Gjykata merr vendim: Një muaj paraburgim për Kobrën dhe pesë të tjerët
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Teuta Krusha, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatjeprej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 03.01.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 03.02.2023 ndaj të pandehurve: D.H, A.V, B.M, J.B, K.G dhe E.A.
Dibran Hoxha me nofkën “Kobra” po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “manipulimi me prova”, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
“Kobra” dyshohet se e vrau 31 vjeçarin Visart Cengu, i cili së bashku me dy shokët e tij, erdhi nga Kukësi i Shqipërisë, për të kaluar mbrëmjen në Prizren, lokalin “Kobra City”.

Çka tha në seancë Dibran Hoxhaj?
Ai tha se pajtohet me fjalët e mbrojtësit të tij, avokatit Nexhat Elshani, ndërsa shtoi se i pandehuri Enver Amrallahu, që është vëllau i tij prej nënës, në momentin kritik nuk ka qenë në vendin e ngjarjes, ashtu siç thuhet në kërkesën e Prokurorisë, por se ai ka ardhë pasi është informuar nga dikush lidhur me ngjarjen, madje duke menduar se e kanë vrarë “Kobrën”.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vëlla”, tha i dyshuari Hoxhaj.
Pra, Hoxhaj pretendon se vëllaui i tij, erdhi vetëm pasi mendoi se “Kobra” është vrarë.
Kërkesa e Prokurorisë për paraburgim
Prokuroria Themelore në Prizren, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesën për caktimin e paraburgimit për Dibran Hoxhën, i njohur si “Kobra” dhe pesë të tjerët, të dyshuar për vrasjen e V.C, të martën në Prizren.
Sipas kërkesës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se duke marrë parasysh veprat penale që dyshohen se janë kryer, vepra penale e vrasjes së rëndë është e rrezikshmërisë së madhe me dënueshmëri të lartë, kjo tregon rrezikun e ikjes së të dyshuarit nga territori i Republikës së Kosovës, me qëllim të shmangies nga procedura penale.
Sipas prokurorisë, Dibran Hoxhaj me të pandehurit e tjerë – të punësuar në lokalin e tij tregojnë rrezikun se të njëjtit mund të ikin me qëllim të shmangies nga procedura. Pika 1.2.2, meqë sapo kanë filluar hetimet dhe në vijim pritet marrja në pyetje të pandehurve, dëshmitarëve V.D dhe E.K dhe dëshmitarëve eventual që mund të rrjedhin nga procedura e hetimeve, nisur nga fakti se personat të dyshuar si Dibran Hoxha dhe të dyshuarit tjerë janë në raporte të afërta në mes vete, se i pandehuri Dibran është pronar i lokalit ku ka filluar përleshja dhe të pandehurit tjerë janë punëtorë të të pandehurit Dibran dhe këto raporte mes tyre tregojnë rrezikun për të ndikuar në njëri-tjetrin në dëshmitarë apo edhe në asgjësimini fshehjen apo ndryshimin e ndonjë prove të rëndësisë për veprat penale në fjalë.
Gjithashtu, në kërkesë thuhet se mënyra dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, karakteristikat personale të të pandehurit Dibran Hoxha, sjelljet e tij të mëparshme të njohura për organet e drejtësisë, tregon rrezikun e përsëritjes së sërishme të veprimeve të njëjta apo të ngjashme të pandehurve. – pas analizimit të shkresave të lëndës dhe masave të parapara për sigurinë e pranisë të pandehurit, bazuar në nenin 187, para. 1 nënparag. 1.3 të KPPK-së, pas shqyrtimit në tërësi të shkresave të lëndës,
Në fund të kërkesës thuhet se Prokuroria ka ardhur në përfundim se në këtë fazë të procedurës masat tjera alternative janë të pamjaftueshme për sigurimin e pranisë të pandehurve, andaj me qëllim që procedura e hetimeve të zhvillohet pa pengesa, konsideroj se është e domosdoshme që ndaj të pandehurve të caktohet paraburgimi me qëllim të zhvillimit normal dhe pa pengesa të procedurës penale.
Policia e Kosovës ka dhënë detaje
Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vrasjen e një 31-vjeçari dhe plagosjen e një 27-vjeçari, të dy shtetas të Shqipërisë, të martën në Prizren, ku i dyshuar është Dibran Hoxhaj “Kobra”, pronari i lokalit ku ndodhi ky rast i rëndë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës të shtënat me armë zjarri kanë filluar brenda lokalit dhe derisa “tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”.
Policia ka arrestuar gjashtë persona për ketë rast dhe ka bastisur shtëpinë e njërit nga të dyshuarit, ku janë gjetur disa dëshim.
Çka ndodhi?
Ishte Policia e Shqipërisë, që përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se ngjarja dyshohet se ka ndodhur në dalje të Prizrenit dhe se konflikti, kishte nisur në një lokal nate.
Prizren 03.01.2023-04:00. Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur. Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovar dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. Me urdhër të prokurorit është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti, dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin, janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja. Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë si dhe veturën e viktimës. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore.", thuhet në raportin 24 orësh.
“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.” – thuhej në njoftim.


