Gjykata e liron Donika Gërvallën nga akuzat për raportim të rrejshëm të pasurisë
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, është liruar nga akuzat për raportim të rrejshëm të pasurisë.
Vendimi është shpallur ditën e sotme.
Gjyqtari i rastit Dibran Jusufi ka bërë të ditur se këto veprime të Gërvallës, nuk janë vepër penale.
"Gjykata këtë fakt e zgjedhi bazuar në provat materiale, dhe formularët për deklarimin e pasurisë. Vepra për të cilën akuzohet e pandehura nuk përbën vepër penale", tha ai.
Gjyqtari konfirmoi se Gërvalla nuk e ka deklaruar pasurinë saktë.
"Nuk ishte kontestuese se e pandehura nuk e ka deklaruar saktë pasurinë. Të ardhurat e bashkëshortit, paluajtshmërinë dhe biznesin e saj. Kontestuese ishte vetëm nëse veprat e të pandehurës janë vepër penale, apo kundërvajtje", tha ai.
Në seancën e sotme, kryediplomatja kosovare është deklaruar e pafajshme për akuzat që rëndojnë mbi të.
Ajo u pyet nga prokurori për biznesin që nuk e kishte deklaruar në pasurinë e saj.
“Atë biznes e kam regjistruar gjatë kohës së pandemisë me synimin që se bashku me vëllain tim i cili ofron shërbime grafike të ndërtoj një platformë për mësimin e gjuhëve. Kam punuar intensivisht me ketë platformë gjatë vitit 2021 në përgatitjen e materialeve për atë platformë dhe në janar të 2021 kam marrë vendimin të vij në Kosovë për zgjedhjet dhe nuk ka ndodhur asgjë me atë platformë. Arsyeja pse nuk e kam deklaruar sepse biznesi nuk ka pasur asnjë qarkullim, Nuk më ka shkuar mendja”, tha ajo.
Kurse, e pyetur se si kaloi në emrin e saj pasuria e paluajtshme, Gërvalla theksoi se pasuria e familjes ishte ndarë në tri pjesë.
“Në momentin kur bashkësia familjare diku në vitin 2010, por nuk e di saktë është ndarë, atëherë axha im i madh, pasardhësit e axhës tim të dytë edhe ne kemi ndarë të gjithë pronën e paluajtshme në tre pjesë”, tha ministrja.
Për pasurinë e bashkëshortit tha se të ardhurat personale, mbrohen me ligjin gjerman.
“Nuk e di saktë, por është e shënuar shifra në formular. Ai punon për Parlamentin gjerman. Sekreti i të ardhurave personale dhe të dhënave tatimore në shtetin Gjerman mbrohet më ligj, dhe prandaj unë kur kam bërë deklarimin fillestar menjëherë pas marrjes së detyrës kam menduar se ajo vlen edhe për Kosovë”, u përgjigj Gërvalla.
Aktakuza thoshte se e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort, raporton Betimi Për Drejtësi.
Tutje, në akuzë thuhej se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit, duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.
Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.
Me këto veprime, Gërvalla akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Gërvalla kishte munguar në seancën e kaluar, pasi ishte jashtë vendit.