Gjykata Speciale ua vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit
Dy krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, Gjykata Speciale jua ka vazhduar paraburgimin.
Vendimi është marrë nga Trupi Gjykues me në krye gjyqtarin Charles Smith II.
Në vendimin për Veselin i cili është marrë më 19 dhjetor, thuhet se Prokuroria ka afat që deri më 30 janar të dërgojë parashtresat për shqyrtimin tjetër të paraburgimit.
I njëjti afat, prokurorisë i është dhënë edhe në rastin e Thaçit.
Thaçi e Veseli gjenden në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.



Avokatët e Thaçit, Veselit e Selimit u bënë bashkë për të apeluar një vendim
Avokatët e tre nga katër të akuzuarve në rastin kryesor të Gjykatës Speciale, janë bërë bashkë dhe po kërkojnë që t’u jepet leje për ankesë në Gjykatën e Apelit të Hagës. Krejt kjo, duke synuar ta kundërshtojnë vendimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Hagës, në lidhje me intervistimin e dëshmitarëve të mbrojtjes. Gazeta Nacionale ka parë kërkesat dhe sjell detaje.
Vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake që ta lejojë prezencën e Prokurorisë së Specializuar, në kohën kur mbrojtja i merr në pyetje dëshmitarët e saj, ka nxitur një reagim të ashpër. Avokatët e Kadri Veselit, Hashim Thaçit dhe Rexhep Selimit, tash këtë çështje po synojnë ta ngritin në Gjykatën e Apelit. Ata kanë dërguar kërkesa që t’u lejohet ankesa në Apelin e Speciales.
Përkundër se me tri parashtresa të ndara, avokatët e Veseli, Thaçit e Selimit po e quajnë qasjen e Gjykatës Speciale si diskriminuese. Kjo pasi, mbrojtja po pretendon se me vendimin e manualit të dëshmitarëve, po cenohet barazia e armëve në procedurë.
“Nëse një palë kundërshtare dëshiron ta intervistojë një dëshmitar të palës tjetër, duhet ta njoftojë palën thirrëse të paktën 10 ditë para intervistës së synuar. Pala thirrëse do të konstatojë në mirëbesim nëse dëshmitari pranon të intervistohet nga pala kundërshtare, dhe duhet ta infromojë dëshmitarin për mundësinë. Pala thirrëse do ta informojë palën kundërshtare nëse dëshmitari ka dhënë pëlqimin. Përveç kësaj, kur pala thirrëse beson se siguria e një dëshmitari mund të jetë në rrezik, mund të kërkojë nga Paneli Gjyqësor që të marrë pjesë në çdo takim ndërmjet palës tjetër dhe dëshmitarit, pavarësisht nga dëshira e dëshmitarit”, thuhej në vendimin e Gjykatës Speciale.

Ankesa e avokatit të Veselit
Në parashtrimin që avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson e ka dorëzuar te gjyqtari i procedurës paraprake duke kërkuar leje për ta apeluar, thuhet se vendimi përmban elemente të diskriminimit të z.Veseli në procedurë.
Ankesa të cilën e ka parë gazeta Nacionale, thotë se gjyqtari ka pasur një qasje të papranueshme për ushtrimin e diskrecionit të tij gjyqësor në këtë vendim.
“Mbrojtja propozon që çëhtjet e mëposhtme të dërgohen për verifikim në Gjykatën e Apelit: Nëse gjyqtari i procedurës paraprake ka gabuar me vlerësimin e tij për bazën ligjore të miratuar. Nëse Korniza shkel të drejtën e të akuzuarit për gjykim të drejtë. Nëse gjyqtari i procedurës paraprake e ka diskriminuar z.Veselin dhe të tjerët, kundrejt të akuzuarve tjerë në Gjykatën Speciale”, thuhet në ankesë.
Sipas mbrojtjes së ish-kryekuvendarit të Kosovës, një vendim i tillë është marrë kryesisht mbi vlerësime teorike, kinse në Kosovë ka klimë për friksimin e dëshmitarëve.
“Mbrojtja kujton se çdo kufizim për gjykimin e drejtë bëhet vetëm kur është e nevojshme dhe në proporcion me të drejtat e të akuzuarit. Një domosdoshmëri e tillë duhet të jetë reale, specifike dhe e prekshme, e jo siç duket në Protokoll, e bazuar në shqetësime të përgjithshme se ekziston një klimë frikësimi për dëshmitarët e bazuar në diçka që mund të ketë ndodhur 20 vjet më parë”, thuhet më tutje në parashtrimin e avokatit të Veselit.

Në ankesën e Emmerson, gjithashtu thuhet se në këtë proces, ka tërësisht rregulla të tjera përfshirë Tribunalin e Hagës, por edhe me vet rastet e Salih Mustafës e Pjetër Shalës që po akuzohen gjithashtu nga Gjykata Speciale.
Ankesa e avokatit të Thaçit
Ankesa të njëjta mund të vërehen edhe në parashtrimin që e ka bërë avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Gregory Keohe në parashtrimin e tij, thotë se vendimi në lidhje me intervistat e dëshmitarëve, e dëmton rëndë të drejtën e mbrojtjes për të zhvilluar hetime.
“Mbrojtjes i kërkohet t’i regjistrojë me audio e video të gjitha intervistat me dëshmitarët e ZPS-së dhe më pas t’ia jap këto incizime prokurorisë dhe gjykatë. Trupi gjykues më pas, mund t’i pranojë si prova në procedurë këto. Kjo do të thotë gjithashtu se çdo intervistë e mbrojtjes, do të jetë një lloj libri i hapur. Si i tillë, Protokolli përfaqëson një zgjerim të konsiderueshëm të zbulimit të materialeve, dhe një pushim të pajustifikuar të privilegjit avokat-klient, duke komprometuar të drejtën e mbrojtjes për të hetuar”, thuhet në parashtrimin e avokatit Keohe.
Sipas avokatit të Thaçit, me vendimin e Gjykatës Speciale, barazohet viktima ose dëshmitari me banim në Kosovë, me një dëshmitar të rangut ndërkombëtarë që nuk ka fare shqetësime për identitetin e tij, duke e vlerësuar Protokollin si diçka të tepërt.
Ankesa e avokatit të Selimit
Një ankesë në lidhje me këtë çështje në Gjykatën e Apelit, pritet ta dërgojë edhe avokati i Rexhep Selimit, David Young. Ai ka pasur ankesë edhe në lidhje me ruajtjen e provave dhe masat mbrojtëse.
Sipas mbrojtjes së Selimit, miratimi i kërkesës së Prokurorisë në shkallën e parë, ndikon në procedurat e gjykimit.
Kujtojmë se kohët e fundit, janë shtuar zërat se Gjykata Speciale është duke diskriminuar të akuzuarit, edhe për mbajtjen e gjatë në paraburgim, por edhe shkelje të tjera procedurale.





