Hagë: Pse nuk u kompensuan ende avokatët e Shalës, Bahtjarit e Januzit? - NACIONALE

Hagë: Pse nuk u kompensuan ende avokatët e Shalës, Bahtjarit e Januzit?

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Në seancën e fundit në Hagë, avokatët e Haxhi Shalës, Ismet Bahtjarit e Sabit Januzit, u ankuan se nuk i kanë marrë mjetet financiare që u takojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Madje, mbrojtësit kërkuan që të gjitha procedurat të pezullohen derisa të kompensohen nga ministria e Albulena Haxhiut.

Pas seancës, trupi gjykues kërkoi nga Zyra Administrative që të dërgohet një kërkesë urgjente për në Ministrinë e Drejtësisë, lidhur me çështjen e financimit.

Megjithatë, krejt këtë situatë e ka sqaruar Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për Nacionalen. Nga MD-ja kanë deklaruar se kërkesat janë kthyer në mënyrë që të plotësohen me legjislacionin në fuqi.

“Komisioni për shqyrtim dhe vendosje të kërkesa për kompensimin e mbrojtjes është mbledhur dhe ka kërkuar nga avokatët mbrojtës që të bëhet plotësimi i kërkesave me dokumentet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi. Avokatët mbrojtës sapo të na dërgojnë kërkesat e kompletuara, ne do t’i paraqesim para Komisionit për shqyrtim dhe vendosje”, thuhet në përgjigje për Nacionalen.

Kujtojmë se me ndryshimet në Udhëzimin Adminisitrativ, pagesat për të akuzuarit lidhur me pengimin e procedurës në Gjykatën Speciale, shkon deri në 5 mijë euro brenda muajit. Pra, MD-ja e ka ndryshuar udhëzimin, duke specifikuar pagesat për rastet e pengimit të procedurës, pas shtimit të aktakuzave nga Specialja për këto vepra.

Çfarë thanë avokatët?

Në parashtrimet e tij avokati i Januzit, Jonathan Elystan Reese tha se një kërkesë për financim e kishte bërë më 4 dhjetor 2023, por që deri tani nuk ka ndonjë rezultat.

“Mbrojtja e Januzit ka bërë kërkesë në përputhje me kriteret e saj më 4 dhjetor 2023. Sipas kritereve, Ministria e Drejtësisë duhet të krijojë një komision për t’i dhënë përgjigje kësaj kërkese brenda 10 ditësh. Ne i kemi kërkuar vazhdimisht MD-së që të trajtojë këtë kërkesë brenda dhjetë ditësh të parashikuara dhe më pas këtë e kemi bërë përmes një korrespodencë inter-partes ku MD-ja kërkoi që ta shtyjmë këtë çështje, ndërkohë që do të zgjidhnin çështjen e mungesës së numrit të duhur të personave që do të merrnin pjesë në komision”, tha Reese.

Mbrojtja e Januzit kërkoi që t’i vendoset një afat urgjent Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje dhe në rast që nuk bëhet atëherë çështja të dërgohet në Kushtetuese.

“Nëse ju do të bëni këtë gjë dhe do t’i vendosni Ministrisë së Drejtësisë një afat urgjent dhe në qoftë se nuk zbatohet ky afat, mua më duket se rezultati do të ishte që këtë çështje ta dërgojmë në Dhomën Kushtetuese. Edhe në këtë rast do t’i kërkonim trupit gjykues që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë të jetë e mundur duke iu referuar apo duke çuar çështjen në Dhomën Kushtetuese nga vetë trupi gjykues me qëllim që ato të mund ta ndjekin çështjen e moszbatimit të angazhimit që ka MD-ja sipas ligjit”, tha Reese.

Avokatja e Ismet Bahtjarit, Felicity Gerry KC, tha se e mbështetë parashtrimin e mbrojtjes së Januzit.

“Dua ta mbështesë parashtrimin e z.Reese dhe të bëjë të njëjtën kërkesë në emër të Z.Bahtjari. Ne jemi në të njëjtën gjendje. Kemi bërë një numër kërkesash pranë Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës sonë për financim dhe kur u bë e qartë që ky takim i Komisionit nuk do të mbahej gjatë javës së shkuar, unë e njoftova vetë zyrën administrative se kishte një problem. Të njëjtën gjë bëra edhe me ZPS-në”, tha Gerry.

Kurse, Toby Cadman, avokat i Haxhi Shalës, potencoi se kjo çështja e financimit nuk do të ndikojë në përfaqësimin juridik të Haxhi Shalës.

“Edhe ne jemi të prekur në të njëjtën mënyrë. Ajo që mund të them është se unë i kam premtuar Z.Shala se pavarësisht financimit, ne do të vazhdojmë ta përfaqësojmë atë. Sigurisht, që kemi nevojë për një vendim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Ne e kemi diskutuar me z.Shala çështjen e sigurimit të fondeve përmes DhSK-së në qoftë se Ministria nuk jep përgjigjen e duhur. Por, z.Shala është i paraburgosur për një periudhë prej dy muajsh dhe nuk duam që të ketë vonesa me tej të kësaj çështje. Sa i përket hetimeve afatgjate që do t’i bëjë, pala mbrojtëse sigurisht që do të preket nga kjo çështje e financimit”, tha Cadman.

Për shkak të problemve financiare, avokati kryesor i Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, është larguar dhe nuk do ta përfaqësojë më këtë rast.

Lajme të ngjashme