Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëgjohet dëshmitari i parë në Gjykatën Speciale
Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që filloi me 3 prill do të mbahet edhe sot ku pritet të bëhet dëgjimi i dëshmitarëve në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale seanca gjyqësore pritet të fillojë në orën 09:00 dhe seanca pritet të transmetohet rreth 45 minuta me vonesë për publikun.
Ndërkohë, Prokuroria e Specializuar ka dorëzuar listën me 12 dëshmitarët e parë të cilët do të japin dëshmi. Kjo në mënyrë që edhe mbrojtja të përgatitet për pyetjet e saj.
Edhe pse emrat e dëshmitarëve të parë nuk janë bërë publik, Nacionale ka mësuar nga burime të ndryshme jozyrtare se në mesin e tyre do të ketë ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata do të dëshmojnë për strukturën dhe organizimin e UÇK-së, lidhjen e zonave me shtabin e përgjithshëm, dhe temat e tjera që ndërlidhen me veprat penale për të cilat akuzohen Thaçi dhe të tjerët.
Në total, Zyra e Prokurorit të Specializuar do të ketë rreth 300 dëshmitarë. Megjithatë, ky numër mund të ulet nëse ka ndonjë vendim nga trupi gjykues i cili vazhdimisht ka kërkuar që të shkurtohet koha e kërkuar nga Prokuroria.
Numri i madh i dëshmitarëve ka bërë që tash e tutje pothuajse çdo ditë do të ketë seanca në këtë rast. Edhe ato ditë që s’ka seanca, kjo është për shkak të rastit tjetër që po gjykohet në Speciale, ai ndaj Pjetër Shalës.
600 orë kohë ka kërkuar Prokuroria për ta paraqitur rastin e saj.
Ndërkohë, në fillim të gjykimit të gjithë ish-krerët e UÇK-së u deklaruan edhe një herë të pafajshëm.
Hashim Thaçi: “E kuptoj, jam plotësisht i pafajshëm”.
Kadri Veseli: “E kuptoj aktakuzën. Po gjithsesi e shprehi pakënaqësinë time për një vonesë të tillë, megjithatë ju falënderoj. Tërësisht i pafajshën”
Rexhep Selimi:“Po e kuptoj. Jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”
Jakup Krasniqi: “E kam të vështirë ta kuptoj akuzën. Nuk kam asnjë lidhje me pikat qëi lexoi Prokurorja para pak kohe. Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza”.
Në anën tjetër, një dëshmitar që tashmë dihet se do të japë dëshiminë e tij në Gjykatën Speciale është Imer Imeri.
Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, ish-aktivistët e vrarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në “Debat Plus” në RTV Dukagjini e ka pranuar publikisht se është dëshmitar i Gjykatës Speciale.
“Unë jam dëshmitar i Gjykatës Speciale, i hapur, çka i kam thënë Prokurorisë, nuk i qes para jush. Por qeto punë që i kam qitë moti kohë në EULEX, qëto i them edhe para jush, a po i lypni?” – deklaroi Imeri.
Seanca të tilla pritet të ketë më 12 dhe 13 prill dhe pastaj seanca pritet të ketë më pas më 17, 18, 19 dhe 20 prill.
Ndryshe fillimi i gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka nxitur reagime të shumta.



