Byrnes: Kurrë nuk kemi pasur prova që dikush nga Shtabi i Përgjithshëm të ketë dhënë urdhër për ndonjë rrëmbim - NACIONALE

Byrnes: Kurrë nuk kemi pasur prova që dikush nga Shtabi i Përgjithshëm të ketë dhënë urdhër për ndonjë rrëmbim

4 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-diplomati amerikan, Shaun Byrnes, po vazhdon dëshminë e tij në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.

Ai u pyet nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, për strukturën komanduese, dhe rolin e shtabit të përgjithshëm.

Byrnes deklaroi se asnjëherë nuk kanë pasur prova që ndonjë udhëheqës nga Shtabi i Përgjithshëm, të kishte dhënë urdhër për ndonjë ndalim apo rrëmbim.

“Ne as edhe një herë nuk kemi patur ndonjë provë që tregon se shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, Thaçi, Krasniqi, Selimi, Ramë Buja, Xhaviti apo të tjerë, kurrë nuk kemi patur prova që ata të kishin dhënë urdhër apo të udhëzonin që të merreshin peng, të rrëmbeheshin gazetarët serbë apo aktivistët e LDK-së. Kurrë nuk kemi pasur prova të tilla. Më lejoni ta mbaroj përgjigjen. Ne menduam se këto veprime, ndërmerreshin në formë të pavarur nga komandantët vendës të UÇK-së ose eprorët e tyre, komandanti i brigadës apo i zonës”, tha ai, raporton Nacionale.

Gjatë marrjes në pyetje, Byrnes foli edhe për rolin e Thaçit në kohën e luftës dhe takimet që ka pasur me të.

“Është gjysmë e saktë. Asnjëherë nuk mbaj në mend që Thaçi të jetë marrë në mënyrë të drejtpërdrejt me komandantët në terren. Ne e kemi takuar me pjesëtarë të tjerë të drejtorisë politike, dhe sipas përkufizimit, jo udhëheqës ushtarak”, tha diplomati amerikan.

“Shtabi i Përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së. Kjo ka qenë ndjesia”, deklaroi ai.

“Kishte dy grupe në disaporë: një grup që ishte pro çlirimit, dhe shndërrimit të saj në shtet të pavarur. Kishte një grup tjetër i cili ishte opsioni 1 plus 1, çlirimi nga Serbia dhe ribashkimi me Shqipërinë. Këta nga dispaora u kthyen në Kosovë nga Zvicra, dhe ata ofruan ndërveprimin me komunitetin ndërkombëtar. Sepse ata kuptuan zotëri faktin që pas Daytonit në 1995, Kosova kishte pak gjasa që të bëhej e pavarur.Këta zotëri si Thaçi e Haliti u kthyen”, theksoi ai më tutje.

Ai foli edhe për organizimin e disa zonave, duke thënë se komandantët ishin kundër të futeshin nën urdhrat e Shtabit të Përgjithshëm.

“Ne e dinim që kishte rezistencë ndaj riorganizimit të zonave të UÇK-së nga 7 në 3. Megjithatë, disa prej komandatave të zonave në veçanti Remi që ishte komandant i Zonës Operative të Llapit dhe z. Ramush Haradinaj nga Zona e Dukagjini, pra komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, ata të dy shprehimisht na kishin thënë që ishin kundër këtij riorganizim dhe ishin kundër që të ishin të varur apo nën varësinë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që u organizua diku nga fundi i verës. Ata kishin këtë qëndrim dhe ishin kundër se kishin fuqinë që të rezistonin. Ata kishin burimet e veta, kishin financimet e veta dhe kishin mjetet e veta për të siguruar armatime”, tha Byrnes.

Dëshmitari deklaroi gjithashtu se UÇK-ja nuk besonte në Ibrahim Rugovën. Kjo duke komentuar rreth një faksimile që e kishte shkruar.

“Autori i kësaj faksimile jam unë, unë e kam shkruar atë. UÇK-ja nuk kishte besim tek presidenti Rugova. Presidentin Rugova ata e shihnin si dikë që ishte i gatshëm të pranonte nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare, pra ata e shikonin si një person që ishte i gatshëm të pranonte një marrëveshje që e linte Kosovën si pjesë të Serbisë. Edhe sipas Kushtetutës 74, Kosova ishte gjerësisht e pavarur”, tha dëshmitari Byrnes.

Lajme të ngjashme