Fuqia e komandantëve të zonave, dhe dallimet me Adem Demaçin: Çfarë deklaroi në Hagë ish-diplomati amerikan? - NACIONALE

Fuqia e komandantëve të zonave, dhe dallimet me Adem Demaçin: Çfarë deklaroi në Hagë ish-diplomati amerikan?

1 muaj më parë

nga Besian Beha

Shaun Byrnes, ish-shef i misionit diplomatik vëzhgues të Amerikës në Kosovë, është dëshmitari i 53-të në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.

Qysh në nisje të dëshmisë, ai tha se ka ardhur si dëshmitar jo me vet-iniciativë, por pasi i është kërkuar nga Departamenti i Shtetit.

“Dëshiroj të them që jam këtu me kërkesën e Departamentit të Shtetit dhe Prokurorisë së Specializuar. Nuk kam ardhur këtu me nismën time vetjake, megjithatë e pranoj përgjegjësinë që të jap dëshmi duke marrë parasysh pozicionin tim dhe përgjegjësitë e mia në Kosovë në vitet 1998-1999”, tha ai, raporton Nacionale.

Gjatë marrjes në pyetje, Byrnes foli edhe për rolin e Thaçit në kohën e luftës dhe takimet që ka pasur me të.

“Është gjysmë e saktë. Asnjëherë nuk mbaj në mend që Thaçi të jetë marrë në mënyrë të drejtpërdrejt me komandantët në terren. Ne e kemi takuar me pjesëtarë të tjerë të drejtorisë politike, dhe sipas përkufizimit, jo udhëheqës ushtarak”, tha diplomati amerikan.

“Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së. Kjo ka qenë ndjesia”, deklaroi ai.

“Kishte dy grupe në disaporë: një grup që ishte pro çlirimit, dhe shndërrimit të saj në shtet të pavarur. Kishte një grup tjetër i cili ishte opsioni 1 plus 1, çlirimi nga Serbia dhe ribashkimi me Shqipërinë. Këta nga dispaora u kthyen në Kosovë nga Zvicra, dhe ata ofruan ndërveprimin me komunitetin ndërkombëtar. Sepse ata kuptuan zotëri faktin që pas Daytonit në 1995, Kosova kishte pak gjasa që të bëhej e pavarur.Këta zotëri si Thaçi e Haliti u kthyen”, theksoi ai më tutje.

Ai foli edhe për organizimin e disa zonave, duke thënë se komandantët ishin kundër të futeshin nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm.

“Ne e dinim që kishte rezistencë ndaj riorganizimit të zonave të UÇK-së nga 7 në 3. Megjithatë, disa prej komandatave të zonave në veçanti Remi që ishte komandant i Zonës Operative të Llapit dhe z. Ramush Haradinaj nga Zona e Dukagjini, pra komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ata të dy shprehimisht na kishin thënë që ishin kundër këtij riorganizim dhe ishin kundër që të ishin të varur apo nën varësinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që u organizua diku nga fundi i verës. Ata kishin këtë qëndrim dhe ishin kundër se kishin fuqinë që të rezistonin. Ata kishin burimet e veta, kishin financimet e veta dhe kishin mjetet e veta për të siguruar armatime”, tha Byrnes.

Dëshmitari deklaroi gjithashtu se UÇK-ja nuk besonte në Ibrahim Rugovën. Kjo duke komentuar rreth një faksimile që e kishte shkruar.

“Autori i kësaj faksimile jam unë, unë e kam shkruar atë. UÇK-ja nuk kishte besim tek presidenti Rugova. Presidentin Rugova ata e shihnin si dikë që ishte i gatshëm të pranonte nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, pra ata e shikonin si një person që ishte i gatshëm të pranonte një marrëveshje që e linte Kosovën si pjesë të Serbisë. Edhe sipas Kushtetutës 74, Kosova ishte gjerësisht e pavarur”, tha dëshmitari Byrnes.

Ai tregoi disa detaje rreth një takimi të Thaçit me komandantët e zonave para Rambujesë, dhe dallimet me Adem Demaçin.

“Ata e dinin se udhëheqja e UÇK-së dhe komandatat e zonave e dinin se dokumentet që ambasadori Hill do të ofronte në Rambuje parashikonin një Kosovë që do të mbeste brenda Serbisë, por që do të kishte kompetenca vetëqeverisëse. Ata e dinin këtë gjë sepse Hashim Thaçi kishte mbledhur një takim në shtabin e UÇK-së në Lladrovc përpara bisedave dhe negociatave në Rambuje”, tha ai.

Si rrjedhojë, dëshmitari tha se Adem Demaçi iu bëri thirrje palëve që të largoheshin nga ky dokument.

“Për shkak të kësaj, Adem Demaçi pasi u largua Hashim Thaçi dhe delegacioni dhe shkuan në Rambuje, pra drejt fundit të fazës së Rambujesë, pjesa e dytë e procesit ishte takimi në Paris që u bë më vonë. Megjithatë, kjo sjellje e çoi Adem Demaçin që të bënte thirrje që të laroheshin palët nga ky dokument dhe si rezultat Sylejman Selimi bëri që të marrë kontrollin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ndërkohë që Thaçi dhe anëtarët e tjerë të delegacionit ishin në Rambuje”, deklaroi dëshmitari.

Ai e pranoi se kishte pasur shqetësime nga UÇK-ja për persona që dyshohej se kishim bashkëpunim me Serbinë.

“Një sërë zyrtarësh të UÇK-së më shprehën mua dhe anëtarëve të tjerë të ekipit tim shqetësime të tilla. Pra, se kishte poste të UÇK-së edhe të larta dhe ne kemi vajtur në Pejë, Klinë, Podujevë e të tjerë. Ne shpesh ishim në kontakt të përditshëm me komandantët e atyre zonave dhe ata e kishin këto informacion dhe e raportonin. Por, unë e dëgjova edhe vetë nga zyrtarë të lartë të UÇK-së që ata ishin të shqetësuar për informatorët”, tha Byrnes.

Ky dëshmitar do ta vazhdojë dëshminë edhe gjatë ditës së sotme.

Dëshmitari i ri i ZPS-së është Shaun Byrnes, i cili, sipas ZPS-së, ishte Shef i Misionit Diplomatik Vëzhgues të SHBA-së në Kosovë (US KDOM) nga gushti 1998 deri në korrik 1999. Sipas vendimit të mëparshëm të Trupit Gjykues, një përfaqësues nga qeveria e SHBA-së po e shoqëron dëshmitarin në sallën e gjyqit.

Lajme të ngjashme