Dyshime për aplikacionin ‘piramidal’: Në fshatin e Fushë Kosovës dyshohet se të rinjtë investuan rreth 20 mijë euro
Nëpër rrjete sociale është shpërndarë aplikacioni ‘‘netcomworld’’. Për t’u bërë pjesë e platformës, së pari të duhet të zgjedhësh një nga pakot që ofrohen. Pagesat për pako variojnë nga 100 euro deri tek 12 mijë euro. Pagesat për pako pranohen vetëm përmes kriptovalutave.
Ekzistojnë dyshime se platforma është mashtrim. Platforma funksionon pak a shumë sikurse skemat piramidale.
Për t’u rritur fitimet prej pakove ku është investuar, anëtari i platformës duhet të ftojë brenda platformës sa më shumë persona tjerë. Po ashtu, brenda ditës, anëtarit i duhet të kryejë së paku 40 porosi të pagesave të ndryshme që bëhen përmes platformës.
‘‘Ka dikush që 75 euro në ditë i fiton, vetëm prej rrethit që ka shtu në app’’, thotë një i ri që ka investuar e po vazhdon të merret me platforma të ngjashme.
Arlind Krasniqi beson se e gjitha është mashtrim.
I riu nga Fushë Kosova ra për herë të parë në kontakt me platformën përmes miqve të tij, por që fillimisht nuk e dinte se bashkëfshatarët e tij moshatarë kishin investuar dhjetëra mijëra euro aty.
“U përhap me të madhe në ‘TIKTOK’ dhe nisa me e kontrollu çka është kjo,” - thotë ai për Nacionalen, duke shtuar se pastaj filloi të hulumtonte më shumë rreth platformës.
Kur shpërndau në rrjetet e tija sociale, atij ju lajmëruan shumë të rinjë që i njeh, duke i treguar se kanë investuar aty, dhe se po presin që të fitojnë.
“Mundesh shumë lehtë me e pa që është ‘scam’ [mashtrim],” - shton ai, duke insistuar se kjo është ndër platformat e shumta të kësaj forme që po shpërndahen në Kosovë, dhe ku kryesisht po investojnë të rinjtë. Dhe për këtë arsye, pagesat pranohen vetëm me kriptovaluta, për shkak se kështu janë më vështire të gjurmueshme.
I riu nga Fushë Kosova përmend edhe platformën ‘‘BitConnect’’, themeluesi i së cilës po gjykohet në ShBA për organizim të skemave piramidale, që kapin shifra deri në disa miliarda dollarë, dhe pasi kishte siguruar këto para, kishe mbyllur aplikacionin e tij.
Sipas Krasniqit, edhe platforma ‘‘Netcomworld’’ në të cilën po investojnë të rinjtë nga një fshat i Fushë Kosovës, është e ngjajshme me skemën që në SHBA po gjykohet sikur njihet si ‘‘skemë Ponzi’’.
Krasniqi shton se kjo platformë po funskionon në Kosovë këto dy-tri javët e fundit. Ai është i bindur se platforma do të mbyllet së shpejti dhe të gjitha investimet do të shkojnë huq, pasi paltforma të tilla nuk rrinë më shumë se dy a tre muaj të hapura.
Një i ri tjetër, po nga i njëjti fshtat, me të cilin bisedoi gazeta Nacionale, tha se janë disa platforma ku shumë nga moshatarët e tij që i njeh kanë investuar, përfshirë edhe atë. I riu që do të mbetet anonim, tha se vetëm një i afërm i tij ka anëtarësuar rreth 1000 persona të tjerë në këto platforma.
Skema piramidale jodigjitale, kishin funskionuar edhe në Shqipëri gjatë fillimit të viteve të 90-a. Ato kishin çuar shtetin drejt falimentimit dhjetëra mijëra familje, e vendin shqiptar në kaos e trazira sociale.