Gjykata Speciale pasi Thaçit nuk iu mundësua pjesëmarrja në varrimin e babait: S’mund të japim informacione
Gjykata Speciale ka reaguar pasi ish-presidentit Hashim Thaçi nuk iu mundësua pjesëmarrja në varrimin e babait të tij, Haxhi Thaçi.
Në një komunikatë për media, Gjykata Speciale fillimisht ka përmendur se Thaçi ishte në Kosovë javën e kaluar për të vizituar babain e tij në spital.
“DHSK-ja ka pranuar disa pyetje nga gazetarë dhe nga publiku pas vdekjes së babait të Hashim Thaçit lidhur me atë se a do t'i lejohet zotit Thaçi të vizitojë Kosovën, siç iu lejua javën e kaluar kur e vizitoi babain e tij në spital, si dhe në dy raste të mëparshme” – thuhet aty.
Megjithatë, gjykata është arsyetuar duke thënë se kërkesat e të paraburgosurit janë konfidenciale, duke mos dhënë kështu informacione.
“Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë” – thuhet aty.
Theksojmë se babai i ish-presidentit Hashim Thaçi ka ndërruar jetë të dielen.
Thaçit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrimin e babait të tij gjatë së martës, gjë që ka shkaktuar reagime të shumta.