Hetimi i krimeve të luftës: Shtohen arrestimet dhe aktakuzat - NACIONALE

Hetimi i krimeve të luftës: Shtohen arrestimet dhe aktakuzat

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Prokuroria Speciale e Kosovës, konkretisht departamenti për Krime Lufte, kanë intensifikuar punën në hetimin e krimeve që janë kryer gjatë kohës së luftës. Vetëm gjatë muajit shtator e fillim tetorit, janë më shumë se 10 të dyshuar që janë arrestuar, ose u është ngritur aktakuzë për krime të luftës. Nacionale sjell detaje.

Një serb me inicialet M.P u arrestua më 29 shtator. Ai dyshohet të ketë marrë pjesë në vrasjen e tre civilëve shqiptarë në lagjen “Hoqa Mahall” në Prizren. Pas arrestimit, ndaj të njëjtit është dorëzuar edhe kallëzim penal.

Tri ditë më pas, Prokuroria Speciale e Kosovës ngritia takuzë ndaj një tjetër serbi me inciialet M.J. Ai dyshohet për dhunim seksual gjatë kohës së luftës në Ferizaj. E për dallim nga i pari, ky i fundit pritet të gjykohet në mungesë. Kjo pasi Prokuroria ka vlerësuar se është e pamundur dhe janë shterur mundësitë ligjore, për ta siguruar praninë e të dyshuarit në procedurë.

E për veprën e njëjtë penale, pra për dhunim gjatë kohës së luftës, pritet të akuzohet edhe një tjetër i dyshuar. Z.V megjithatë, do të përballet fizikisht me procesin gjyqësor ndaj tij si i dyshuar për krime të luftës.

Këto tri raste janë vetëm disa nga proceset që ka iniciuar Prokuroria Speciale e Kosovës lidhur me hetimin e krimeve të luftës.

Që nga 14 shtatori e deri tash Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur pesë aktakuza për persona të dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës. Përgjatë kohës së njëjtë, katër serbë janë arrestuar nën të njëjtat dyshime.

E sot gjatë ditës, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në Mal të Zi, si të dyshuar për krime lufte. Tash priten procedurat për ekstradimin e tyre.

“Pas koordinimit dhe shkëmbimit të informacioneve reciproke të Policisë së Kosovës me autoritetet kompetente të Malit të Zi, më datë 01.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e tyre personin e kërkuar me urdhër-arrest ndërkombëtar me inicialet Z.V (viti i lindjes 1961) shtetas i RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “Krime Lufte””, thuhet në njoftim.

“Po ashtu me datë 04.10.2023, autoritetet e Malit të Zi e kanë arrestuar në territorin e Malit të Zi personin e kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar me inicialet I.B (viti i lindjes 1975) shtetas i RKS-së, i kërkuar nga autoritetet e Kosovës për veprën penale “Krime Lufte”. Lidhur me rastet personat e arrestuar i janë nënshtruar procesit të ekstradimit nga shteti i Malit të Zi për në Republikën e Kosovës sipas procedurave të parapara ligjore”, bëhet e ditur më tutje.

Deri më tash, Prokuroria Speciale e Kosovës po del se ka pasur fokus gjykimin e rasteve që ndërlidhen me dhunimin. Në total i ka ngritur gjashtë aktakuza, prej të cilave dy janë me praninë e të dyshuarve në procedurë, kurse katër aktakuza të tjera në mungesë.

Në kuadër të departamentit për krime lufte në Prokurorinë Speciale aktualisht janë katër prokurorë: Drita Hajdari, Atdhe Dema, Ilir Morina e Valdet Gashi. Megjithatë, problematikë e përmendur ndër vite është që të njëjtit, përveç me rastet e krimeve të luftës, trajtojnë edhe vepra të tjera penale që hyjnë nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale.

Detaje për arrestimet dhe aktakuzat

Më 14 shtator Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj dy të dyshuarve, I.R dhe D.D si të dyshuar për krime lufte në rajonin e Prishtinës.

“Prokuroria Speciale njofton se të pandehurit me iniciale I.R. dhe D.D. si pjesëtarë të forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Prishtinës, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, kanë kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptarë”, thuhej në njoftimin për media.

Më 15 shtator u ngritën dy atakuza. Njëra ndaj E.B i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e 16 civilëve shqiptarë në Staradran të Istogut. Dhe aktkauza e dytë ndaj të pandehurit S.F si i dyshuar për vrasjen e një mjeku nga Gllogoci.

Më 20 shtator, u arrestuan tre serbë në veriun e vendit, gjithashtu si të dyshuar për përfshirje në krime lufte në zonën e Vushtrrisë.

“Prokuroria Speciale njofton se tre (3) të arrestuarit akuzohen për veprën penale ’Krimet e luftës kundër popullatës civile, veprime këto të sanksionuara sipas, nenit 142 dhe 22 të Kodit Penal të RSFJ, aktualisht e penalizuar me nenet 31 dhe 153 të KPRK, në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët të 4 Konventave të Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, të neneve 4 dhe 5 (1) të Protokollit 2 të datës 08 qershor 1977, shtojcë e Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha rregullat e ligjeve ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe kurdoherë e rëndësishme për vendimin e tanishëm ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë”, njoftonte Prokuroria.

Më 29 shtator u arrestua M.P, serb i dyshuar për krime lufte në lagjen “Hoqa Mahall” në Prizren. Ai dyshohej për pjesëmarrje në vrasjen e tre civilëve.

Më 2 tetor u publikua edhe njoftimi për një aktakuzë në mungesë ndaj një serbi të dyshuar për dhunim në Ferizaj.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri me iniciale M.J. si pjesëtarë i forcave policore të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Ferizajt, duke ditur për ekzistimin e një sulmi të tillë, me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, në bashkëkryerje me persona të tjerë, deri tani të paidentifikuar, ka kryer dhunim seksual ndaj femrës së nacionalitetit shqiptarë, e cila në kohën e dhunimit ishte e mitur”, thuhet në njoftim.

Aktakuzë për dhunim seksual u ngrit edhe sot ndaj të dyshuarit Z.V.

Gjashtë aktakuza janë në total për dhunë seksuale gjatë luftës, dy me praninë, katër në mungesë.

Lajme të ngjashme