Ish-avokati i Haradinajt në Hagë: Pyetjet e një gjykatësi të Speciales, japin përshtypje për anshmëri - NACIONALE

Ish-avokati i Haradinajt në Hagë: Pyetjet e një gjykatësi të Speciales, japin përshtypje për anshmëri

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Gazeta Nacionale ditë më parë publikoi një video rreth disa pyetjeve të njërit prej gjyqtarëve të Gjykatës Speciale. Gjyqtari zviceran, Genel Metro, në një moment e pranonte edhe vet se pyetjet e tij mund të jenë spekuluese. Por, çfarë thonë ish-avokatët që kanë qenë pjesë e proceseve të tilla? Nacionale sjell detaje.

Michael O’Reilly, ka qenë pjesë e ekipit mbrojtës të Ramush Haradinajt kur ky i fundit po gjykohej në Tribunalin për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi.

Ndërlidhur me formën dhe pyetjet që që bëjnë gjyqtarët në procese të tilla gjyqësore, O’Reilly ka deklaruar për Nacionalen se në disa modele ndërkombëtare, roli i gjyqtarit e prokurorit janë të kombinuar deri në një shkallë.

Ai thotë se është trilliim i pastër që Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës.

Si gjykatë ndërkombëtare (ideja që ajo është gjykatë e Kosovës është trillim i pastër), ajo është e cenueshme ndaj kulturës ligjore të vendeve të prejardhjes të gjykatësve. Ka juridiksione ku roli i gjykatësit dhe i prokurorit janë të ngatërruar ose madje, deri në një shkallë, të kombinuar. Ajo që do të ishte normale në disa juridiksione, neve na duket shumë e çuditshme, madje e gabuar”, ka deklaruar O’Reilly për Nacionalen.

I pyetur rreth mënyrës se si e komenton formën e pyetjeve nga gjyqtarët në rastin e krerëve të UÇK-së, ish-avokati me përvojë deklaron se pyetjet e një gjyqtari, të japin përshtypjen e anshmërisë. Megjithatë, ai thotë se nuk ka dijeni për ndonjë rregull që do të parandalonte shtrimin e pyetjeve spekuluese.

“Pyetjet e një gjykatësi të veçantë e japin përshtypjen e anësisë. Gjykatësi në fjalë ndoshta do të thoshte se ai thjesht po mundohet që të nxjerrë të dhëna relevante. Unë nuk jam i vetëdijshëm për ndonjë gjë në rregulla që do ta parandalonte marrjen e gjerë dhe spekuluese në pyetje nga ana e tij”, deklaroi më tutje ish-avokati i Haradinajt në Tribunalin e Hagës.

Në fund të përgjigjes, O’Reilly bën përgjegjëse Kosovën që e krijoi këtë gjykatë, andaj tash sipas tij, nuk duhet të fajësohet askush tjetër.

“Qeveria dhe kuvendi i Kosovës e krijuan këtë gjykatë të çrregullt dhe tani Kosova dhe personat e akuzuar duhet të jetojnë me të. Nuk ka kuptim që të fajësohet ndokush tjetër. Ti e përgatit shtratin, ti shtrihesh në të”, përfundoi Michael O’Reilly për Nacionalen.

Pyetjet e gjyqtarit zviceran

Gazeta Nacionale javën e kaluar publikoi një video ku gjyqtari zviceran, shihej teksa bënte disa pyetje, për të cilat edhe vet thotë se janë spekuluese.

Në një video të cilën gazeta Nacionale e ka analizuar, shihen pyetjet e gjyqtarit Metro. P.SH në disa raste ai i shtron pyetje dëshmitarit Hajrush Kurtaj të tipit: “Le të imagjinojmë”, “Të supozojmë” dhe në një moment gjyqtari thotë “të iu pyes edhe një herë, mbase pyetje spekuluese”.

Në fillim, gjyqtari Metro e pyet zv/komandantin e Brigadës 162, se e kujt do të ishte përgjegjësia nëse një ushtar do të kishte kryer krime.

Le të imagjinojmë për një çast sikur të kenë kryer krime, përgjegjësi e kujt do të kishte qenë brenda brigadës që të ndërmerrte hapa kundër personave brenda brigadës së tyre, nëse do të merrnin dijeni për këto veprimet e tyre. Kush ishte përgjegjës për marrjen e masave?” pyeti gjyqtari Metro.

“Nuk ka bërë askush krime të luftës, nuk muj me imagjinu se çka do të kishte ndodhur. Nuk ka pasur raste që ushtarët e brigadës 162 kanë bërë krime, por janë forcat e okupatorit serb që kanë kryer ndaj qytetarëve në Kaçanik, në përgjegthsi në krejt Kosovën”

Në një tjetër moment gjatë seancës, gjyqtari Metro e ballafaqon dëshmitarin Hajrush Kurtajn me një dokument të Brigadës 161. Këtu ai sërish harton disa pyetje të njëjta.

“E pranoni zotëri se ajo që shohim këtu, të paktën për nga rastet e brigadës 161 masat disiplinore janë marrë kundër anëtarëve të UÇK-së se e kanë lëshuar pozicionin dhe detyrën pa leje, e pranoni këtë?”, pyeti Metro.

“E pranoj (por kjo është) për një brigadë krejt tjetër, dhe një dokument përpara vetes pa kurrfarë emri e mbiemri, vetëm shkruan komandanti i brigadës nuk ka kurrfarë emri. Për mua nuk thotë asgjë ky vendim, edhe është i papranueshëm për mua”, u përgjigj Kurtaj.

Këtu gjyqtari Metro vazhdon me pyetje të tipit “të supozojmë”.

Të supozojmë se është kështu siç është kjo. Po na thoni që brigada 161 vepronte ndryshe nga brigada 162 për këtë çështje. Në rastin e brigadës 161 ushtari po ta lëshonte pozicionin disiplinohej, kurse në brigadën 162 jo. Këtë po dëshmoni?”, pyeti Metro.

“Vetëm për brigadën 162 muj me dëshmu që asnjë ushtarë nuk i ka lëshuar radhët e brigadës 162 Agim Bajrami, të gjithë ata që i kanë marrë detyrat edhe i kanë kthyer. Për brigada tjera nuk është kompetencë e imja të komentoj apo supozoj, se çfarëdo që të them mundem mos me qenë real”, u përgjigj sërish Kurtaj.

Në pyetjen e radhës, gjyqtari e pranon se po bën pyetje spekuluese.

“Të iu pyes edhe një herë, mbase një pyetje spekuluese. Po të kishte ndodhur kjo në brigadën tuaj, pra siç ka ndodhur në këtë dokument, ta kishte lëshuar, të ishte larguar nga pozicioni ushtari, ju nuk do të merrnit asnjë masë disiplinore?”, tha gjyqtari zviceran.

“Nuk ka pasur raste në brigadën time se gjatë komunikimit me ushtarët e mi gjithëherë kam bashkëbiseduar dhe kam thënë ata që lodhen, ata që kanë nevojë me vizitu familjet le t’i drejtohen brigadës. Andaj nuk kemi pasur asnjë rast të ballafaqohemi me kësi vendime”, deklaroi dëshmitari Kurtaj.

Por, gjyqtari sërish nuk u tërhoq nga pyetja.

“Më duket se nuk iu përgjigjët pyetjes. Ta zëmë se ekziston rasti kur nuk ka kërkuar leje. Nëse një prej ushtarëve të brigadës tuaj të ishte largu nga pozicioni, pa lejen tuaj, ju po thoni që nuk do të kishte pasur asnjë pasojë. Nuk do të ishte marrë asnjë masë?”, pyeti gjyqtari Metro.

“Derisa nuk kam pasur asnjë rast nuk muj me spekulu, me supozu. Se po e shoh tash që edhe për ato gjërat që kam supozuar po duhet me dhënë përgjegjësi, nuk muj me supozu. Në brigadën time nuk ka pasur kësi raste”, deklaroi Hajrush Kurtaj.

Lajme të ngjashme