“Erdha me kërkesën e Departamentit të Shtetit”: Ambasada e Amerikës jep përgjigje diplomatike për deklaratën e Byrnes në Hagë - NACIONALE

“Erdha me kërkesën e Departamentit të Shtetit”: Ambasada e Amerikës jep përgjigje diplomatike për deklaratën e Byrnes në Hagë

8 muaj më parë

nga Besian Beha

Ish-diplomati amerikan që në kohën e luftës në Kosovë ishte shef i Misionit Diplomatik Vëzhgues, Shaun Byrnes, për katër ditë me radhë dha dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Në rastin e krerëve të UÇK-së, ai tregoi për takimet me Thaçin, Krasniqin e Selimin, strukturën komanduese të UÇK-së, raportet e Shtabit të Përgjithshëm me zonat e detaje të tjera.

Megjithatë, një deklaratë interesante e Shaun Byrnes ishte në momentin kur e nisi dëshminë. Ai deklaroi se në Hagë ka shkuar me kërkesën e Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Dëshiroj të them që jam këtu me kërkesën e Departamentit të Shtetit dhe Prokurorisë së Specializuar. Nuk kam ardhur këtu me nismën time vetjake, megjithatë e pranoj përgjegjësinë që të jap dëshmi duke marrë parasysh pozicionin tim dhe përgjegjësitë e mia në Kosovë në vitet 1998-1999”, tha ai.

Nacionale ka kontaktuar fillimisht me Departamentin Amerikan të Shtetit për të marrë një qëndrim rreth kësaj deklarate, megjithatë ata nuk janë përgjigjur.

Një përgjigje e ka dhënë Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Megjithatë, një përgjigje diplomatike.

Ambasada ka theksuar se qëndrimi i tyre për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar.

“Qëndrimi i SHBA-së për Gjykatën Speciale është i pandryshuar: ne mbështesim punën dhe mandatin e gjykatës dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që ta lejojnë atë të vazhdojë punën e saj pa asnjë lloj ndërhyrje”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së Amerikës për Nacionalen.

Në pyetjen e Nacionales nëse ka ekzistuar ndonjë kontakt me dëshmitarin Byrnes dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, ambasada ka thënë vetëm se ata e ruajnë mbështetjen për Gjykatën dhe Prokurorinë e Specializuar.

“SHBA-ja ruan mbështetjen e saj të fuqishme për punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (SPO) si thelbësore për ruajtjen e sundimit të ligjit në Kosovë dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat. Procedurat e KSK-së kanë të bëjnë me përcaktimin e përgjegjësisë penale individuale për akuza të veçanta”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Në fund, ata kanë theksuar se aktgjykimet e Speciales janë për individë, e jo kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Aktgjykimet e nxjerra nga Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk duhet të konsiderohen si aktgjykime kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo kundër Kosovës”, përfundon përgjigja e Ambasadës së Amerikës për Nacionalen.

Shaun Byrnes, ish-diplomat amerikan, për katër ditë me radhë ka vazhduar me dëshminë e tij.

Çfarë deklaroi ish-diplomati amerikan?

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, po vazhdon dëshminë e tij në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai u pyet nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, për strukturën komanduese, dhe rolin e shtabit të përgjithshëm.

Byrnes deklaroi se asnjëherë nuk kanë pasur prova që ndonjë udhëheqës nga Shtabi i Përgjithshëm, të kishte dhënë urdhër për ndonjë ndalim apo rrëmbim.

“Ne as edhe një herë nuk kemi patur ndonjë provë që tregon se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, Thaçi, Krasniqi, Selimi, Ramë Buja, Xhaviti apo të tjerë, kurrë nuk kemi patur prova që ata të kishin dhënë urdhër apo të udhëzonin që të merreshin peng, të rrëmbeheshin gazetarët serbë apo aktivistët e LDK-së. Kurrë nuk kemi pasur prova të tilla. Më lejoni ta mbaroj përgjigjen. Ne menduam se këto veprime, ndërmerreshin në formë të pavarur nga komandantët vendës të UÇK-së ose eprorët e tyre, komandanti i brigadës apo i zonës”, tha ai, raporton Nacionale.

Gjatë marrjes në pyetje, Byrnes foli edhe për rolin e Thaçit në kohën e luftës dhe takimet që ka pasur me të.

“Është gjysmë e saktë. Asnjëherë nuk mbaj në mend që Thaçi të jetë marrë në mënyrë të drejtpërdrejt me komandantët në terren. Ne e kemi takuar me pjesëtarë të tjerë të drejtorisë politike, dhe sipas përkufizimit, jo udhëheqës ushtarak”, tha diplomati amerikan.

“Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së. Kjo ka qenë ndjesia”, deklaroi ai.

“Kishte dy grupe në disaporë: një grup që ishte pro çlirimit, dhe shndërrimit të saj në shtet të pavarur. Kishte një grup tjetër i cili ishte opsioni 1 plus 1, çlirimi nga Serbia dhe ribashkimi me Shqipërinë. Këta nga dispaora u kthyen në Kosovë nga Zvicra, dhe ata ofruan ndërveprimin me komunitetin ndërkombëtar. Sepse ata kuptuan zotëri faktin që pas Daytonit në 1995, Kosova kishte pak gjasa që të bëhej e pavarur.Këta zotëri si Thaçi e Haliti u kthyen”, theksoi ai më tutje.

Ai foli edhe për organizimin e disa zonave, duke thënë se komandantët ishin kundër të futeshin nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm.

“Ne e dinim që kishte rezistencë ndaj riorganizimit të zonave të UÇK-së nga 7 në 3. Megjithatë, disa prej komandatave të zonave në veçanti Remi që ishte komandant i Zonës Operative të Llapit dhe z. Ramush Haradinaj nga Zona e Dukagjini, pra komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ata të dy shprehimisht na kishin thënë që ishin kundër këtij riorganizim dhe ishin kundër që të ishin të varur apo nën varësinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që u organizua diku nga fundi i verës. Ata kishin këtë qëndrim dhe ishin kundër se kishin fuqinë që të rezistonin. Ata kishin burimet e veta, kishin financimet e veta dhe kishin mjetet e veta për të siguruar armatime”, tha Byrnes.

Lajme të ngjashme