Apeli ua ul dënimin Gucatit e Haradinajt: Dënohen me 4 vjet e 3 muaj burgim - NACIONALE

Apeli ua ul dënimin Gucatit e Haradinajt: Dënohen me 4 vjet e 3 muaj burgim

1 vit më parë

nga Besian Beha

Gjykata e Apelit në Hagë ka vendosur që t’ua ulë për nga 3 muaj dënimin Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Ata do të qëndrojnë në burg 4 vjet e 3 muaj burgim, për dallim nga 4 vjet e gjysmë sa ishin të dënuar në shkallën e parë. Atyre do t'iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim.

Kështu ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues të apelit, Michele Picard.

Ajo ka deklaruar se pothuajse në të gjitha arsyetimet e shkallës së parë së gjykatës, ka pasur bazë dhe argumente, duke rrëzuar kështu ankesat e avokatëve të Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Megjithatë, disa nga ankesat e avokatëve kanë dalë të bazuara, sidomos ajo në bashkimin e veprave penale për të cilat akuzoheshin Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Paneli nuk gjeti asnjë dënim as lidhur me kohëzgjatjen e dënimit. Përveç uljes së dënimit për 3 muaj.

“Dënimi për Gucatin e Haradinajn të ulet për secilin të ulet nga 3 muaj”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Trupi gjykues nuk gaboi lidhur me peshën e veprave penale të përshkruara në aktakuzë. Vlerësoi me kujdes provat dhe të gjithë akterët lidhur me kryerjen e veprave penale. Paneli konstaton se z.Gucati nuk ka arritur të provojë gabim në përcaktimin e dënimit. Paneli gjykon sikurse që u diskutua, përputhshmëria në dënim është e rëndësishme, por duhet mundësuar ushtrimi i kompetencës së trupit gjykues. Paneli është i vetëdijshëm për ndryshimin e dënimeve nga Tribunali i Hagës, Paneli nuk mund të shpërfill faktet konkrete të kësaj çështje”, tha kryetarja e trupit gjykues.

Qysh në nisje të fjalimit të saj, Picard deklaroi se dëshmitarët dhe kërcënimi i tyre, është shqetësimi kryesor që ka bërë krijimin e Gjykatës Speciale në Hagë.

“Para themelimit të Dhomave të Specializuara, pengesat e hasura nga gjykatat dhe tribunalet e tjera, përbënin shqetësim të vazhdueshëm ku përfshihej ngurrimi ose frika e dëshmitarëve dhe mungesën e besimit te masat mbrojtëse. Pikërisht në këtë kontekst u krijuan Dhomat e Specializuara. Lloji i krimeve që përfshihen në juridiksionin e Gjykatës Speciale, bëjnë me rëndësi të madhe dëshmitë gojore. Mbrojtja e dëshmitarëve nga frikësimi dhe dëmtimi është në themel të drejtësisë penale, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Kjo çështje ka të bëjë me administrimin e drejtësisë, integritetin e procesit dhe dëshmitarëve”, tha Picard.

Me 9 vjet burgim ishin dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nga Dhomat e Specializuara të Hagës muaj më parë.

Vendimi ishte shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith i cili ka thënë me veprimet e tyre duke publikuar dosjet në shtatorin e vitit 2020, Gucati dhe Haradinaj kanë rrezikuar sigurinë e dëshmitarëve.

Më poshtë gjeni disa nga konstatimet kryesore të trupit gjykues të Apelit.

Konstatimet kryesore:

Paneli trajton në fillim gabimet e pretenduara në lidhje me vendimet e trupit gjykues për të mos-nxjerrë ose redaktuar materialet. Paneli konstaton se materialet nuk janë relevante për përmbajtjen, por për natyrën e tyre konfidenciale. Duke ditur se ato ishin pjesë e hetimeve, ishte e arsyeshme që një hetues i ZPS-së të konfirmonte statusin konfidencial të këtyre dokumenteve. Paneli vëren se mbrojtja pati mundësi t’i bënte pyetje hetueses së ZPS-së dhe se krahas mbështetjes në këtë dëshmi, trupi gjykues vërtetoi autenticitetin. Të akuzuarit nuk kanë arritur të provojnë gabime në konstatimet e trupit gjykues. Procedura e ndjekur nga trupi gjykues i përmbush standardet e gjykimit të drejtë. Paneli rrëzon kundërshtimet e z.Haradinaj.

Zbulimi i fshehtësive zyrtare: Paneli rrëzon interpretimin e z.Gucati dhe pajtohet me trupin gjykues se nuk kërkohet specifikisht që informacioni duhet të jetë nxjerrë drejtpërdrejtë nga kryesi i veprës penale. Paneli konstaton se z.Gucati nuk ka arritur të provojë se informacioni i trajtuar konfidencial, duhej të ishte i fshehtë. Paneli rrëzon kundërshtimet e mbrojtjes për pikën 5 të aktakuzës.

Zbulimi i paautorizuar i identitetit të dëshmitarëve: Mbrojtja nuk ka arritur të provojë gabime në konstatimet e trupit gjykues. Pika gjashtë e aktakuzës përfshin dy forma të rënda të veprës penale bazë, vetëm njëra është relevante për këtë çështje që është rasti kur vepra penale shkakton pasoja të rënda për personin e mbrojtur. Paneli konstaton se të akuzuarit nuk kanë arritur të provojnë që trupi gjykues u mbështetë në dëshminë e dëshmitarit të caktuar. Paneli konstaton se trupi gjykues nuk gaboi se u shkaktuan pasoja të rënda për dëshmitarët që u zhvendosën në banim sepse ishin në rrezik. Paneli konstaton se kjo vlen vetëm për dy dëshmitarë.

Trupi gjykues nuk dha asnjë shpjegim për konstatimin e tij lidhur me publikimin e emrit të një dëshmitari. Për këtë arsye, Paneli i Apelit pajtohet me z.Gucati se trupi gjykues gaboi dhe rrjedhimisht pranoi arsyen 11 të apelit të z.Gucatit.

Frikësimit gjatë procedurës penale: Paneli i Apelit mendon se pengimi i procedurës penale s’ka lidhje me alternativën e nenit 387, dhe trupi gjykues nuk gaboi se të akuzuarit përdorën kërcënime të rënda lidhur me procedurën penale. Lidhur me fjalën kërcënim i rëndë, gjykon se synimi i ligjvënëse ishte që termi të përfshinte çfarëdo kërcënimi që bën dëm, e jo vetëm përdorimin e forcës. Interpretimi i trupit gjykues përputhet me dispozitat dhe qëllimin e tyre. Paneli konstaton se të akuzuarit nuk kanë arritur të provojnë gabim në vlerësimin e trupit gjykues të veprës penale për frikësim. Paneli konstaton se synimet e dy të akuzuarve kishin synime që dëshmitarët të mos japin dëshmitë e tyre. Rrëzon kundërshtimet e mbrojtjes ndaj konstatimeve.

Pengimi i personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare me kërcënim të rëndë: Paneli gjykon se interpretimi është në përputhje me qëllimin e dispozitës. Shumica e panelit konstaton se të akuzuarit nuk kanë provuar gabim në vlerësimin e trupit gjykues në këtë vepër penale.

Paneli sqaron se ka ndryshim midis detyrimit të ZPS-së për vërtetimin e fajësisë, dhe përgjegjësisë së mbrojtjes për paraqitjen e provave në mbështetje penale. Paneli vëren se trupi gjykues me të drejtë konstatoi lidhur se nuk kishte shtytje në veprën penale nga ana e Prokurorisë.

Lajme të ngjashme