Gjyqi në Hagë, Spiropali: Gjykata të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka shprehur rezerva të forta lidhur me zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë, pas kërkesës së Prokurorisë për dënimin me nga 45 vjet burgim të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përmes një reagimi, kryediplomatja e Shqipërisë ka ngritur shqetësime serioze mbi kohëzgjatjen e procesit dhe atë që e cilëson si mungesë proporcionaliteti. Sipas Spiropalit, mbajtja në paraburgim për më shumë se pesë vjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pa një vendim përfundimtar, krijon premisa për shkeljen e të drejtave themelore.
Ajo vë në dukje kontrastin e thellë mes trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së dhe pandëshkueshmërisë së krimeve të regjimit serb.
“Po ndjekim me shqetësim të thellë zhvillimet e sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Prokuroria paraqiti propozimin e dënimeve ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare. Ne besojmë se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme, pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm”, shkroi Spiropali.
Ministrja Spiropali theksoi gjithashtu rëndësinë e ndarjes së përgjegjësisë individuale nga karakteri historik i luftës së UÇK-së. Ajo shtoi se UÇK-ja ishte një lëvizje me mbështetje të gjerë ndërkombëtare që u ngrit kundër spastrimit etnik, dhe çdo përpjekje për të kriminalizuar këtë luftë do të ishte një shtrembërim i historisë.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë të bashkësisë ndërkombëtare në përballje me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara gjerësisht ndaj popullsisë civile. Çdo proces gjyqësor që trajton individë të asaj lufte duhet të ruajë me kujdes dallimin thelbësor midis përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri. Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë”, shtoi ai.
Në mbyllje të reagimit, Ministrja konfirmoi angazhimin e shtetit shqiptar për të ndjekur me vëmendje të shtuar ecurinë e këtij procesi gjyqësor. Spiropali bëri thirrje që drejtësia të mos përdoret për rishkrimin e historisë, por për të vërtetën dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit.
“Shqipëria riafirmon se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin, jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne theksojmë rëndësinë që procedurat të përmbyllen brenda një afati të arsyeshëm dhe me respekt të plotë për standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. E ardhmja e Kosovës dhe stabiliteti i rajonit ndërtohen mbi drejtësi të besueshme, që forcon paqen dhe jo perceptime padrejtësie. Republika e Shqipërisë do të vijojë ta ndjekë me vëmendje këtë proces dhe mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të shtetit të së drejtës, drejtësisë ndërkombëtare dhe dinjitetit të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, shkroi Spiropali.