Komisioni Legjislacion nesër diskuton për shkarkimin e Agron Bekës nga KPK-ja - NACIONALE

Komisioni Legjislacion nesër diskuton për shkarkimin e Agron Bekës nga KPK-ja

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Nesër në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion pritet të diskutohet për mundësinë e shkarkimit të Agron Bekës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Lajmin e ka siguruar Betimi për Drejtësi në një shkresë të siguruar.

Në shkresën e deputetit Adnan Rrustemi përmenden arsyet për shkarkimin e tij. Aty theksohet edhe kërcënimi me padi që Beka ia kishte bërë Nacionales.

Sipas Kodit të Etikës, anëtari i Këshillit respekton dhe zbaton të drejtat dhe liritë e pranuara ndërkombëtarisht. Në linjë me këtë obligim nuk ka vepruar z. Beka, i cili ka pasur një qasje armiqësore në raport me mediat, duke cenuar kështu lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave. Për shkak se “Gazeta Nacionale” kishte publikuar një opinion të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, ku subjekt ishte z. Beka, ky i fundit nuk kishte bërë demantim të lajmit, por, duke qenë anëtarë i Këshillit, kishte kërcënuar gazetarët me padi dhe kallëzim penal. Me padi u kërcënua edhe ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi”. Për më tepër, duke përdorur pikërisht takimet publike të KPK-së dhe imunitetin e tij si anëtar i KPK, z. Beka nisi një fushatë persekutuese ndaj shoqërisë civile, për faktin se në publik u përmenden shkeljet e tij. Përkundër faktit se ekipi i emisionit në fjalë i kishte dhënë mjaftueshëm mundësi z. Beka që ta shfaqë versionin e tij, z. Beka refuzoj që versionin e tij ta jap në emision, duke vendosur që këtë ta bëjë në takimin publik të KPK-së”, thuhet në shkresë.

Nacionale kishte raportuar për rastin e Bekës dhe dyshimet se ai ishte paguar për dhjetëra ligjërata që nuk i kishte mbajtur.

Nacionale kishte raportuar edhe për një kallëzim penal që ishte dorëzuar ndaj tij nga Policia e Kosovës, mirëpo i cili ishte rrëzuar dhe hetimet nuk kishin vazhduar.

Nacionale kishte publikuar edhe raportin e Agjencisë Kundër-Korrupsion për rastin e tij, ku ishin evidentuar disa shkelje.

Pas kësaj, Beka kishte paralajmëruar padi ndaj gazetarit dhe Nacionales.

Për këtë rast, kishte raportuar edhe Betimi për Drejtësi.

Lajme të ngjashme