I dyshuari që plagosi gruan e tij thotë se e bëri "me qëllim për ta vrarë"
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh për Idriz Alinë. Alija dyshohet se ka plagosur gruan e tij në Bresje të Fushë-Kosovës.
Sipas vendimit të Gjykatës, të marrë nga “Betimi për Drejtësi”, i dyshuari Alija, në prani të një avokati të caktuar nga gjykata, ka rrëfyer në Polici se gjuajtjen me armë në drejtim të gruas e bëri "me qëllim për ta vrarë".
“Unë sot nuk dua të përgjigjem më gjatë, vetëm dua t’ju tregoj se gjithçka që kam bërë sot me Sh.F e kam bërë me qëllim për ta vrarë”, ka thënë ai.
Aty thuhet se Prokuroria kërkesën për caktim të paraburgimit përveç rrezikut të arratisjes dhe ndikimit në dëshmitarë, e kishte mbështetur në arsyetimin se i dyshuari edhe më herët ka pasur mosmarrëveshje duke shkaktuar dhunë në familje, e për këtë ndaj tij janë të iniciuara edhe dy procedura tjera penale. Po ashtu, thuhet se i pandehuri ka një të kaluar kriminale si i dyshuar për vepra të ndryshme penale në 38 raste.