E bllokuan për Kryeprokuror të Shtetit: Blerim Isufaj edhe për 4 vjet në krye të Prokurorisë Speciale
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e la pezull dekretimin e tij për Kryeprokuror të Shtetit për më shumë se një vit. E pas një kohe të gjatë, ajo vendosi që Blerim Isufajn të mos e dekretojë për pozitën më të rëndësishme në sistemin prokurorial.
Megjithatë, jo në krye të Prokurorisë së Shtetit, por Blerim Isufaj do të jetë edhe për 4 vjet në krye të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Kjo pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka zgjedhur Isufajn sërish në këtë pozitë. Ai do të jetë edhe për 4 vjet Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, në mandatin e ri që do të fillojë nga fillimi i janarit.
Për këtë pozitë kishin kandiduar përveç Isufajt, edhe Naim Abazi, Valdet Gashi e Atdhe Dema.
Sipas Komisionit Vlerësues, kandidatët ishin vlerësuar, Blerim Isufaj me 94.2 pikë, Naim Abazi me 89.2 pikë, Valdet Gashi me 84.8 pikë dhe prokurori Atdhe Dema me 77 pikë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka zgjedhur sot me 9 vota për dhe 1 kundër ka zgjedhur Blerim Isufaj për Kryeprokuror të PSRK-së.
Përplasjet për Isufajn
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, javë më parë doli në konferencë për media, dhe publikoi vendimin se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
Presidentja Osmani tha se për vendimin e saj ka marrë parasysh edhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave të shoqërisë civile. Ajo numëroi disa nga siç tha shkeljet e konstatuara për përzgjedhjen e kandidatit për Kryeprokuror.
“Shmangia nga zbatimi i kritereve ligjore në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, mohimi i mundësisë për mjet ankimor efektiv brenda Këshillit Prokurial të Kosovës për kandidatët e pakënaqur, shkelja në procedurat e vlerësimit të reputacionit profesional të kandidatëve, shkelje në procedura të vlerësimit të integritetit të kandidatëve, cenimi i transparencës, barazisë, meritokracisë dhe mungesat në dokumentacion”, tha presidentja Osmani.
Presidentja Osmani pati deklaruar se gjatë shqyrtimit të procedurave për zgjedhjen e Kryeprokurorit është përballur me trysni të ndryshme.
“Ka pasur edhe presione tjera të paligjshme, njerëz që dërgonin mesazhe se nëse nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do bëjmë dosje, do ngrisim aktakuza”, pati thënë presidentja Osmani.
Blerim Isufajn e pati sulmuar ashpër edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ishte zotuar se Isufaj nuk do të bëhet kryeprokuror sa të jetë Kurti kryeministër.
“Unë nuk kam dyshim që prokurorinë e shtetit dhe atë sa më larg aq më shumë ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vete ndaj meje, si kryeminsiter, por ndaj qeverisjen tonë, ndaj pushteti të ri të dal nga 14 shkurti 2021. Kjo lidhet me shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurit Bleirm Isufajt”, tha Kurti, raporton Nacionale.
“Bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenen tonë publike që rastin e vrasjes seëish shefit të AKP, Dino Hasanajt e ka kategorizoj në vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish drejtorit të informimit në kryeministri Hamdi Sopa e shndërroi në vrasje. Njëkohësisht bëhet fjala për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të behet kryeprokuror “, tha Kurti.
“Por, nuk do të mundet (të bëhet kryeprokuror). Sepse këtu ka republikë dhe popull”, tha ai.
Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte reaguar ashpër pas këtyre deklaratave.