Dy vjet nga vdekja e dyshimtë e toger Berishës, për të cilën kishte bërë veprim të turpshëm Xhelal Sveçla - NACIONALE

Dy vjet nga vdekja e dyshimtë e toger Berishës, për të cilën kishte bërë veprim të turpshëm Xhelal Sveçla

3 vjet më parë

nga Rea Sefa

Sot u bënë dy vite që nga vdekja e dyshimtë e Zyrtarit të Lartë të Doganës, toger Luan Berishës. Megjithëse drejtësia i ishte kërkuar madje edhe vetë kryeminsitrit Kurti, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Luan Berisha, udhëheqës i njësitit antikontrabandë në Doganat e Kosovës u gjet i vdekur në oborrin e Doganës, më 17 prill 2021.

Thuhet se atë ditë nuk kanë funksionuar kamerat dhe se janë gjetur 2 plumba në vendin e ngjarjes.

Tash e dy vite, dhe ende rasti nuk është zbardhur e nuk është vënë drejtësia në vend për vdekjen e Berishës.

Familjarët e Luan Berishës me shumë bindje thonë se rasti është vrasje, dhe nuk u ndalën asnjëherë së kërkuar drejtësi për vdekjen e tij.

Në nëntor të vitit 2021, motra e Luan Berishës, Laura Berisha, u ballafaqua me qeveritarët në sheshin e Prishtinës. Ajo iu drejtua ministrit të Brendshëm Sveçla dhe kryeministrit Kurtit, duke i kërkuar llogaridhënie rreth hetimit të rastit të vëllait të saj.

“Po iu pys juve dhe zotrin Sveçla. Vllau jem Luan Berisha, zyrtar i lartë në Doganë, u vra në oborr të Doganës më 17 prill, nuk e kemi asnjë përgjigjje deri tash. Kemi kërku takim, na keni injoru, nuk kemi kurgjo deri tash. Dashta me iu pytë, a jeni tu e luftu krimin qysh na keni premtu, apo jo?”- iu drejtua ajo qeveritarëve.

Ata iu përgjigjën se organet e rendit duhet me u marrë me të gjitha këto, e edhe merren.

Laura shprehet se kanë tentuar ta kontaktojnë Ministrin Sveçla, por i njëjti nuk iu ka kthyer përgjegjje asnjëherë.

“Asnjëherë nuk keni kthy përgjegjje! Iu kena votu me e luftu krimin, e vllau jem u vra me 17 prill, në oborr të Doganës. Nuk kemi përgjegjje që 6 muaj e gjysmë, na keni injoru totalisht!’’- iu drejtua Laura Berisha, Sveçlës.

Avokati i Berishës, Flakron Sylejmani, njoftoi se pas këtij ballafaqimi, pas largimit të Laura Berishës nga turma, Ministri Sveçla i dha sqarim Kryeministrit Kurti duke i thënë se ‘’Luan Berisha u vetëvra’’.

Avokati e vlerësoi këtë deklaratë si joprofesionale nga ana e Sveçlës.

“Unë si avokat por edhe familja e të ndjerit Luan Berisha një deklarim të tillë e vlerësojmë të pa matur të dëmshëm dhe joprofesional. Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre,”- u shpreh Sylejmani.

Ai gjithashtu tha se deklarimet e një personi që nuk është kompetent për të bërë kualifikim ligjor të një vepre, në këtë rast Sveçla, vetëm sa e komplikojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar.

“Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit,”- tha avokati Sylejmani.

Familjarët e Luan Berishës janë shprehur se deklarata e Sveçlës i ka demotivuar dhe i ka bërë me dije se pritjet e familjes së Berishës, se qeveria do ta luftojë krimin, janë fjalë boshe.

‘’Deklarata e Ministrit te Puneve te Brendshme na ka demotivuar dhe na kane bere me dije se pritjet tona se kjo qeveri e re do ta lufoj krimin e organizuar jane vetem fjale boshe’’- ka thënë Adelina Berisha, motra e Luan Berishës.

Ajo edhe i pat bërë thirrje të gjithë personave, organizatave e mediave që t’i bëjnë presion institucioneve rreth hetimit për ta zbuluar rastin e vdekjes së vëllaut të tyre. Duke bërë të ditur se si familje, nuk janë të gatshëm të prononcohen para mediave.

Sot, 2 vite nga vdekja e dyshimtë e togerit Luan Berisha, pa asnjë informatë të re nga hetuesia e prokuroria rreth vdekjes së tij, rasti ende nën hije. Familja në pritje të drejtësisë!

Lajme të ngjashme