Aktakuza e Prokurorisë: Serbia ia ka ofruar Radoiçiqit krejt mbështetjen për sulmin në Banjskë - NACIONALE

Aktakuza e Prokurorisë: Serbia ia ka ofruar Radoiçiqit krejt mbështetjen për sulmin në Banjskë

1 vit më parë

nga Besian Beha

TË GJITHA DETAJET E AKTAKUZËS MUND T'I LEXONI KËTU

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën ndaj 45 personave për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Nacionale e siguroi aktakuzën e plotë.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale e bën fajtore direkt Serbinë për organizimin dhe mundësimin e sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator. Kjo thuhet direkt në pjesën ku Milan Radoiçiqi akuzohet për shpërlarje parash, e përfitime të milionave nga Serbia dhe të disa tenderëve të tjerë në Kosovë.

Gjatë hetimit është vërtetuar se fuqizimi i të pandehurit Milan është bërë në forma të ndryshme me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Republikës së Serbisë, ku kjo e fundit fillimisht i ka ofruar fuqizim ekonomik përmes dhënies së tenderëve në Serbi me qëllim të grumbullimit të fondeve në vlera të konsiderueshme, gjegjësisht përkrahje me miliona euro, pastaj i është ofruar përkrahje politike në takimet e nivelit të lartë të strukturave të sigurisë dhe strukturave politike të shtetit Serb. Më pastaj, Serbia i ka ofruar të gjithë infrastrukturën e nevojshme ushtarake për trajnimin e pjesëmarrësve, ofrimin e pajisjeve ushtarake dhe logjistike, krejt këto të nevojshme për të kryer sulmin terrorist të datës 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga gazeta Nacionale.

Sipas aktakuzës, me këto mjete financiare të përfituara nga tenderët e ndryshëm në Serbi, por edhe në Kosovë, Radoiçiqi ka blerë armët e të gjitha mjetet e tjera për kryerjen e sulmit në Banjskë.

“I pandehuri Milan Radoićić në emër të kryerjes së akteve të ndryshme të dhunës, ndikimit financiar në grupin e tij, drejtimit të personave të tjerë në kryerjen e akteve të dhunshme, ka grumbulluar mjete financiare5, ku këto mjete financiare i ka përdorur për kryerjen e pagesave të pjesëmarrësve të grupit 6 , blerjen e pajisjeve logjistike 7 duke përfshirë armatim të rëndë 8 , vetura të blinduara 9 , dronë 10 , uniforma ushtarake 11 për grupin terrorist, si dhe çdo pajisje tjetër ushtarake të nevojshme për qëllim të kryerjes së veprave terroriste”, thuhet më tutje në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, Radoiçiqi ishte personi kryesor që merrej me dallavere në pjesën veriore të Kosovës. Ai merrte miliona tenderë nga Serbia, përmes kompanive ku pronarë ishin vartësit e tij. Në këtë formë edhe bëhej shpërlarja e parave. Me të gjitha këto mjete më pas, bllokoheshin rrugët e sulmohej Policia e Kosovës.

“Skema e fuqizimit ekonomik përmes grumbullimit të fondeve me qëllim të financimit të terrorizmit në Kosovë për të pandehurin Milan Radoićić është bërë përmes hapjes së bizneseve në mënyrë ligjore me qëllim të fshehjes së prejardhjes së parave apo maskimit të origjinës së parave, që në sytë e publikut dhe autoriteteve zyrtare të duket gjithçka e ligjshme. I pandehuri Milan Radoićić, ka qenë i përfshirë në mënyrë direkte në cilësi të pronarit në biznese dhe në mënyrë indirekte”, thuhet më tutje në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, më tutje, Radoiçiqi kontrollonte secilën para që hynte në veri nga institucionet e Kosovës. Kompania ku Milan Radoiçiq kishte personat e afërt, i merrte të gjithë tenderët. Punët nuk kryheshin, paratë përdoreshin për gjëra ilegale.

“Pasqyra e tërësishme e operimit të të pandehurit Milan dhe përkrahja që i është ofruar, ka krijuar një fuqi të madhe në kontrollimin e pjesës së veriut përmes aktivitetit kriminal, ku këtë ndikim e ka përdorur si instrument për të luftuar rendin juridik kushtetues të Kosovës përmes akteve terroriste dhe për nevojat e tij personale. Çdo përkrahje institucionale të ofruar nga buxheti i Kosovës për qytetarët e pjesë së veriut ka përfunduar në duart e të pandehurit Milan Radoićić, ku i njëjti kishte arritur të krijoj biznese të cilat shiheshin si të ligjshme dhe fitonte kontrata publike. Ngjashëm, e njëjta skemë ishte zhvilluar në Serbi por me vetëdije dhe me qëllim të luftës kundër rendit juridik kushtetues të Republikës së Kosovës. Për të ngjallur frikën dhe krijuar varësinë e popullatës civile serbe në veriun e Kosovës, Milan Radoićić i duhej edhe përkrahje tjetër ekonomike dhe politike nga zyrtarët serb me qëllim të krjimit të varësisë së qytetarëve të nacionalitetit serb dhe menaxhimit të tyre duke përdorur paratë si mjet kushtëzimi, në raste kur paratë nuk kryenin punë atëherë bënin vendosjen e eksplozivëve, përdorimin e dhunës dhe çdo formë tjetër të detyrimit”, thuhet më tutje në aktakuzë.

Në krye të këtij organizimi për shpërlarje të parave, Radoiçiqi e kishte personin: Radule Steviq, që figuronte si pronar i disa bizneseve të cilat fitonin tenderë në Kosovë e Serbi.

Prej vitit 2017 deri në 24 shtator 2023, kryeterroristi Milan Radoiçiq, kishte nisur me grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit që u krye në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Kështu të paktën thuhet në pjesën hyrëse të aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila është ngritur sot. Nacionale e ka siguruar aktakuzën, në të cilën janë të përfshirë 45 persona, në mesin e të cilëve edhe Milan Radoiçiq.

“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoićić, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë - blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake - sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike - sigurimi I pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit - financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga gazeta Nacionale.

Me këtë, Radoiçiqi sipas Prokurorisë, ka kryer veprën “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

Ai gjithashtu akuzohet edhe për shpërlarje të parave.

“Nga data 01.01.2017 deri më datë 24.09.2023, i pandehuri Milan Radoićić duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të\ pandehurit Radule Stević – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Stevic B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Lajme të ngjashme