“Janë të angazhuar në sjellje të paligjshme”: Prokuroria e Hagës me akuza të rënda, kërkon që Thaçit e Veselit t’u vazhdohet paraburgimi
Prokuroria e Specializuar e Hagës, edhe gati katër vjet pas arrestimit të krerëve të UÇK-së, po kërkon që atyre t’u vazhdohet paraburgimi.
Rasti konkret së fundmi është për Hashim Thaçin e Kadri Veselin, raporton Nacionale.
Prokuroria ka insistuar që të dyve t’u vazhdohet paraburgimi pasi që ata janë të angazhuar për sjellje të paligjshme, të cilat sipas ZPS-së, cenojnë sigurinë e dëshmitarëve.
“Të gjitha sa më sipër tregojnë se rreziku i pengimit jo vetëm që është i bazuar mirë, por se Thaçi/Veseli është i angazhuar në mënyrë aktive në sjellje të paligjshme që janë të dëmshme për sigurinë, dhe mirëqenien e dëshmitarëve dhe dëmtojnë drejtpërdrejt integritetin e procedurës. Në të vërtetë, Thaçi/Veseli paraqet një rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat e Dhomat të Specializuara të Kosovës në atë masë saqë edhe kufizimet standarde të komunikimit dhe monitorimi i Qendrës së Paraburgimit janë të pamjaftueshme për ta zbutur”, thuhet në këtë kërkesë për vazhdimin e paraburgimit.
Sipas Prokurorisë, është vërtetuar që Thaçi e Veseli tashmë kanë tentuar të nxjerrin informacione për vizitorët. Akuza të cilat, avokatët i kanë kundërshtuar ashpër.
“Në të vërtetë, ky rrezik tashmë është realizuar, pasi Thaçi/Veseli ka shkelur urdhrat e Trupit Gjykues duke, ndër të tjera, duke u ofruar vizitorëve informacionet e nxjerra gjatë dëshmisë së dëshmitarëve të mbrojtur, dhe duke kaluar udhëzime të destinuara për dëshmitarët e ardhshëm të Prokurorisë në lidhje me formën dhe përmbajtjen e tyre të ardhshme”, thuhet më tutje në këtë kërkesë, raporton Nacionale.
Njëra prej arsyeve sipas Prokurorisë, është se krerët e UÇK-së tashmë kanë dijeni për dëshmitarët e ardhshëm, dhe mund ta pengojnë procesin.
“Më tej, ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë, për të cilën Gjykata e Apelit është pajtuar se është një 'konsiderim kontekstual'. Gjetje të ngjashme janë bërë në Aktgjykimin Gjyqësor Mustafa dhe Aktgjykimi i Apelit Gucati dhe Haradinaj.2Trupi gjykues i rastit 7 konsideroi se 'mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje e gjallë dhe kritike në Kosovë', dhe vlerësoi dëshminë e ekspertit mbrojtës Robert Reid, i cili theksoi se, në mbi 20 vjet në terren, ai kurrë nuk kishte parë frikësim të dëshmitarëve në nivelin që ekziston në Kosovë”, thuhet në këtë kërkesë.
Prokuroria e Hagës ka shkuar në tjetër nivel, duke theksuar se Thaçi e Veseli gjithashtu mund të arratisen. Pavarësisht se ky pretendim i Prokurorisë, është rrëzuar disa herë nga trupi gjykues.
“Rreziqet përkatëse, duke përfshirë ato në lidhje me ikjen, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të KSC. Ky Panel kohëve të fundit ka arritur në përfundimin se rreziqet e pengimit të procedurës dhe kryerjes së veprave të mëtejshme mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektet e paraburgimit të DSK-së”, thuhet në këtë kërkesë.
Krerët e UÇK-së janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestuan me urdhër të Gjykatës Speciale. Që nga atëherë, asnjë mundësi për lirim nga paraburgimi nuk është aprovuar.