gani Gecit?
Fadil Geci, vëllai i Gani Gecit, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës. Ai ka folur për komunikatën e famshme numër 59, për rastin e Abedin Rexhës ‘Sandokani’ e raportet e UÇK-së me LDK-në. Nacionale sjell detaje nga dita e parë e dëshmisë së Fadil Gecit në Hagë.
Dëshmitari i 96-të në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë, ishte anëtari i familjes Geci. Fadili, vëllai i Gani Gecit, u shfaq para Gjykatës Speciale për të dëshmuar lidhur me komunikatën 59, raportet e UÇK-së me LDK-në dhe zhvillime të tjera në kohën e luftës.
Dëshminë e tij, Fadil Geci e nisi me lëvdata për vëllanë e tij, Ganiun. Për këtë të fundit tha se kishte qenë prej të parëve në UÇK, madje menjëherë pas Adem Jasharit.
Por, megjithatë, Fadil Geci e ngatërroi intervistën pasi Prokuroria e kishte pyetur për një deklaratë të Sylejman Selimit, e jo Rexhep Selimit.
“I ka harru Rexha do, që luftëtar para tyre është edhe Gani Geci, e ka lënë anash. Vëllezërit Geci janë një ndër të parët para gjithë këtyre. Edhe te Adem Jashari. Para të gjithë këtyre është Gani Geci, pos Adem Jashari është i pari, tani Gani Geci”, deklaroi Fadil Geci në nisje të dëshmisë, raporton Nacionale.
Akuza të rënda
Nuk kaloi shumë kohë nga dëshmia e Fadil Geci drejtoi akuza të ashpra për një ‘grup’ të cilin e quajti marksist-leninist. Madje, Geci aludoi se pas vrasjes në familjen Jashari, ishte familja Geci e cila ishte shënjestruar për t’u eleminuar.
“Organizimi shtetëror, brenda Kushtetuës, kemi qenë të gjithë unik, 99% të popullit kemi qenë një vend. Dikur mas Jasharëve, ka ardhur një grup prej jashtit, disa prej këtu, dhe na kanë përça popullatën në përgjethsi. Se në Kosovë njëri grup ka qenë për shtet, e tjetri për pushtet. E trupi që ka qenë për shtet jam unë me Rugovën, grupi që ka qenë për pushtet, janë disa këtu, dhe le të na shpjegojnë qysh e çka. Unë jam këtu mu ballafaqu me ta”, tha Fadil Geci.
Sipas tij, ky grup i LPK-së kishte pasur synim pushtetin, e jo shtetin.
“Grupi i parë e ka quajtur Amerikën armik, e na kemi thënë që veç me Amerikën mundemi mu çliru. Janë njerëzit të LPK-së, që kanë ardhur me zanë kreun e UÇK-së. Dihet kah ka ardhë ajo frymë, tentuan me na likuidu familjen tonë, vëllaun tonë, me hjek prej ndikimit në atë terren, me rrena e shpifje. Ata njerëz duhet me ua bo ADN se nuk janë shqiptar”, deklaron më tutje ai.
“Kanë qenë dy grupe, njëri unë nga vota e popullit, dhe grupi tjetër i LPK-së që disa janë këtu sot. Ne u dashtë me bo çka është e mundur me e rujt unitetin brenda popullit. Unë e kam atë përgjegjësi, dhe ato të gjitha të metat që kanë qenë, grupi bolshevik me i tregu botës që nuk jem terrorist. E kam hek prej Drenicës, e kam hek unë”, deklaron Fadil Geci.
Komunikata 59
Ashtu siç edhe pritej, komunikata numër 59 ishte prej temave kryesore në seancën gjyqësore. Ajo komunikatë e cila e akuzonte Gani Gecin për vrasjen e Abedin Rexhës ‘Sandokanit’, kishte qenë prej temave më të diskutuara në Kosovën e pasluftës.
Për Fadil Gecin, vëllain e Ganiut që në komunikatë akuzohej si tradhtar, kjo komunikatë kishte qenë e lyer me benzinë që e ka djegur gjithë Kosovën.
“Komunikata numër 59 është sherri më i madh i lyer me benzinë që e ka kallë krejt Kosovën, ka qenë qpifëse, dashakeqëse. I kemi pasur dy shokë të vrarë, dy vëllezër të plagosur”, tha ai, raporton Nacionale.
Prokurori James Pache e lexoi një intervistë të Rexhep Selimit më 30 tetor të vitit 1999. Edhe Selimi, në atë kohë, e kishte akuzuar Gani Gecin për vrasjen e Sandokanit. Këtë, Fadil Geci e quan shpifje.
“Ka gabu, e di ky që nuk është ashtu, është rren. Komplet është rren. I ka vyjt, është përfaqësues i LPK-së, e ka shkruar, për palën tjetër që është kështu ose ashtu. Nuk është e vërtetë, është krejt rren. Forcat e Bujar Bukoshit, kanë qenë forca të rregulluara brenda sistemit shtetëror të Kosovës”, thotë Geci.
E më pas, në seancë u lëshua intervista e Rexhep Selimit në RTV Dukagjini, ku 10-shi e akuzonte Hashim Thaçin për komunikatën 59. Tash, Fadil Geci e lavdëroi Selimin.
“Në TV drejtpërdrejt, se komunikatën 59 e ka shkruar një dashake, ai është Hashim Thaçi. Dashakeq që i ka bërë dëm Drenicës me këtë komunikatë, me largu nga skena vëllezërit Geci sikur i largoi Serbia familjen Jashari, me qenë i lirë me vepru kah të dojë, ka gabuar shumë. Ai mentalitet ka qenë sllav, rus. Ka me u turpëru për këto punë që i ka bo”, deklaron Fadil Geci.
Ky i fundit pretendon se ka pasur takim edhe me Sylejman Selimin, i cili e kishte quajtur si gabim komunikatën me numër 59. Për ‘qpifje’, Geci e akuzoi edhe Jakup Krasniqin për një deklaratë lidhur me një ceremoni në Likoshan e Qirez. Më pas, Geci u ballafaqua edhe me deklaratën e Krasniqit për vrasjen e Abedin Rexhës.
“Unë e sqarova. Ana ligjore e mjekësisë e ka kryer, nuk besoj që është interes. Autori fajëson drejtpërdrejt vëllain tem, e jo veç atë, po familjen komplet”, shprehet Geci.
Më pas, Prokuroria ia publikon postimin në rrjete sociale Jakup Krasniqit, i cili i kishte reaguar Hashim Thaçit në deklaratat se komunikatat ishin shkruar nëpër ‘bahnofa’
“E kam dëgjuar. Njihemi mirë me të, ka bërë mirë që e ka thënë qënuk është e vërtetë. Jo me rrejt si përpara ashtu, faleminderit për këtë deklaratë. Edhe për komunikatat e tjera kush është ai që ka shkruar dhe dëmet që ia kanë bërë shqiptarisë ato komunikata”, tha Fadil Geci.
Ditën e nesërme, Fadil Geci do të merret në pyetje edhe nga avokatët e krerëve të UÇK-së.