Ish-avokat i Fatmir Limajt, bashkëshortja e tij avokate e Jakup Krasniqit: Historia e Karim Khan, njeriut që ia ngriti urdhër-arrestin Netanyahut
Gjykata Ndërkombëtare Penale të enjten njoftoi se ka lëshuar urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, ish-ministrin e Mbrojtjes të Izraelit dhe liderin e Hamasit. Cilat shtete e kanë obligim arrestimin e këtyre personave, nëse hyjnë në territoret e tyre?
Statuti i Romës është akti themeltar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Nënshkruese të këtij statute janë 124 shtete, raporton gazeta “Nacionale”.
Prej tyre, 33 shtete janë afrikane, 19 nga Azia dhe Paqësori, 19 nga Evropa Lindore, 25 nga Evropa Perëndimore dhe vende të tjera, si dhe 28 nga Amerika Latine dhe Karaibet.
Pjesë e saj nuk janë Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara, por janë dy anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, Britania e Madhe dhe Franca. Pjesë e GjNP-së është edhe Shqipëria. Janë edhe vendet e rajonit – Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Për ta shikuar listën e plotë të 124 shteteve anëtare të GjNP-së, klikoni KËTU.
Lëshimi i urdhërarresteve vjen pasi prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, kishte njoftuar më 20 maj se do të kërkonte urdhërarreste për krime të dyshuara, të lidhura me sulmet e 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga Hamasi dhe me kundërpërgjigjen ushtarake izraelite në Gaza.
Por, a e dini historinë e Karim Khan, njeriut që kërkoi urdhër-arrest për kryeministrin e Izraelit? Ai ka një të kaluar në Kosovë e politikanë të njohur.
Për ata që nuk e njohin, Karim Khan kishte qenë figurë e rëndësishme edhe në Kosovë.
Për vite me radhë, Khan kishte qenë avokat i ish-komandantit të UÇK-së, Fatmir Limajt.
Me Khan si avokat, Limaj kishte dalur i pafajshëm nga akuzat për krime lufte në Tribunalin e Hagës por edhe në gjykimin nga EULEX-i në Kosovë.
Khan e kishte mbrojtur për një kohë Limajn edhe në akuzat për korrupsion sa ishte ministër i Transportit.
Karim Khan ishte larguar nga pozita e avokatit të Fatmir Limajt më 13 janar 2014.
Në deklaratën e tij të sotme para mediave, Khan dha disa arsye për kërkesën e tij.
Duke folur për veprimet e Izraelit, Khan tha në një komunikatë se “ndikimet e përdorimit të urisë si mjet lufte, së bashku me sulmet e tjera dhe ndëshkimin kolektiv kundër popullsisë civile në Gazë, janë akute, të dukshme dhe shumë mirë të ditura...Ato përfshijnë kequshqyerjen, dehidrimin, vuajtjen e skajshme dhe numrin e madh të vdekjeve në mesin e popullsisë palestineze, përfshirë të foshnjave, fëmijëve të tjerë dhe grave”.
Por, kjo nuk është lidhja e vetme e Karim Khan me Kosovën.
Ekipi mbrojtës i Jakup Krasniqit ishte fuqizuar me një prurje të re. Fjala është për avokaten Shyamala Alagendra Khan.
Alagendra Khan është hiç më pak se bashkëshortja e Karim Khan, kryeprokurorit që lëshoi urdhër-arrest për Benjamin Netanyahun.
Karim Khan është aktualisht Kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, dhe Nacionale ka mësuar se avokatja e re e Jakup Krasniqit, është bashkëshortja e tij.
Dokumenti është bërë publik në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.
Karim Khan bashkë me Shyamala Alagendra Khan kanë punuar bashkë edhe në disa raste në të kaluarën.