Avokati i Rexhep Selimit flet nga Haga: Ai është optimist, drejtësia do të triumfojë
Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, pret që të gjitha provat e paraqitura në rastin e krerëve të UÇK-së, të analizohen në mënyrë të drejtë nga Trupi Gjykues.
E nëse kështu është, sipas avokatit të Selimit, atëherë në fund drejtësia do të triumfojë, dhe do të ketë rezultat pozitiv për ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Në një konferencë nga Haga, avokati Roberts ka komentuar procesin gjyqësor deri më tash, 2 vjet pas nisjes së tij.
“Unë pres një analizë të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të detajuar të të gjitha provave nga ana e Trupit Gjykues dhe mendoj se pas këtij procesi, pas një procesi të drejtë, drejtësia do të triumfojë dhe Z. Selimi njësoj do të ketë rezultat pozitiv në fund të këtij procesi poashtu”, u shpreh avokati Roberts, raporton Nacionale.
“Mendoj se kushdo që do të ishte i ndaluar dhe larg familjes për 4 vjet e gjysmë, kjo do të kishte një ndikim të jashtëzakonshëm. Ai është arrestuar në fillim të nëntorit 2020, e ka ndjekur gjithë procesin dhe ka marrë pjesë në çdo seancë, i ka ndjekur me zell dhe ka bashkëpunuar për secilin urdhër të trupit gjykues në Gjykatë por personalisht është shumë optimist njësoj si unë, sigurisht shpreson se drejtësia ta gjejë anën e vet, kjo merr pak kohë por përfundimisht të rezultojë me një verdikt të cilin e shpresojmë”, tha ai.
Avokati i Selimit, ka përmendur disa prej mangësive që ekipi i tij i ka vërejtur deri më tash në këtë proces gjyqësor.
“Sikurse thashë në fillim, mendoj se për rastin e Prokurorisë ka disa shqetësime të cilat i kam shprehur, ato shqetësime nuk janë hequr dhe jam i bindur për ato probleme dhe mangësi siç kam qenë nga fillimi. Mendoj se mënyra se si është paraqitur rasti ka qenë e paqartë herë pas here dhe kjo ka qenë një çështje e cila është ngritur nga gjyqtarët në gjykim në njërën prej konferencave statusore, se nuk është paraqitur në një mënyrë koherente dhe konsistente. Dhe qoftë nëse e përdorim fjalën “e dobët” qoftë ndonjë fjalë tjetër, ka probleme me rastin, probleme për të cilat siç thash jam i bindur se do të rezultojnë me një epilog pozitiv”, tha Roberts nga Haga, ku po qëndron edhe gazetari i Nacionales.
“Mendoj se një nga problemet më të mëdha që do të doja ta përmend është sasia e provave që janë paraqitur në formë të shkruar. Nëse një dëshmitar vjen në gjykatë mund ta sfidosh atë por nëse të vjen një deklaratë ti nuk mund ta sfidosh një copëz letre. Pra ky është një problem i cili mendoj se duhet të adresohet dhe sa peshë mund t’i jepet atyre dëshmive që nuk janë paraqitur drejtpërdrejtë nga individët, e kjo është një pyetje e cila duhet të definohet nga gjyqtarët në mënyrën e duhur”, tha avokati i Selimit më tutje.
Ai theksoi se fokusi i mbrojtjes së Selimit është tek mocioni që do ta hartojnë për rrëzimin e disa pikave të aktakuzës.
“Për momentin nuk kemi vendosur akoma nëse do të kemi nevojë të thërrasim dëshmitarë të mbrojtjes dhe nëse po, sa dëshmitarë kemi nevojë të thërrasim dhe kush do të mund të ishin ata.
Siç e dini ky është një proces ___ gjatë të cilit barra e provës bie mbi Prokurorinë për të vërtetuar pretendimet përtej dyshimeve të arsyeshme dhe pastaj vjen faza tjetër e procesit kur ne mund t’i kontestojmë pretendimet dhe të kërkojmë nga gjyqtarët të rrëzojnë disa apo të gjitha akuzat. Dhe vetëm pas vendimit të Trupit Gjykues për këtë çështje do ta dimë nëse kemi nevojë të thërrasim dëshmitarë dhe nëse po, kë dhe sa...”, tha avokati i Rexhep Selimit.