Babë e bir në UÇK, përmendi emra dëshmitarësh: Pse u arrestua nga Gjykata Speciale dhe kush është Dritan Goxhaj?
Dritan Goxhaj është emri i radhës, ish-luftëtar i UÇK-së që u arrestua nga Gjykata Speciale. Por ky, sikur Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, nuk dyshohet për krime lufte, por për pengim të drejtësisë dhe pengim të personave në kryerjen e detyrave zyrtare.
Shumë detaje ende nuk dihen, megjithatë gjithçka mund të ndërlidhet me disa shkrime të Goxhajt ku ky i fundit nxirrte emra të dëshmitarëve në procesin ndaj Salih Mustafës. Aty e kishte përmendur edhe Nazlie Balën, këshilltaren e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Dritan Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë luftës së Kosovës, edhe i biri Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e Aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.
Në një njoftim për media, Specialja ka thënë se arrestimi ka ndodhur në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Më 31 korrik 2023, autoritetet shqiptare arrestuan Dritan Goxhaj në Tiranë. DhSK kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në KSK, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjyqtar i DhSK-së në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, ka thënë Anglea Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kurse, në njoftimin e Prokurorisë bëhet me dije se Goxhaj akuzohet për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
Çuditërisht ai fillimisht pritet të ekstradohet në Kosovë, e jo në Hagë.
“Gjykatësi i vetëm ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G., mban përgjegjësi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjatë procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit. Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
E lidhur me arrestimin e Goxhajt kanë reaguar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Klinaku, ka thënë se arrestimi i Goxhajt është bërë për t’i frikësuar njerëzit që e kundërshtojnë një “gjykatë politike”.
Goxhaj në disa shkrime të ndara kishte folur për dëshmitarëve e procesve që po zhvillohen në Gjykatën Speciale të Hagës. E kishte përmendur edhe Nazlie Balën, këshilltaren e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Dëshmitari i tretë, edhe ky i mbrojtur dhe i fshehur, quhet Nazlie Balaj”, pretendon ish-oficeri i UÇK-së, në shkrimin e publikuar në KosovaPress, e i publikuar edhe në media të tjera.
“Kjo është këshilltare e Ministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës. Përveç faktit që është e afërme e viktimës, askush nuk i bie dot në fije se si ka mundur kjo të jetë dëshmitare për një ngjarje të cilën ajo vetëm e ka dëgjuar”, vazhdon ai.
Vetë Nazlie Bala i kishte mohuar këto pretendime, duke thënë se ky person po ia rrezikon jetën.
“O nuk kom lidhje me këtë punë, as as nuk po e di çka më ju thonë, a po e din me ta vu jetën në rrezik është shumë shqetësuese edhe atë se çfarë shkruajnë mediat. Ju lutem, nuk kam të bëjë asgjë me ketë temë, abosolutisht asgjë. More nuk kaë të bëjë asgjë me ketë” – thoshte Balaj për Nacionalen.
Ai në një emision e kishte përmendur edhe një tjetër person për të cilin thoshte se është dëshmitar. Fjala ishte për një gazetar të BIRN që kishte realizuar një shkrim për “Shtëpinë e Verdhë”.
Pak kohë më parë, gjatë një interviste në Euroneës, ai tha se një prej këtyre dëshmitarëve është Altin Raxhimi, gazetar i BIRN, që është edhe bashkëautor i shkrimit për “Shtëpinë e verdhë” që u përdor më pas nga Karla del Ponte dhe Dick Marty për ngritjen e akuzave për UÇK-në.
Nuk dihet nëse këto deklarata kanë ndikuar direkt në arrestimin e tij, megjithatë Gjykata Speciale ka theksuar se detaje të reja do të bëhen të ditura më vonë.

