Arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së dhe një biznesmen, akuzohen se dëmtuan buxhetin në vlerë prej 2.8 milionë euro
Në një aksion të koordinuar mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Policisë së Kosovës, 13 persona – 12 prej tyre zyrtarë të ATK'së - janë arrestuar sot në Prizren dhe Podujevë. Drejtoria e Krimeve Ekonomike ka kryer bastisje në dy lokacione me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të pasurive. Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarve u është caktuar masa e parabugrimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.
Si rezultat i këtij aksioni, 12 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovë (ATK), ndërsa një tjetër person është pronar i një biznesi. Ata dyshohen për veprat penale të "Mashtrimit në detyrë".
“Personat me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., zyrtarë të ATK-së, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, nga neni 419 i KPRK-së” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë, persona me inicialet M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., të dyshuar për bashkëkryerje, akuzohen se kanë njohur fatura fiktive me vlerë prej 18 milionë euro, duke pretenduar për një hotel tashmë të ndërtuar.
“Të dyshuarit F.P., pronar i tri bizneseve në Prizren ia kanë njohur si të rregullta 23 fatura fiktive me vlerë prej 18 milion euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç ka qenë i ndërtuar më parë” – thuhet më tej.
Dyshohet se F.P., pronar i tre bizneseve në Prizren, ka pranuar 23 fatura të rreme nga të pandehurit B.B. dhe B.B. (të cilët janë në kërkim), pronarë të një biznesi në Podujevë.
Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milionë euro.
“Fatura i kishte pranuar nga të pandehurit të B.B. dhe B.B ( të cilë janë në kërkim) pronarë të një biznesi në Podujevë, e që dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin” dhe “Shmangie nga tatimi” dhe si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur.” – thuhet më tej.
B.B., F.P., dhe B.B. akuzohen për dëmtim të buxhetit të Kosovës në vlerë prej 2.8 milionë euro.
“Andaj, B.B., F.P. dhe B.B., pretendohet se me veprimet e tyre e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej 2.8 milion euro. Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e të dyshuarve në kohëzgjatje prej 48 orësh, si dhe për të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore.” – thuhet aty.