E zhgënjyer me punën e Policisë: Familja e fëmijës që e shkeli Rozeta Hajdari ankohet në IPK
Fëmija i tyre u aksidentua me veturë nga ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, në muajin prill. Lajmi kishte vërshuar opinionin publik në Kosovë, sidomos pas deklaratave të Hajdarit se “një fëmijë u përplas në veturën time”.
Por, mënyra se si Policia e ka trajtuar rastin po del se e ka zhgënjyer familjen e viktimës që pësoi lëndime trupore nga ky aksident. Familja e fëmijës i është drejtuar me ankesë Inspektoratit Policor të Kosovës, në lidhje me mënyrën se si është hartuar raporti i gjithë aksidentit.
Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar për gazetën Nacionale se për këtë rast kanë pranuar një ankesë, e cila po trajtohet nga njësitet brenda IPK-së.
“Duke iu referuar kërkesës suaj, ju konfirmojmë se IPK ka pranuar ankesë lidhur me rastin në fjalë. Rasti ështē duke u trajtuar në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave në IPK”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për gazetën Nacionale.
Sipas asaj që ka mësuar gazeta, ankesa ndërlidhet me dyshimet e familjes se sjellja e zyrtarëve policorë të trafikut nuk ka qenë profesionale, duke e hartuar raportin e aksidentit në kundërshtim me gjetjet në terren.
Aksidenti kishte ndodhur me datën 10 prill 2022, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës. Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, derisa po qarkullonte me veturën e saj, kishte goditur një fëmijë në rrugë. Për pasojë, fëmija kishte marrë tretman mjekësor në QKUK.
Vetë Hajdari, fillimisht kishte thënë se fëmija ishte përplasur në veturën e saj, deklaratë e cila kishte shkaktuar mjaft reagime.
“Për hir të informimit të drejtë, sot në mesditë në rrugën Vicianum në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, gjersa po kthehesha me veturën time personale për në banesë, gjatë vozitjes sime pranë Meridian Market, papritmas u shfaqën dy fëmijë në vrapim për të kaluar rrugën, ku fatkeqsisht njëri nga ta u përplas anash në veturën time. Me shqetësim menjëherë kam reaguar, duke i ofruar ndihmë fëmijës dhe kam lajmëruar Policinë të cilët janë marrë me gjithë evidencën e rastit”, kishte shkruar Hajdari në një postim në Facebook.
Megjithatë, raporti i Policisë ishte publikuar në media. Aty thuhej se shkaktar i aksidentit, ishte mospërshtatja e shpejtësisë me kushtet e rrugës.
“Më datë 10.04.2022 rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum” në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Auto 1 Ford Fiesta ngjyrë e kaltër, shofer Rozeta Hajdari FSHK e lindur *****. Këmbësori i lënduar I.B. i lindur më **** 2012 në Prishtinë. Shkaku i aksidentit, mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës”, thuhej në raportin zyrtar të Policisë.
E jashtë raportit të Policisë, zyrtarisht Policia e Kosovës nuk kishte dhënë shumë detaje për këtë rast.
“E dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, godet viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor”, njoftonte policia.
Për këtë rast, kishte folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke lavdëruar Policinë e Kosovës.
“Më lejoni të shpreh keqardhje në lidhje me aksidentin që është lënduar një fëmijë, nuk kam informacione të tjera përveç sqarimeve që i ka dhënë ministrja Rozeta Hajdari dhe më duhet të them se i besoj, dhe me çka kam kuptuar është se nuk ka shenja të frenimit në asfalt, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi më tepër se që duhet. Policia e ka rastin, kamerat e marketit janë aty dhe besoj që gjithçka do të sqarohet shumë shpejt”, kishte thënë Kurti.
Edhe dëshmitarët kishin treguar për Nacionalen se si kishte ndodhur aksidenti asokohe.