E rrëmbyen, e lidhën, e dogjën, u dënua edhe bashkëshortja: Cila është historia e vrasjes makabre në Suharekë? - NACIONALE

E rrëmbyen, e lidhën, e dogjën, u dënua edhe bashkëshortja: Cila është historia e vrasjes makabre në Suharekë?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 6 tetor të vitit 2016, pra gati 6 vjet më përpara, komuna e Suharekës dhe krejt Kosova u tronditën nga një vrasje makabre që ndodhi në fshatin Peqan.

Aty, u vra Abedin Bytyqi në mënyrë mizore.

Fillimisht u rrëmbye, u lidh, e rrahën për vdekje, e groposën dhe në fund e dogjën. I gjithë ky krim makabër dyshohet të jetë organizuar nga bashkëshortja e tashmë të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Kjo e fundit, kishte nxitur drejt vrasjes së bashkëshortit dy familjarë të saj, më saktësisht djemtë e axhës. Fjala është për Murat Ademin dhe Fadil Fetiun.

Të tre të akuzuarit janë dënuar me nga 25 vjet burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj, raporton Nacionale.

“Të akuzuarin M.A., (për veprën penale vrasja e rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në parabrugim nga data 08.10.2016, e tutje)”

“Të akuzuarin F.F., (për veprën penale vrasja e rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej 7 muajsh të mëhershme, dhe nga data 20.05.2019 e tutje)”

“Të akuzuarën R.B., (për veprën penale shtytja në vrasje të rëndë) me DËNIM ME BURGIM në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vite (në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në parabrugim nga data 08.11.2016, e tutje)”.

Kështu njoftoi Gjykata Themelore në Prizren. Megjithatë, ky nuk është aktgjykimi i parë për këtër rast.

Në gjykimin e parë në tetor të 2019-ës, Gjykata Themelore në Prizren, të akuzuarin Ademi e kishte dënuar me 25 vjet burgim, të akuzuarën Bytyqi me 20 vjet burgim dhe të akuzuarin Fetiu me 12 vjet burgim.

Por, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Murat Ademin me 25 vite burgim, Resmije Bytyqin me 20 vite burgim, Fadil Fetiun me 12 vite burgim, ndërsa Reshat Ademi u lirua nga akuzat për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi që nuk u provua se i njëjti ka kryer vepër penale e cila i vihet në barrë.

Por, Gjykata e Apelit, këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

Historia e rastit

Sipas Prokurorisë, gjithë krimin e ka organizuar bashkëshortja e të ndjerit, Resmije Bytyqi.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës, dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, Abedin Bytyqi, po e keqtrajtonte duke e rrahur.

Sipas Prokurorisë, më pas ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrisnin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Resmije Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dytë e kanë goditur me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë flakën dhe më pas e kanë groposur.

Lajme të ngjashme