E treta e vërteta në Venecia: Cili do të jetë epilogu i Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial? - NACIONALE

E treta e vërteta në Venecia: Cili do të jetë epilogu i Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial?

1 muaj më parë

nga Besian Beha

A do jetë e treta e vërteta? Kjo është pyetja përgjigjen e së cilës po e presin institucionet, por edhe qytetarët në Kosovë. Kjo pasi Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës do të shkojë për herën e tretë në Komisioni e Venecias. Pasi së fundmi Kushtetuesja rrëzoi Ligjin e kaluar, Ministria e Drejtësisë e hartoi ligjin e ri.

Megjithatë, me kërkesë të Bashkimit Evropian në Kosovë ky ligj do të trajtohet sërish nga Komisioni i Venecias. Në herën e parë, Venecia kishte gjetur shumë vërejtje lidhur me këtë ligj, dhe kishte vlerësuar se ka rrezik për ndikim politik. Në herën e dytë kur ndryshimet shkuan në Venecia, Komisioni rekomandoi se mund të ecet përpara me Ligjin për KPK-në.

Megjithatë, edhe pse u miratua në Kuvendin e Kosovës aso kohe, Ligji u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Tash, Komisioni i Venecias do të jetë sërish adresë e trajtimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur faqja zyrtare e Kuvendit të Kosovës në facebook.

“Kryetari Glauk Konjufca dërgoi në Komisionin e Venecias Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. I njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës." - thuhet nga Kuvendi i Kosovës.

Ambasadori i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog ka thënë se e mirëpret gatishmërinë e Konjufcës për ta dërguar në Venecia Projektligjin.

“Mirëpresim gatishmërinë e kryeparlamentarit Glauk Konjufca që të konsultohet me Komisionin e Venecias për ndryshimet e rishikuara në Ligjin për KPK-në. Pajtueshmëria me standardet evropiane është prerogativë kryesore në zbatimin e reformave. Rekomandimet e Komisionit të Venecias duhet të zbatohen plotësisht në finalizimin e kësaj nisme të rëndësishme ligjore” – ka shkruar ambasadori në Tëitter.

Ditë më parë, Shefi i Zyres së BE-së për Kosovë, z. Tomas Szunyog, i kishte kërkuar kryekuvendarit Glauk Konjufca që përsëri ta dërgojë draft-ligjin e ri për konsultim në Komisionin e Venedikut.

Minsitrja Haxhiu asesi nuk ishte pajtuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se ligji ka marrë dritën e gjelbër nga Venecia.

“Gjykatës Kushtetuese nuk i kanë mjaftuar vlerësimet profesionale nga Komisioni i Venecias. Ky injorim i opinioneve është goditje e madhe për Republikën e Kosovës dhe për rrugën që kemi para vetës”- është shprehur Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e kishte cilësuar me prioritet këtë çështje. Ajo ka thënë se në projektligjin e ri parashihet që si anëtarë të përhershëm të Këshillit të jenë 7 prokurorë, tre prej tyre të zgjedhur nga Kuvendi. Tre të tjerë do të jenë 3 joprokurorë të zgjedhur nga Kuvendi, ndërsa një vend i takon Prokurorit të Shtetit. Këta do të jenë anëtarë të përhershëm.

Përbërja do të rritet përkohësisht deri në 19, sipas ministres Haxhiu. Mandati i atyre që zgjedhën si anëtar jo të përhershëm do të jetë deri në fillim të vitit 2026.

Ligji i ri – kritika të ashpra edhe nga shoqëria civile

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL, kanë reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, së 12 korrikur 2023, me të cilin vendim është miratuar versioni i ri i Projektligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Drejtësisë, duke thënë se Projektligji i ri është politizim objektiv i KPK-së.

Projektligji i ri u miratua pasi ligji i mëparshëm ku ishte ndryshuar përbërjae KPK-së, më 5 prill 2023 ishte shpallur kundërkushtetues nga Gjykata Kushtetuese, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas Projektligjit [neni 21.1.] deri më 11 janar të vitit 2026, KPK-së do ti shtohen edhe tetë (8) anëtarë jo-prokurorë të zgjedhur me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi, pesë (5) prej të cilëve zgjedhen nga Kuvendi, dy (2) prej të cilëve zgjedhen në bazë të katër (4) nominimeve që pranohen nga Avokati i Popullit për përfaqësues nga radhët e anëtarëve të organizatave të shoqërisë civile, ndërsa një (1) pozitë rezervohet për profesorët universitar të drejtësisë. Sa i përket kuorumit deri më 11 janar të vitit 2026, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit [Neni 21.3. i Projektligjit]. Në rast se të gjithë anëtarët e Këshillit zgjedhën, kuorumi formohet me dymbëdhjetë (12) anëtarë. Ky rregull zbatohet deri më 11 janar të vitit 2026 [Neni 21.3. i Projektligjit]. Kështu, nga qëllimi fillestar për ta zvogëluar numrin e anëtarëve të KPK-së nga 13 në 7 anëtarë, MD-ja e ka rritur këtë numër në 19 anëtarë deri në vitin 2026″, thuhet në komunikatë.

Andaj, thuhet se dispozitat në fjalë nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Strategjinë për Sundim të Ligjit dhe Opinionet e Komisionit të Venecias.

IKD dhe Lëvizja “FOL” vlerësojnë se Projektligji për KPK i miratuar në Qeveri, nuk përmbushë domoshmërinë për reformë në KPK dhe i ekspozohet rrezikut për dështim të sërishëm të këtij ligji.

Lajme të ngjashme