E dyta herë që dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim: Si rrodhi procesi i gjykimit të Shaban Gogajt që vrau Agonis Tetajn - NACIONALE

E dyta herë që dënohet me 7 vjet e gjysmë burgim: Si rrodhi procesi i gjykimit të Shaban Gogajt që vrau Agonis Tetajn

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shaban Gogaj është dënuar me 7 vjet e 6 muaj burg për vrasjen e Agonis Tetajt në kompaninë “Gogaj AG” në vitin 2018 në Deçan.

Trupi gjykues i cili morri këtë vendim kryesohet nga Violeta Husaj-Rugova dhe përbëhet nga anëtarët Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.

Ata kanë dënuar Gogajn me 5 vite burg për vrasje nga pakujdesia. Gjithashtu ai u shpall fajtor edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, duke u dënua me 3 vite burg.

Gjyqtarja Husaj-Rugova të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, në departamentin për krime të rënda, dënoi Gogajn me denim unik me 7 vite e gjashtë muaj burgim.

Gogaj ndodhet në paraburgim nga data 23.09.2018 dhe do të vazhdojë të jetë nën këtë masë deri në momentin që aktgjykimi të marrë formën e prerë. Nëse ky aktgjykim merr formën e prerë, i bie se Gogaj do t’i vuaj më pak se 2 vjet të këtij dënimi, kjo pasi që deri më tani, i njëjti ka kaluar rreth 5 vjet e gjysmë në paraburgim.

Gjatë këtij gjykimi, familja e të ndjerit Agonis Tetaj, nëna dhe babai i tij, kishin bojkotuar procesin gjyqësorë.

Familja e viktimës i kishte quajtur banale arsyet e zvarritjes së procedurës dhe kishin shprehur se ndihen të maltretuar nga ky proces gjyqësor. Për këtë arsyeje ata kishin njoftuar gjykatën se nuk do të marrin më pjesë në seancat lidhur me gjykimin e kësaj çështje.

Çfarë kishte ndodhur në shkallën e parë?

Më 14 tetor 2022, Gjykata Themelore e Pejës, kishte shpallur aktgjykim ndaj Shaban Gogaj, i cili ishte dënuar sikurse tash, me 7 vite e gjysmë burg, kjo pasi që ishte bërë rikualifikimi i veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Ky rast kishte ngjallë shumë reagime, kur prokurori Agron Uka e kishte ricilësuar akuzën nga vrasja e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor. Vrasjen e tij e kreu djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Edhe pas aktgjykimit të këaj të premte, shpresat e familjarëve të të ndjerit mbeten tek shkalla e dytë. Ata kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin në Gjykatën e Apelit.

Kujdes pamje të rënda!

Lajme të ngjashme