Këto janë tri lutjet e Jakup Krasniqit për Gjykatën Speciale
Në fund të fjalës së tij përpara trupit gjykues, ish-zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi iu drejtua trupit me tri lutje.
Krasniqi tha se lutja e parë është që trupi gjykues të mos lejojë keqpërdorimin e opinioneve individuale të pasluftës për kohën e luftës.
Lutja e dytë Krasniqit ishte që trupi gjykues të mos lejojë që shënimet e tij për shkrimin e librave të përdoren si dëshmi për vepra penale, siç pretendon ZPS-ja.
“Lutja e tretë për komunikatat: Unë po e lexoj atë që është thënë në vendimin për lirimin e Fatmir Limajt në Hagë”.
“Komunikatat si material propagandistik ishin rritja e respektit për UCK-në dhe autoritetit të saj me qëllim që njerëzit të besonin në të dhe të anëtarësoheshin. Paragrafi 118 në aktvendimin e TNH-së për Fatmir Limajn. E njëjta gjë thuhet edhe në aktvendimin lirues për Ramush Haradinajn”, është shprehur Krasniqi.
Tutje, Krasniqi tha se shënimet e tij për të shkruar libra janë keqpërdorur skajshmërisht nga ana e Prokurorisë.
“Ka marrë materiale të shumta, ka marrë letrat që i kam çuar nga burgu, por ato nuk janë kurrfarë dëshmie për të cilat po pretendon Prokuroria në këtë aktakuzë”, është shprehur Krasniqi.